Shqipëria ka marrë sot për herë të parë në historinë e saj Presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në konferencën për shtyp kushtuar fillimit të Presidencës Shqiptare të KS, Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, prezantoi programin e punës për muajin qershor.
Ambasadori Ferit Hoxha u shpreh se programi i punës, i cili ka marrë mbështetjen e plotë të të gjithë anëtarëve të Këshillit, mbështetet në respektimin e së drejtës ndërkombëtare, forcimin e llogaridhënies, avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë, marrëdhëniet e OKB-së me organizatat rajonale etj.
“Duhet të bëjmë më shumë, më mirë dhe më shpejt, për të gjithë ne, për atë që ne mbrojmë, për atë që na bashkon, për të mbështetur ligjin, për të mbrojtur Kartën e OKB-së, për të ruajtur multilateralizmin. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’u përkushtuar ndaj normave dhe vlerave tona thelbësore dhe të dyfishojmë përpjekjet tona për të zbatuar pajtueshmërinë dhe për të ndaluar shkeljet”, u shpreh ai.
Presidenca Shqiptare nis me një Debat të Hapur të nivelit të lartë mbi “Forcimin e Llogaridhënies dhe Drejtësisë për Shkeljet e Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare” nën pikën e rendit të ditës Ruajtja e Paqes dhe Sigurisë. Debati i Hapur do të zhvillohet nesër më datë 2 qershor dhe do të drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.