Shqipëria dhe Italia nënshkruajnë marrëveshje të reja strategjike në Mbledhjen e parë Ndërqeveritare në Romë

Shqipëria dhe Italia forcuan edhe më tej partneritetin në fusha të rëndësishme, me shkëmbimin e një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh mirëkuptimi, në kuadër të Mbledhjes së parë Ndërqeveritare Shqipëri-Itali (G2G), të mbajtur në Romë. Marrëveshjet e shkëmbyera nga ministrat e të dy kabineteve mbulojnë një gamë të gjerë fushash strategjike, si siguria, mbrojtja, energjia, shëndetësia, drejtësia, ekonomia, inovacioni dhe kultura; duke vendosur një fazë të re bashkëpunimi në kuadër edhe të procesit të integrimit evropian.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkroi marrëveshjen për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në Shqipërinë e Veriut, një projekt që synon rikonstruksionin e infrastrukturës së dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019. Investimi italo-shqiptar do të garantojë furnizim më të qëndrueshëm dhe më cilësor për komunitetet e prekura dhe do të forcojë sigurinë e sistemit energjetik.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, dhe homologu Italian, Matteo Piantedosi, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit “Misioni kundër drogës”, që synon forcimin e operacioneve të përbashkëta kundër trafikut të narkotikëve, shkëmbimin e shpejtë të informacionit, hetimet e përbashkëta dhe trajnimin e strukturave policore. Palët diskutuan edhe një memorandum të ri për identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, si dhe vlerësuan bashkëpunimin e vazhdueshëm në formimin policor përmes Akademive të Policisë italiane.

Takimi mes Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali dhe Ministrit Antonio Tajani konfirmoi thellimin e bashkëpunimit në fushat prioritare të partneritetit strategjik, veçanërisht në mbështetje të Korridorit VIII, sigurisë rajonale dhe projekteve të integrimit evropian. Po ashtu, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në Sigurinë Kibernetike, me fokus në mbrojtjen e infrastrukturave kritike digjitale dhe shkëmbimin e ekspertizës mes dy vendeve.

Në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimi u forcua ndjeshëm përmes marrëveshjeve të nënshkruara mes Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe homologut italian, Guido Crosetto, të cilat zgjerojnë partneritetin strategjik në siguri, industri mbrojtëse dhe mbrojtje civile. Në kuadër të Mbledhjes së parë Ndërqeveritare mes dy vendeve, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit në sektorin e mbrojtjes, që përfshin trajnime të përbashkëta, siguri detare dhe gatishmëri operacionale. Po ashtu, u nënshkrua marrëveshja teknike për transferimin e dy motovedetave patrulluese italiane për Rojën Bregdetare Shqiptare, duke rritur kapacitetet e vendit në monitorimin e hapësirës detare dhe operacionet e kërkim-shpëtimit në Adriatik dhe Jon.

Bashkëpunimi u zgjerua edhe në industrinë e mbrojtjes, ku marrëveshjet e kompanisë shtetërore KAYO me “Leonardo” dhe “Fincantieri” hapin rrugën për përdorimin e teknologjive të avancuara për municione, zhvillimin e sistemeve të komandim-kontrollit, mirëmbajtjen e flotës detare dhe prodhimin e mjeteve të reja për nevoja vendase dhe ndërkombëtare.

Forcimi i qëndrueshmërisë dhe kapaciteteve të mbrojtjes civile të Shqipërisë ishte një nga shtyllat kryesore të mbledhjes, ku u nënshkruan dy instrumente financiare të rëndësishme: kredia prej 30 milionë eurosh, e dedikuar për pajisje, trajnim dhe modernizim operacional, si dhe granti prej 5 milionë eurosh, i fokusuar në reagimin e shpejtë dhe reduktimin e rrezikut. Këto nisma plotësohen nga nënshkrimi i memorandumit dhe deklaratës trepalëshe mes AKMC, AICS Tiranë dhe Agjencisë Italiane të Mbrojtjes Civile, për garantimin e sinergjive në projektet aktuale dhe të ardhshme në fushën e mbrojtjes dhe emergjencave civile.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, nënshkroi me Administratorin e Deleguar të Cassa Depositi e Prestiti (CDP), Dario Scannapieco, Memorandumin e Mirëkuptimit, një instrument që synon të zgjerojë fushat e bashkëpunimit financiar dhe të nxisë partneritetin mes ndërmarrjeve private shqiptare dhe atyre italiane.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit mes Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe SIMEST S.p.A., me synim mbështetjen e biznesit shqiptar në ndërkombëtarizim, inovacion dhe digjitalizim. Ministrja Delina Ibrahimaj theksoi rolin e SIMEST dhe CDP në zgjerimin e mundësive të financimit, kërkimit shkencor dhe inovacionit teknologjik; ndërsa marrëveshja e pensioneve Shqipëri-Itali, tashmë në fuqi, po i shërben qindra qytetarëve që kanë punuar në të dy vendet.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, nënshkroi me Ministrin italian Orazio Schillaci marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e Neonatologjisë, që përfshin një grant italian për përmirësimin e kujdesit ndaj nënës dhe fëmijës. Palët dakordësuan forcimin e bashkëpunimit për ngritjen e Rrjetit Kombëtar të Onkologjisë dhe Institutit Kombëtar të Tumoreve në Tiranë, si dhe zgjerimin e projekteve në mjekësinë bërthamore, farmaci, shëndet digjital dhe arsim universitar.

Në fushën e drejtësisë, Ministri Besfort Lamallari dhe homologu Italian, Carlo Nordio, diskutuan mbi mbështetjen italiane për ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, si edhe në projektet e rehabilitimit dhe ri-integrimit të të dënuarve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi një takim me Ministren italiane të Turizmit, Daniela Santanchè, ku u riafirmua angazhimi i përbashkët për një partneritet të qëndrueshëm dhe inovativ në sektorin e turizmit. Diskutimet u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, harmonizimin e standardeve, lehtësimin e përvojës së udhëtarëve, zhvillimin e itinerarëve kulturorë, fuqizimin e aftësive profesionale dhe zgjerimin e ofertës turistike gjatë gjithë vitit.

Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë kulturor, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit mes Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Muzeut Kombëtar të Arteve të Shekullit XXI (MAXXI) në Romë, një partneritet që do të shoqërojë rihapjen e Galerisë Kombëtare në Tiranë në vitin 2026. Projekti trevjeçar (2025-2028) do të mbështesë modernizimin institucional dhe menaxherial, formimin e profesionistëve të muzeve dhe zhvillimin e programeve të përbashkëta kulturore dhe kërkimore, duke e kthyer kulturën në një urë të fortë të dialogut dhe miqësisë shqiptaro-italiane.

Gjatë takimit mes Ministrit Gonxhja dhe Ministrit italian të Kulturës, Alessandro Giuli, u diskutua gjerësisht për forcimin e marrëdhënieve kulturore dypalëshe, nga Muzeu Italian në Shqipëri, te partneriteti me MAXXI dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, bashkëprodhimet shqiptaro-italiane, krijimi i Qendrës Kulturore Shqiptare në Itali dhe nisma për përfshirjen e “Motit të Madh të Arbëreshëve” në UNESCO.