Programi i kodimit, është një nga nismat më ambicioze të qeverisë, në kuadër të vizionit për ndërtimin e ShqipërisëDigjitale, i cili synon të pajisë qytetarët, në veçanti të rinjtë, me aftësi të avancuara digjitale në fusha me kërkesë të lartë në tregun e punës, duke nxitur punësimin cilësor dhe transformimin teknologjik të vendit.
Në kuadër të kësaj nisme, qeveria ka subvencionuar kurse profesionale në fushën e teknologjisë dhe kodimit për të rinjtë, ku një numër i konsiderueshëm pjesëmarrësish kanë përfunduar me sukses trajnimet intensive të ofruara nga qendra të specializuara.
Për të ruajtur motivimin e tyre, për të nxitur rrjetëzimin profesional si dhe për të krijuar një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi dhe shkëmbimi idesh, u organizua sot një event i posaçëm, i cili mblodhi bashkë të rinjtë përfitues të programit, mentorët e tyre, përfaqësues nga sektori privat dhe aktorë të tjerë të ekosistemit digjital për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të përshpejtuar integrimin e të rinjve në tregun e punës.
Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në takim u shpreh se është shumë i rëndësishëm promovimi i këtyre nismave dhe informimi i të rinjve për shfrytëzimin e mundësive të tilla.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për praninë tuaj dhe faleminderit që me praninë tuaj na ndihmoni sot që ta promovojmë këtë program se është shumë e rëndësishme që sa më shumë vajza dhe djem të jenë të informuar për ekzistencën e këtij programi dhe për mundësinë e hyrjes në këtë rrugë.
Siç tha Bora ne e kemi nisur në fillim nga zero dhe pikërisht në fillim problemi ishte informimi dhe sqarimi i të rinjve mbi të mirat dhe dobinë e një eksperience të tillë. Por, nuk u desh shumë kohë për të parë një bum aplikimesh dhe faktikisht kanë qenë mbi 7000 aplikime në portalin e-Albania, gjë që na ka inkurajuar që të shohim përtej këtij programi dhe të gjejmë se si të shtojmë numrin e rrugëve për të aksesuar teknologjinë duke krijuar hap pas hapi një sistem. Piramida është një pjesë e këtij sistemi po tanimë nuk është e vetmja pjesë. Kemi sot në funksion Durana Tech Park për hapësirë ndryshe nga piramida, por e nevojshme për sistemin dhe që po ashtu po na jep arsye për të qenë të inkurajuar dhe të frymëzuar për të vazhduar më tutje, kemi programin e shtrirjes së qendrave Tumo jashtë Tiranës, qendra Tumo e ka treguar qartësisht tani dobinë e saj për shumë e shumë fëmijë; kemi sistemin e laboratorëve inteligjentë nëpër shkolla, janë 340 në mos gabohem, shkolla qëkanë laboratorë inteligjentë, ku fëmijët qysh në klasën e parë fillojnë paralelisht të marrin nocionet e para të teknologjisë edhe kodimit dhe plani është që laboratorët inteligjentë të shkojnë në 1000, praktikisht të mbulohen të gjitha shkollat dhe është një plan i financuar tanimë.
Ndërkohë është drejt përfundimit një tjetër strukturë fantastike në Vlorë, në qendër të Vlorës, mbase nëse iu bie rruga mund t’i hidhni një sy për kuriozitet. Aty ku ka qenë një ngrehinë shumë e vjetër që u tentua në vitet ‘90 të bëhet një hotel turizëm dhe pastaj mbeti dhe ne atë e kemi marrë dhe të gjithë atë pikë në mes të Vlorës po e transformojmë në një infrastrukturë për të krijuar një tjetër hapësirë në funksion të këtij sistemi.
Dhe po ashtu po përpiqemi që të zgjerohemi edhe në disa qytete te tjera paralelisht dhe pa dubluar Tumon.
Këtu tek piramida për pak ditë, besoj në mesin e majit kur do të bëhet Samiti i Komunitetit Politik Evropian, është planifikuar që së bashku me presidentin e Francës të hapim dhe një tjetër strukturë, është tanimë gati. Ngjitur këtu. Është një strukturë shumë e njohur tanimë në botën e teknologjisë, një shkollë tërësisht ndryshe nga shkollat tradicionale. Quhet “Ecole 42” ku jepet mundësia të gjithëve pavarësisht moshës, pavarësisht backgroundit akademik, shkollës që kanë kryer që të konkurrojnë për të hyrë në atë shkollë dhe me një program shumë më specifik dhe inovativ, të gjithë këtyre njerëzve që janë të moshave të ndryshme, janë të background–eve të ndryshme, ju jepet çelësi për të hyrë në botën e teknologjisë dhe faktikisht ka rezultuar janë eksperiencë e jashtëzakonshme pasi i ka dhënë mundësi shumë njerëzve te mbetur në kushte vulnerabiliteti për shkak të papunësisë, ose për shkak të humbjes së vendit të punës ose për shkak të mosgjetjes më vend në një profesion të caktuar qe të ndryshojnë tërësisht profil edhe të adaptohen me botën e re, gjë që në një farë mënyre është edhe rasti juaj, por për rastin tuaj nuk mund të thuhet ndryshojnë tërësisht profil se ju jeni në hapat e parë dhe praktikisht është thjeshtë një ndryshim në raport me diplomën, por të imagjinosh që edhe një 40-vjeçar, edhe një 45-vjeçar, edhe një 50-vjeçar të ketë këtë shans, edhe të mos shihet si një dinozaur, kur i afrohet sistemit të teknologjisë, është fantastike. Të gjitha këto janë si të thuash një kantier ku ne po bëjmë çmos që të ndjekim kohën dhe t’u rrimë pranë të rinjve, t’u rrimë pranë vajzave dhe djemve që kanë talent, kanë vullnet, kanë dëshirë.
Po ashtu programi i start-upeve ka dhënë rezultate inkurajuese dhe është një program që është i destinuar të zhvillohet më tutje dhe të rritet dhe nga pikëpamja e përmbajtjes së vet financiare. Nga ana tjetër dua të ndaj me ju, dy fakte të tjera; e para që ne po shohim një prurje të pazakonshme nëse mund ta quaj kështu, kompanish të huaja që duan të konsiderojnë Shqipërinë si një pikë për të vendosur operacionet e tyre, në pikërisht fushën e teknologjisë. Dhe nga ana tjetër ne jemi shumë të vetëdijshëm që paralelisht me çka bëjmë për të nxitur sipërmarrjen në këtë fushë, kemi një hendek akoma të konsiderueshëm në kërkim-zhvillim dhe duhet të japim më shumë së bashku, për të forcuar pikërisht kërkim-zhvillimin dhe për të zvogëluar hendekun që ka sot midis universitetit dh tregut dhe faktikisht midis kërkimit shkencor abstrakt po themi, për të përdorur një fjalë në funksion të konceptit që shumë energji edhe shumë kohë konsumohet për faktikisht, kërkimet shkencore që pastaj mbeten në vetvete dhe nuk krijojnë vlerë të shtuar. E dimë shumë mirë se si funksionon në vendet që janë pararojë dhe sesi universiteti, kompanitë e teknologjisë së lartë, start up-et, vet institucionet që janë nëmbështetje të tyre qëndrojnë të qendërzuar rrotull një perimetriqë i lidh ato së bashku dhe faktikisht bëhen zgjatime tëkampuseve universitare.
Thënë të gjitha këto, ajo që është shumë e qartë është që numrat e individëve të përfshirë në këtë sektor po rriten me shpejtësi. Ka një bindje të përgjithshme të kompanive që fusha jonë është e pasur me talente dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe po ashtu tanimë, është kapërcyer dhe ajo faza e kostos së ulet dhe nuk është më qasja ndaj Shqipërisë, e kompanive si një vend ku mund të bëjmë disa pune ku të marrim të njëjtin produkt, por të paguajmë më pak krahun e punës. Pra forca e lirë e punës, krahu i lirë i punës nuk është më një avantazh konkurrues në mënyrën sesi e shohin veten kompanitë apo si na shohin kompanitë e huaja. Dhe ky është një zhvillim shumë kuptimplotë dhe konkurrues. Për të ardhur në fund tek pika kyçe e pagave, e të ardhurave që krijohen përmes përfshirjes në sipërmarrje ose përmes punësimit në këtë sektor që janë të ardhura sot shumë të përafërta me vende të tjera të botës dhe të Europës.
Unë përpara se të vija këtu regjistrova një podcast me një kompani që është në këtë fushë, që me ka bërë një përshtypje të jashtëzakonshme. E kam vizituar dhe kurrë nuk do ta kisha pritur që në atë kënd të një blloku shtëpish dhe banesash në Selitë do të gjeja një mjedis ku ishte si në ato filmat me gjenitë e teknologjisë. Çdo gjë dukej perfekte dhe përsosmërish në të njëjtën linjë me një kompani që mund të gjendje në SiliconValley ose mund të gjendej në një kryeqytet të madh perëndimor. 500 të reja dhe të rinj të punësuar, 2500 euro paga mesatare. Të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare, partneritete me kompani të mëdha, Virgin e të tjera, ndërkohë dhe shërbime për porte në SHBA dhe një komunitet të rinjsh shqiptarë që iu shkëlqenin sytë, madje një pjesë e tyre të kthyer, njëri i fundit i kthyer pak javë më parë nga Austria për të punuar në këtë kompani. Një realitet i krijuar nga një dhomë nga një kuzhinë tek Komuna e Parisit me tre vetë pastaj i kthyer në një realitet që nuk ka absolutisht asgjë mangët nga realitete e ekselencës së kësaj fushe dhe jam i bindur që jo vetëm nuk është e vetmja kompani dhe nuk është i vetmi rast por jam i bindur që ka më shumë sesa gishtërinjtë e duarve sot kompani të tilla në Shqipëri ku hyn dhe se kemi atë shprehjen ne “je si jashtë shtetit”, gjë që flet qartë për sesa shumë këto kompani dhe sa shumë këto sipërmarrje dhe këta sipërmarrës në këtë fushë janë projektuar në të ardhmen dhe sesa na ndihmojnë të gjithëve ne për të parë dhe për të kuptuar se e ardhmja europiane e jona është këtu dhe mjafton që ne ta duam, ta kërkojmë dhe të dimë si ta kërkojmë dhe mund ta bëjmë të sotme, pa diskutim.
Edhe një herë shumë faleminderit se gjëja kryesore sot për ne është që falë jush dhe me ju si dëshmitarë këtu t’i tregojmë dhe vajzave dhe djemve të tjerë që mos të ngurojnë të përfshihen në programet e kodimit, të mos ngurojnë të aplikojnë. Ju besoj e keni parë që i gjithë procesi ka qenë tërësisht i hapur, transparent. Nuk besoj se keni përdorur kushërinj për të hyrë nëpër kurse, nuk ma ha mendja dhe në një fare mënyre sot me kohën që po shpenzoni me ne, po ndihmoni dhe bashkëmoshatarë, vajza dhe djem dhe pak më të rinj se ju që të shikojnë se kjo rrugë është e hapur, është një rrugë që funksionon dhe në fund mbasi mbaron kurse të tilla je dikush tjetër nga pikëpamja e kapaciteteve të tua dhe nga pikëpamja e asaj që ti mund t’i ofrosh tregut të punës.
Shumë faleminderit, shumë suksese. Se më e bukura e kësaj fushës tuaj është që sot mund të jesh një anonim atje në fund, që sapo ke mbaruar një kurs dhe dëgjon një sipërmarrës që është në një majë të ngjitjes së tij dhe nesër sipërmarrësi është po aty kurse ti ke treguar sesi krijove diçka që nuk është mbresëlënëse e vetëm për vendin, por mund të jetë mbresëlënëse për gjithë botën.
Kështu që nuk ka këtu fare rëndësi, gjeografia, statusi, nuk ka rëndësi asgjë dhe për më tepër fakti që shumë vajza dhe djem në Shqipëri dhe individualisht përfshirë në kompani, por dhe individualisht me një kompjuter punojnë në të njëjtën kohë për kompani të ndryshme, në kontinente të ndryshme pa lëvizur nga vendi, pa lëvizur nga shtëpia dhe mbajnë familjen ndërkohë që për veten s’ka mbaruar akoma gjimnazin dhe universitetin është një tregues i kësaj bote që po ndryshon me shpejtësi të madhe dhe ne do bëjmë çmos që të mos e humbim fare nga sytë këtë botë që vrapon me shpejtësi marramendëse.
Shumë faleminderit!