Shqipëria dhe Polonia nënshkruajnë marrëveshjen për sigurimet shoqërore

Në Varshavë u nënshkrua Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Polonisë, e cila garanton njohjen e ndërsjellë të kontributeve dhe mbrojtjen e të drejtave sociale për qytetarët që kanë jetuar apo punuar në të dy vendet.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, së bashku me Zëvendësministrin polak, Sebastian Gajewski dhe parashikon njohjen dhe totalizimin e periudhave të sigurimit, të drejtën për përfitimin e pensionit të pleqërisë sipas moshës ligjore, si dhe ruajtjen e të drejtave të fituara nga qytetarët në rast lëvizjeje ndërmjet dy shteteve. Sipas marrëveshjes, çdo kontribut i paguar në secilin vend do të njihet dhe asnjë periudhë pune nuk do të humbasë.

Ministrja Ibrahimaj deklaroi se marrëveshja synon të ofrojë siguri juridike dhe mbrojtje sociale për qytetarët shqiptarë dhe polakë, duke garantuar trajtim të barabartë dhe respektimin e të drejtave në sistemet respektive të sigurimeve shoqërore.

Kjo është marrëveshja e 11-të që Shqipëria lidh me vende të Bashkimit Evropian për njohjen e periudhave të pensionit dhe e 17-ta në total në fushën e sigurimeve shoqërore, duke zgjeruar rrjetin e mbrojtjes sociale për qytetarët shqiptarë jashtë vendit. Aktualisht, pesë marrëveshje të tjera janë të dakordësuara, ndërsa tre të tjera ndodhen në proces negociimi ose përgatitjeje.

Nënshkrimi i marrëveshjes konsiderohet një hap konkret në forcimin e bashkëpunimit dypalësh Shqipëri-Poloni dhe në përafrimin e mëtejshëm me standardet e Bashkimit Evropian për koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore, në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.