Shqipëria me hapa të shpejtë drejt modernizimit të administratës publike përmes inteligjencës artificiale (AI) - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Shqipëria me hapa të shpejtë drejt modernizimit të administratës publike përmes inteligjencës artificiale (AI)

Shqipëria është aktualisht në rrugëtimin e një prej transformimeve më të thella institucionale të dekadave të fundit, atë të digjitalizimit të plotë të administratës publike dhe të shërbimeve për qytetarët, një reformë rrënjësore që ka prekur çdo shtresë të sistemit shtetëror.

Për të bërë një bilanc të arritjeve në këtë fushë, në një kohë kur më shumë se 95 % e shërbimeve publike janë online,aksesueshme nga çdo pajisje dhe nga çdo vend e kur platformae-albania është bërë porta hyrëse në shërbimet e shtetit, – u zhvillua sot një takim me drejtues institucionesh, partnerëndërkombëtare, përfaqësues të trupit diplomatik, etj, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, Ministri për Ekonominë, Kulturën & Inovacionin Blendi Gonxhja, dhe Drejtuesja eAKSHI-t Linda Karçanaj.

Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë nga AKSHI, institucioni lider në këtë rrugëtim dhe theksoi se Shqipëria “është vendi i parë që përdor AI për të bërë negociata me BE dhe falë inteligjencës artificiale, transferimi i gjithë trupit ligjor të BE Acquis Communautaire që është mbi çerek milionë faqe, kryhet me një shpejtësi marramendëse.”

* * *

Përshëndetje të gjithëve, është vërtetë shumë krenari sa herë që na jepet mundësia të qëndrojmë për një moment dhe të shohim rrugën që kemi bëre dhe që bëjmë vazhdimisht drejtë një transformimi historik të bazuar tek teknologjia.

Ajo që ka ndodhur në dekadën e fundit është e jashtëzakonshme dhe kjo është kaq e vërtetë, saqë Shqipëria konsiderohet si një vend lider në rajon përsa i përket digjitalizimit të shërbimeve publike dhe në çdo klasifikim europian, ne jemi mbi mesin e klasifikimit, çka duke pasur parasysh se nga çfarë humnere e nisëm ngjitjen, e bën dhe më spektakolar këtë transformim.

Një transformim që pa diskutim ka në radhë të parë emrin e drejtueses së AKSH-it, Linda Karçanajt, e cila ka udhëhequr qysh në ditën 1, kur faktikisht AKSHI ishte një agjenci fantazmë dhe kur platforma, që sot jep 95% apo më shumë të shërbimeve drejtpërdrejtë online, jepte një grusht simbolik dhe qesharak shërbimesh dhe ka arritur të krijojë një skuadër, që sot është me të vërtetë një skuadër që i shërben shtetit, por ama është lider në treg përsa i përket kapaciteteve të veta profesionale.

Nga ana tjetër, pa diskutim që në këtë proces nuk mund të mos vlerësoj edhe ata që Linda përmendi sepse ky është një proces që kushton dhe Shqipëria tani ka filluar të krijojë kapacitete financiare të konsiderueshme, në raport me ambicien e vet, por deri para pak kohe ka qenë e domosdoshme mbështetja që fatmirësisht e kemi gjetur nga disa partnerë.

Është jo e lehtë të kthehesh mbrapa.

Ato pamje që ishin bardhë e zi dhe që sot edhe për ne që i kemi jetuar në të përditshmen tonë deri përpara një dekade duken sikur janë pamje të Luftës së Dytë Botërore, qenë një realitet shumë i zymtë, por trashëgimia e atyre pamjeve në formën e arkivave, në formën e depove, në formën e magazinave dhe të vrimave ku ishin bërë lesh e li dokumentet e shtetit është një trashëgimi, që ende peshon dhe që na e vështirëson procesin pasi digjitalizimi i plotë i atyre arkivave është një domosdoshmëri që të gjitha shërbimet të mund të merren në kohë reale siç do të merren 54 shërbime drejtpërdrejtë me vulë elektronike vetëm me një kërkesë zanore ndaj Diellës.

Ama, nga ana tjetër janë 3.3 milionë përdorues, pra faktikisht gjithë shqiptarët që janë aktiv brenda apo jashtë vendit, përdorin platformën dhe bizneset, të gjitha e përdorin platformën dhe prej vitit 2020 janë dhënë 49 milionë shërbime.

Tani, parafytyroni 49 milionë qëndrime në radhë.

49 milionë kontakte sy më sy e vesh më vesh, frymë më frymë me shtetin nëpër sportele.

49 milionë radha.

49 milionë raste ku mundësia për të dalë të stresuar nga kontakti apo dhe për të pasur ndjesinë e një dore që të futet në pantallona për të kërkuar lekë është një mundësi reale.

Të gjitha këto të eliminuara.

Të eliminuara bashkë me mortjen e korrupsionit endemik që ishte një mortje që e persekutonte Shqipërinë në do sportele, në çdo hap.

Nuk ekziston më!

Ne kemi bërë një audit ndërkombëtar të platformës për të kuptuar deri në fund se çfarë ka prodhuar ky transformim.

620 milionë euro të kursyera për qytetarët dhe bizneset vetëm nga ky transformim, vetëm nga asgjësimi i radhëve, vetëm nga kursimi i kohës.

1 miliardë kilometra rrugë, 1 miliardë kilometra rrugëtim vajtja-ardhje njerëzish për të marrë dokumentet ose se kjo më pëlqen, na i kanë vënë përpara si një shembull auditorët, 25 mijë xhiro rreth tokës.

Ata që jetojnë jashtë kanë kursyer 57 milionë euro nga fakti që mund ti marrin shërbimet nëpërmjet platformës dhe më e rëndësishme akoma, ata që jetojnë jashtë mund ti marrin njësoj shërbimet, si ata që jetojnë brenda pa pasur nevojë të presin ditën që do vijnë në Shqipëri për të shkuar në radhë, për të shkruar tek sporteli dhe për të bërë pjesëmarrësin në ato skenat e tmerrshme duhet akoma ti mbani mend, të sezoneve të verës, ku në mes të vapës dyndeshin njerëzit nëpër sportele për të marrë shërbime dhe bëhej një llahtar sikur ishin refugjatë në ndonjë kamp lufte që prisnin, që luftonin mbrapa kamionit të ushqimeve.

Por ajo që është e rëndësishme sot të thuhet është çfarë po bëjmë aktualisht dhe çfarë do kemi në dispozicion vitet që vijnë.

Tanimë AKSH ka marrë dhe flamurin e inteligjencës artificiale. Fati e desh që një ndër krijuesit e Open E dhe Chat Gpt të ishte shqiptare Mira Murati me të cilën ne jemi lidhur qysh në javën e parë pasi doli Chat Gpt dhe morëm vesh ekzistencën e saj dhe sot falë bashkëpunimit me Mirën dhe skuadrës së vet dhe punës së AKSH negociatat me BE bëhen me inteligjencës artificiale.

Është vendi i parë që përdor inteligjencën artificiale për të bërë negociata me BE dhe falë inteligjencës artificiale transferimi igjithë trupit ligjor të BE acquis communautaire që është mbi çerek milionë faqe, kryhet me një shpejtësi marramendëse.

Vetëm për të bërë këtë proces, Kroacisë që ka shkëlqyer me integrimin Europian i janë dashur 7 vjet. Ne do ta mbyllim të gjithë procesin brenda afatit që kemi dakordësuar me Komisionin Europian, 2027 dhe po të shikoni fluksin e informacionit që vjen në kohë reale nga modeli i Inteligjencës Artificiale i cili bëhet gjithmonë e më i mençur dhe sot faktikisht, nëse e nisëm me një përpikmëri 90%, sot e kemi përpikërinë 99% në transferimin e bazën ligjore të BE-së në gjuhën shqipe por jo vetëm kaq por dhe në disa procese të tjera që bën modeli siç është komplementariteti me legjislacionin ekzistues, mbivendosjet etj, është vërtetë spektakolare dhe përtej kësaj, ne kemi futur tani Inteligjencën Artificiale në Ministrinë e Drejtësisë si një nga ata detektorët që shikojnë nëntokën për tu futur në të gjitha shtresat e nëntokës së legjislacionit shqiptar dhe për të identifikuar të gjitha mbivendosjet që në vite janë bërë duke bërë ligje të reja që nuk kanë marrë në konsideratë ligjet e vjetra dhe për të pastruar të gjithë legjislacionin tonë nga pengesat që krijohen pasi çfarë të jep një ligj, nuk ta jep një ligj tjetër. Sipas një ligji ty të takon kjo, të del një tjetër që thotë “Jo, prit se ligji jonë, pra ligji i një ministrie tjetër nuk të lejon”.

Të gjitha këto ne po i shohim edhe modeli është duke u trajnuar dhe besojmë që në 2 vitet e ardhshme do kemi një pastrim që nuk e ka bërë asnjë vend nga këta mesdhetarët se gjermanët dhe Europa e veriut nuk kanë shumë nga këto mbivendosjet sepse kanë pak ligje dhe kanë shumë rregull. Këtej nga poshtë ka më shumë ligje dhe më pak rregull, ku hyjmë edhe ne, kuptohet.

Tjetra që ne po bëjmë, e tha Linda, është modeli i Inteligjencës Artificiale për Prokurimet Publike. Sot fakti është, bazuar në raportin e SIGMA-s që është instrumenti i Bashkimit Europianpër të monitoruar një sërë aspektesh të qeverisjes ku përfshihen dhe prokurimet publike, ne jemi lider në rajon për prokurimet publike. Në legjislacionin e prokurimeve publike, ne jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi piketa të ndërmjetme dhe që Bashkimi Europian e konsideron gati ndërsa në implementim dhe në integritetin e prokurimeve publike, ne kemi arritur të jemi jo vetëm të parët në rajon, por të jemi me diferencë nga i dyti. Nga 100 pikë të mundshme, Shqipëria ka marrë 80 pikë, por ne jemi ambiciozë, duam të shkojmë më tutje dhe duam që të zhvillojmë prokurimet me Inteligjencën Artificiale ku pjesëmarrja e njeriut të zvogëlohet në rolin e mbikëqyrësit dhe proceset të ndërtohen nga modeli i Inteligjencës Artificiale, duke filluar që nga termat e referencës, aty ku në fakt fillon problematika e cenimit të integritetit të garës.

Nuk e di a e keni dëgjuar ndonjëherë atë rastin kur u bënë termat e referencës për një rrugë dhe u vendos si kriter që kompania të ketë eksperiencë edhe në sisteme audio. Kuptohet që qëllimi ishte që t’i jepej një kompanie të caktuar dhe pastaj kur u pyetën “Çne audio për rrugën?” , “Sepse janë dhe zogjtë që nuk duhet të shqetësohen nga zhurmat!”.

Pra, të gjitha këto, modeli, duke pasur parasysh që ne e kemi ndërtuar një sistem të bazuar tek njeriu që termat e referencës duhet të filtrohen nga Agjencia e Prokurimit Publik dhe kjo e ka ulur në mënyrë të ndjeshme arbitraritetin në termat e referencës, gjë që na ka rritur shumë në raport me vendet e tjera të rajonit,por këtë tani do ta përdorim si bazë për trajnimin e modelit të Inteligjencës Artificiale.

Tjetra është sektori i të ardhurave në tatime dhe dogana. Fiskalizimi ka qenë një hap i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm dhe i paplotë pa hapin që tani po hedhim me Inteligjencën Artificiale në analizën në kohë marramendëse për nga shpejtësia të gjitha transaksioneve dhe në identifikimin e problematikave me transaksionet që do të thotë një Inspektorat i Taksave tërësisht i padukshëm dhe një Inspektoriat i Taksave që nuk të vjen të trokasë tek dera dhe nuk paraqitet me shëmbëlltyra nganjëherë të rrezikshme për ekuilibrin emocional të personit. Në një kohë shumë të shpejtë, brenda këtij viti, ky model do jetë funksional dhe modulet e tij do të zhvillohen në vazhdimësi kështu që do të kemi një pamje në kohë reale siç kemi ekranin këtu të gjitha transaksioneve që ndodhin në Republikën e Shqipërisë të gjitha kompanive dhe me sinjale njësoj siç sinjalizohen inspektorët realë të këtij syri inteligjent mbi gjithë Shqipërinë për të na thënë se ku po bëhet një lojë me të ardhurat që i takojnë shtetit.

Elementi tjetër është kontrolli mbi territorin. Ne kemi 2 aspekte; njëri aspekt është monitorimi i territorit, aspekti tjetër është përshpejtimi dhe integriteti i procesit të legalizimeve që ka mbetur në pjesën e vet të fundit. Kemi kryer 1270 mijë legalizime, janë dhe 60 mijë të tjera në proces dhe këtu dua të sjell në vëmendje që kemi tanimë një agjenci tjetër që është ASIG-u, një agjenci që falë edhe aty lidershipit të një gruaje, Vilma Tomcës, progresi është shumë i ndjeshëm dhe pritshmëria jonë është shumë e lartë. Tanimë janë në funksion dronëinteligjentë, janë në funksion sisteme satelitore të marrjes së informacionit gjeo-hapësinor dhe me veprimin e mëtejshëm me AKSHI-n dhe me futjen Inteligjencës Artificiale dhe në këtë fushë, ne do të kemi praktikisht një kontroll absolut mbi territorin i cili do të përfitojë edhe nga qyteti, nga programi i qyteteve të zgjuar që do të zbatohet nga Shqipëria në vitin ku jemi do të fillojë zbatimi me sistemin e kamerave inteligjente në të gjitha rrugët, në të gjithë, do të fillojë me qendrat e qarqeve, në shkolla të mesme dhe do të grumbullojë informacion të pafundëm kështu që edhe këtu, falë Inteligjencës Artificiale do të mund të largojmë përfundimisht policët nga rrugët dhe policia do të organizohet si në çdo vend tjetër, e gatshme për të ndërhyrë kur është nevoja për të, por jo në kërkim të fajtorëve kur fajtorët nuk janë evidentë.

Më në fund do të arrijmë edhe në momentin kur shkeljet e rregullave të qarkullimit, shkeljet e shpejtësisë do të konstatohen në kohë reale dhe në kohë reale do të vijë fotografia jote duke buzëqeshur teksa nga adrenalina e rritur je duke ecur më shpejt se ç’duhet me një këshillë që të ulësh shpejtësinë dhe me një informacion se ku duhet të paraqitesh dhe kur për të paguar gjobën, me fotografinë.

Për të mos u zgjatur më tutje me arsimin, me shëndetësinë etj, dua ta mbyll me atë që Linda përmendi, përveç pasaportës evropiane që është ajo çka ne synojmë përmes anëtarësimit në BE, ne jemi duke punuar për kartën elektronike të identitetit, që faktikisht është e gjitha sipas standardeve dhe parametrave të përcaktuara nga BE për ID elektronike që BE do të fusë në funksion, nuk e ka akoma por parametrat janë të njohur. Ne i kemi marrë parametrat dhe jemi duke punuar për ID elektronike evropian, që do të shërbejë fillimisht si kartë identiteti këtu në Shqipëri bashkë me gjithë ato të dhëna që Linda përmendi dhe për informacionin tuaj dhe të gjithëve, sepse të gjithë besoj e dinë, e mbajnë mend që ne jemi sulmuar  egërsisht nga Irani në një përpjekjeje për të na fshirë komplet, gjithçka që kemi ndërtuar në këto 10 vjet, pra për ta “bombarduar” edhe për ta asgjësuar të gjithë këtë infrastrukturë. Dhe kemi qenë në fije të perit. Irani nuk është një “haker” i lehtë, është një nga fuqitë më të mëdha të terrorit digjital. E kemi zmbrapsur sulmin pa dëme të mëdha dhe dua t’ju informoj që vitin e kaluar kemi pasur 42 sulme serioze dhe 1 vit përpara, në 2023 kemi pasur 63 sulme serioze. Ju nuk dini asgjë për këto, askush nuk di asgjë për këto, për një arsye shumë të thjeshtë, se sulmet që sprapsen nuk bëjnë lajm, por këtu hyn dhe faktori i tretë i këtij revolucioni që është AKSK-un- agjencia e re që ne kemi ndërtuar për mbrojtjen kibernetike, dhe në këtë rast nuk është një grua, është një burrë në krye, Igli, qëllojnë dhe burrat ndonjëherë që janë të mbarë. Igli ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe bashkëpunimi mes AKSK-t dhe AKSHI-t është absolutisht baza e këtij suksesi, që na ka dhënë mundësinë dhe sot ta themi me plot gojën, që pavarësisht se këtu është diçka më e fshehtë, nuk mund të bëjmë ekspozita me armët që kemi në dispozicion, por mund ta themi me plot gojën që kemi një nga fuqitë mbrojtëse kibernetike më të avancuara në Evropë dhe pa kostot marramendëse të disa më të pasurve që i kanë mundësitë të shpenzojnë më shumë, duke përdorur inteligjencën dhe eksperiencën e njerëzve, talentet shqiptare që falë edh shpërblimeve si të tregut që iu kemi vënë ne dispozicion, i kemi mbledhur në këto të 3 kompani, do mbledhim dhe më shumë dhe realisht, asnjëherë mos thuaj kurrë sepse ndërkohë edh e forcat malinje përforcohen e sofistikohendhe kjo është luftë, një luftë e përditshme. Këtu flasim për 42 sulme të forta, nuk flasim për ato ngacmimet që janë të përditshme ose për 63 më parë që kanë qenë pjesa dërrmuese nga i njëjti aktor, por i kemi zmbrapsur me shumë sukses dhe askush nuk është dëmtuar.

Ndërkohë që, projekti i shtrirjes së mbrojtjes në sektorin privat, vazhdon dhe unë përfitoj nga rasti t’i bëj thirrje sektorit privat të mos e nënvleftësojë rrezikun që vjen nga terroristët digjitalë. Të mos e nënvlerësojnë. Kemi ecur shumë mirë me bankat në bashkëpunim edhe duke nxitur në mënyrë të vazhdueshme nga ana jonë, por ka shumë akoma boshllëqe qe duhen mbushur me shpejtësi për të mos krijuar, mos lejuar   që armiqtë, se janë armiq, ça janë ata që sulmojnë, në këtë farë feje, të gjejnë pika të dobëta dhe të godasin duke krijuar dëme që ndonjëherë janë të pallogaritshme.

Shumë faleminderit edhe një herë të gjithëve dhe po e mbyll me një falënderim të posaçëm për Katerinën e cila është këtu. Un nuk kam qejf të falënderoj ambasadorët me thënë të drejtën se vetëm këtu në Shqipëri falënderohen ambasadoret, ka ngelur kjo. Unë e kam ulur shumë nivelin e falënderimeve ndërkohë ata, nuk e di domethëne, ata bëjnë detyrën për shtetin e tyre ndërkohë ne rrimë i falënderojmë sa herë që i shohim. Edhe ju krijomë dhe idera të çuditshme sikur ça janë. Megjithatë në këtë rast, e thashë këtë për të thënë që Katerina meriton një falënderim realisht të posaçëm sepse na ka dhënë një ndihmë të madhe për këtë fushë, duke u bërë urë e një ndërveprimi me një agjenci që është nga më të mirat në botë, nga Franca dhe me ekspertë nga më të mirët në botë. Franca sot ka marë lidershipine digjitalizimit në Evropë dhe duke krijuar një partneritet me disa projekte të posaçme që nuk ishin pjesë e kësaj bisede, por që janë pjesë shumë e rëndësishme për vitet që vijnë dhe që ne kemi shumë besim që dorë për dorë me Francën, ne do t’i realizojmë, kuptohet duke pasur parasysh që Franca është vend i ‘’varfër’’ dhe na jep mend po lekët duhet t’i gjejmë vetë.

Shumë faleminderit!

Previous Bruksel, Kryeministri Edi Rama pritet nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa