Shqipëria dhe Izraeli nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, ministri Hoxha: Zgjerojmë partneritetin në sektorë strategjikë
Shqipëria dhe Izraeli nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë të ministrit të Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e cilësoi marrëveshjen një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e partneritetit mes dy vendeve.
Marrëveshja krijon një mekanizëm të strukturuar për zgjerimin e bashkëpunimit në ekonomi dhe tregti, inovacion, teknologji, bujqësi, menaxhimin e ujërave, energji, shëndetësi, arsim, siguri, turizëm dhe kulturë.
Gjatë deklaratës së përbashkët për mediat, ministri Hoxha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, veçanërisht në mbrojtjen kibernetike, duke vlerësuar mbështetjen e Izraelit pas sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë në vitin 2022. Ai nënvizoi gjithashtu interesin në rritje të bizneseve dhe investitorëve izraelitë për Shqipërinë, kryesisht në infrastrukturë, agrobiznes, teknologji, inovacion, energji dhe shëndetësi.
Ministri Hoxha vlerësoi gjithashtu rolin e turizmit në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke theksuar se rritja e tij gjatë viteve të fundit ka krijuar mundësi të reja për shkëmbime dhe afrimin e mëtejshëm të dy popujve.
Në fokus të bisedimeve ishin edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme. Ministri Hoxha rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për një paqe të qëndrueshme në rajon, duke theksuar anëtarësimin e vendit si themelues në Bordin e Paqes dhe vendimin për të kontribuar në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza. Ai dënoi gjithashtu veprimtaritë destabilizuese të Iranit dhe grupeve të lidhura me të.
Dy ministrat diskutuan edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ku ministri Hoxha vlerësoi njohjen e Kosovës nga Izraeli si një kontribut në forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
Në përfundim, ministri Hoxha vuri në dukje lidhjet historike mes dy popujve dhe mbrojtjen e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Holokaustit, duke informuar homologun izraelit për avancimin e projekteve të Muzeut të Besës në Tiranë dhe Muzeut Hebraik në Vlorë, të cilat do të shërbejnë si qendra edukimi dhe kulture për ruajtjen e kujtesës historike dhe vlerësimin e kontributit të komunitetit hebre në shoqërinë shqiptare.