Shqipëria mbyll kapitullin e katërt të negociatave me BE-në, ministri irlandez Byrne: Progres i qëndrueshëm drejt anëtarësimit

Shqipëria ka mbyllur përkohësisht një tjetër kapitull të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e çuar në katër numrin e kapitujve të mbyllur. Në Konferencën e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, të zhvilluar në Luksemburg, u formalizua mbyllja e Kapitullit 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, që lidhet me zhvillimin e sipërmarrjes, mbështetjen e bizneseve, inovacionin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe Kryeministrin Edi Rama, Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen i Irlandës, Thomas Byrne, që përfaqëson Presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit.

Ministri Byrne rikujtoi se, pas përmbushjes së piketave të ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit për kapitujt 23 dhe 24 në muajin maj, Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë negociues në korrik, ndërsa mbyllja e Kapitullit 20 dëshmon vijimësinë e reformave dhe angazhimin e vendit për anëtarësimin në BE.

Ai inkurajoi Shqipërinë të ruajë ritmin e reformave dhe të vijojë zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian, duke nënvizuar se raporti i vitit 2026 do të shërbejë për të vlerësuar arritjet dhe për të identifikuar fushat ku nevojitet progres i mëtejshëm.

Sipas tij, zbatimi i reformave jo vetëm përafron vendet kandidate me standardet e Bashkimit Evropian, por kontribuon edhe në transformimin e institucioneve, ekonomisë dhe shoqërisë.

Në përfundim, ai shprehu angazhimin e Presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së për të avancuar më tej procesin e negociatave me Shqipërinë, duke synuar mbylljen e kapitujve të tjerë gjatë mandatit të saj.