Në një artikull të publikuar në revistën katalanase El Nacional.cat, Alba Solé Ingla rekomandon Shqipërinë si një nga destinacionet më tërheqëse evropiane për ata që kërkojnë një përvojë të pazbuluar ende nga turizmi masiv.
Solé Ingla thekson bukuritë natyrore dhe kulturore, duke shtuar se Shqipëria është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura dhe të paprekura në Mesdhe. Riviera Shqiptare, që shtrihet nga veriu në jug, ofron plazhe me rërë të bardhë dhe ujëra kristal të cilat kanë tërhequr gjithnjë e më shumë turistë, veçanërisht nga Italia. Një nga plazhet më të famshme është Ksamili, i cili ndodhet pranë ishullit grek të Korfuzit, dhe është një destinacion ideal për ata që kërkojnë relaks dhe natyrë të papërlyer.
“Për të pasur një përvojë të plotë, është e nevojshme të eksplozohet jo vetëm plazhi, por edhe atraksionet e tjera të Shqipërisë, si Syri i Kaltër dhe Parku Kombëtar i Butrintit, që janë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”, shkruan ajo.
Për ata që preferojnë aktivitetet malore, Shqipëria ka shumë për të ofruar. Veriu i Shqipërisë është një parajsë për alpinistët dhe udhëtarët që kërkojnë aventura të paharrueshme. Fshati Theth, i vendosur në zemër të Alpeve Shqiptare, është një nga destinacionet më të njohura për ecje malore. Historia e tij, që ka qenë për vite me radhë një vend i izoluar, e bën këtë fshat të veçantë dhe autentik.
Po ashtu, qytetet historike si Gjirokastra dhe Berati janë të paçmuara për ata që dëshirojnë të zbulojnë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë. Gjirokastra, që është një qytet i mbrojtur nga UNESCO, është e njohur për qendrën e saj historike, kështjellën dhe pazarin karakteristik. Ndërsa, Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, është një shembull i shkëlqyer i arkitekturës osmane dhe bizantine.
Një tjetër aspekt i veçantë i Shqipërisë është gastronomia e saj, që është një miks i ndikimeve turke, ballkanike dhe mesdhetare. Sipas Solé Inglas, kuzhina shqiptare është një “shkrirje aromash dhe shijesh”, që i bën vizitorët të ndihen si në shtëpinë e tyre, gjithashtu me çmime jashtëzakonisht të përballueshme.
“Shqipëria është një vend i paeksploruar, ku çdo vizitor mund të gjejë diçka të re dhe magjepsëse”, shkruan ajo, duke e përshkruar Shqipërinë si një destinacion turistik me potencial të jashtëzakonshëm.
Shqipëria po fiton terren në mesin e destinacioneve më të kërkuara të Evropës për turistët që kërkojnë natyrë të paprekur, histori të pasur dhe një përvojë autentike, larg nga masiviteti i turizmit.
Link artikulli i plotë: https://www.elnacional.cat/es/estilo-vida/pais-barato-europa-viajar_1267149_102.html