Shqipëria dhe Italia nisin bashkëpunimin për shërbimin neonatal, Sala: Standarde evropiane në kujdesin ndaj nënës dhe fëmijës
Shqipëria dhe Italia kanë nisur zbatimin e projektit strategjik “Përmirësimi i shëndetit të nënës dhe të porsalindurit në Shqipëri – MATHERNA”, një program që synon transformimin e shërbimeve neonatale dhe të kujdesit për nënat. Projekti, i financuar me 6 milionë euro nga Qeveria Italiane dhe mbështetur teknikisht nga ASST Fatebenefratelli Sacco, përfaqëson një model të ri partneriteti me standarde të avancuara në shëndetësinë publike. Nisma vjen pas marrëveshjes së nënshkruar në Romë gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive dhe do të zbatohet në dy spitale universitare dhe tre spitale rajonale. Programi përfshin modernizimin e terapive intensive neonatale, futjen e teknologjive të reja, standardizimin e protokolleve klinike dhe forcimin e rrjetit referues kombëtar. “Përmes bashkëpunimit me Qeverinë Italiane nuk po hapim thjesht një fazë të re pune, por po përcaktojmë një standard të ri në kujdesin neonatal dhe atë maternal në Shqipëri. Ky investim do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e familjeve të reja dhe do të na afrojë më shumë me standardet e Bashkimit Evropian,” u shpreh Ministrja Sala, duke theksuar se investimi në periudhën neonatale (0–28 ditë) është vendimtar për zhvillimin dhe shëndetin afatgjatë. Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, e konsideroi shëndetësinë një prej prioriteteve kryesore të bashkëpunimit dypalësh të parashikuar në marrëveshjen G2G. Ai theksoi se Rajoni i Lombardisë dhe ASST Fatebenefratelli Sacco sjellin në Shqipëri burime, ekspertizë klinike dhe praktika të avancuara të menaxhimit spitalor. Ndërsa drejtoresha e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) në Tiranë, Letizia Fischioni, kujtoi traditën mbi 30-vjeçare të bashkëpunimit italian në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e ndërhyrjeve në investimet infrastrukturore, zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. Drejtoresha e Përgjithshme e ASST Fatebenefratelli Sacco, Maria Grazia Colombo, u shpreh se është një nder për institucionin që është përzgjedhur nga Assessorato al Welfare i Rajonit të Lombardisë, si institucioni udhëheqës i projektit të Shëndetit Materno-Fëmijor në Shqipëri. Projekti MATHERNA është në përputhje me prioritetet e Strategjisë Kombëtare të Shëndetit dhe me objektivat reformuese të Qeverisë Shqiptare, që synojnë uljen e mortalitetit neonatal dhe maternal në nivelet e vendeve të Bashkimit Evropian.