Shqipëria në Asamblenë e UN Tourism, Riad: Fokus tek Inteligjenca Artificiale në turizëm

Shqipëria ka vënë në fokus përdorimin e Inteligjencës Artificiale në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të UN Tourism që po mbahet në Riad. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ishte një nga 31 folësit e përzgjedhur mes përfaqësuesve të 160 vendeve pjesëmarrëse.

Vitin e shkuar, Shqipëria miratoi Strategjinë e Specializimit Inteligjent (S3) 2025-2030, e cila e identifikon turizmin e qëndrueshëm dhe të diversifikuar si një nga fushat prioritare të zhvillimit dhe inovacionit. Në këtë kuadër, për periudhën 2025-2027 janë planifikuar disa programe prioritare, përfshirë pilotimin e 2-3 qendrave inteligjente kulturore dhe natyrore me bileta të unifikuara dhe rrugë tematike, krijimin e një “Rrjeti Kombëtar të Agroturizmit dhe Gastronomisë Lokale”, zhvillimin e iniciativave në fushën e turizmit shëndetësor dhe mirëqenies, si dhe zbatimin e skemave për hotelet dhe organizatat e menaxhimit të destinacioneve (DMO) me standarde të gjelbra.

Në fjalën e tij, ministri Gonxhja theksoi se teknologjia dhe inteligjenca artificiale po mundësojnë kalimin nga modeli i turizmit masiv drejt turizmit cilësor, duke lehtësuar menaxhimin e të dhënave, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si dhe optimizimin e shërbimeve dhe industrisë. Ai u ndal edhe te baza dixhitale që Shqipëria ka ndërtuar përmes platformës e-Albania, e cila standardizon ofrimin e shërbimeve publike dhe rrit transparencën institucionale.

Gonxhja theksoi se prioritet i politikave kombëtare është zgjatja e sezonit turistik dhe diversifikimi i ofertës përtej zonave bregdetare, duke fuqizuar zonat rurale dhe komunitetet lokale. Ai përmendi gjithashtu miratimin e Standardeve Ndërkombëtare të Qëndrueshmërisë (GSTC) dhe zhvillimin e destinacioneve “inteligjente”, të përditësuara nga të dhëna në kohë reale për të menaxhuar flukset e vizitorëve dhe për të ruajtur burimet natyrore.

Vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimit të kapaciteteve njerëzore në sektor, përmes programeve të trajnimit për profesionistët e mikpritjes, artizanët dhe punonjësit e kulturës, duke përdorur teknologjinë si mjet për rritjen e cilësisë dhe inovacionit.

Në mbyllje, ministri falenderoi Mbretërinë e Arabisë Saudite për mikpritjen dhe riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë për “Deklaratën e Riad” për të ardhmen e turizmit.