Pas prezantimit në Gjirokastër, projekti ‘BE për Ekonominë Qarkulluese – Programi Rajonal i Menaxhimit të Mbetjeve’ (EU4CE-ReWaM) nisi edhe në qytetin e Kukësit. I financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga AFD-ja, në partneritet me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë, projekti prej 19 milionë Eurosh do të përmirësojë menaxhimin e mbetjeve në Kukës, Gjirokastër dhe në Vlorën e Jugut.
Programi do të mbështesë Shqipërinë për rritjen e riciklimit, krijimin e vendgroposjeve dhe strukturave për trajtimin e mbetjeve në përputhje me BE-në, si dhe reduktimin e ndikimeve mjedisore të mbetjeve të ngurta. Kjo nismë do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës në zonat e prekura, si dhe do të mbështesë përafrimin e Shqipërisë me standardet e BE-së për rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE.
Aktiviteti përurues në Kukës shënoi fillimin zyrtar të programit në zonën e mbetjeve, përfshirë bashkitë e Kukësit, Hasit dhe Tropojës. Ai mblodhi së bashku bashkitë dhe aktorët vendorë dhe u ndoq nga zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit Almira Xhembulla, shefi i Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së Hubert Perr, kryetari i Bashkisë së Kukësit Albert Halilaj, atasheu i Bashkëpunimit në Ambasadën Franceze Rémy Privat, si dhe përfaqësues të AFD-së.
Një ekip konsulentësh ndërkombëtarë dhe vendas, i emëruar nga AFD-ja, do të jetë përgjegjës për realizimin e aktiviteteve programore në muajt në vijim, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, si dhe me 3 bashki nga rajoni.
Zëvendësministrja Xhembulla shprehu vlerësimin e saj të madh për programin që do të forcojë bashkëpunimin mes palëve të interesit, për të ofruar shërbim më të mirë për popullsinë në rrethin e Kukësit. “Mbajtja e mjedisit të pastër dhe të gjelbër është thelbësore për mirëqenien e qytetarëve, si dhe për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm në rajon”, deklaroi Xhembulla. Shefi i Bashkëpunimit të BE-së, Hubert Perr, theksoi se përmes programit EU4CE-ReWaM njerëzit do të përfitojnë jo vetëm nga një mjedis më i pastër, por edhe nga vende të reja pune dhe të ardhura të krijuara si pjesë e ekonomisë qarkulluese. “BE, si një lider global mjedisor, është e lumtur të mbështesë Shqipërinë për nxitjen e rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm nëpërmjet tranzicionit ekologjik, si dhe ta përgatisë vendin për anëtarësimin në BE”, deklaroi Perr.
Atasheu i Bashkëpunimit të Ambasadës Franceze Rémy Privat, theksoi rolin kyç të luajtur nga AFD-ja në mbështetjen në rritje të Francës për zhvillimin dhe zbatimin e politikave klimatike dhe mjedisore nga Shqipëria, “të cilat janë thelbësore për popullsinë shqiptare dhe për integrimin evropian të Shqipërisë”.
Ky aktivitet prezantues nënvizoi angazhimin e bashkive vendore për të promovuar ekonominë qarkulluese dhe praktikat e qëndrueshme të menaxhimit të mbetjeve.