Shqipëria në COP31, ministri Jaupaj: Për herë të parë me pavijon të dedikuar, në fokus klima dhe bashkëpunimi ndërkombëtar

Shqipëria do të marrë pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, COP31, në Antalia të Turqisë, ku për herë të parë do të prezantohet me një pavijon të dedikuar për promovimin e politikave, nismave dhe angazhimeve kombëtare në mbrojtje të mjedisit dhe përballimin e ndryshimeve klimatike.

Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë forum ndërkombëtar, si një mundësi për të prezantuar arritjet e vendit dhe për të forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

“Ndryshimet klimatike janë një sfidë globale që kërkon përgjegjësi dhe veprim të përbashkët. Në këtë përpjekje ndërkombëtare, Shqipëria do të shënojë një moment të veçantë me pjesëmarrjen e saj në COP31, në Antalia të Turqisë, ku për herë të parë do të prezantohet me një pavijon të dedikuar”, u shpreh ministri Jaupaj.

Pavijoni shqiptar do të shërbejë si një hapësirë për promovimin e nismave në mbrojtje të biodiversitetit, pasurive natyrore dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Ai do të bëjë bashkë përfaqësues të institucioneve publike, bizneseve, sektorit bankar dhe partnerëve ndërkombëtarë, përmes paneleve të nivelit të lartë dhe takimeve të dedikuara.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përfshirjes së të rinjve, duke krijuar mundësi që idetë dhe perspektivat e tyre të bëhen pjesë e diskutimeve për të ardhmen klimatike.

Ministri Jaupaj nënvizoi se pjesëmarrja në COP31 synon jo vetëm prezantimin e angazhimeve të Shqipërisë, por edhe krijimin e partneriteteve të reja për përballimin e sfidave mjedisore.

“Sfidat klimatike nuk njohin kufij dhe përgjigjja ndaj tyre kërkon përgjegjësi dhe veprim të përbashkët”, përfundoi ministri i Mjedisit.

Pjesëmarrja në COP31 përfaqëson një mundësi për të rritur prezencën e Shqipërisë në dialogun ndërkombëtar për klimën dhe për të nxitur bashkëpunime konkrete në funksion të mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.