Shqipëria nis zbatimin e projektit “Smart City”, Koçiu: Mbi 5 mijë kamera inteligjente në 20 qytete

Shqipëria ka nisur zbatimin e projektit “Smart City”, një sistem i integruar sigurie dhe menaxhimi urban me inteligjencë artificiale, i cili synon rritjen e sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe përmirësimin e menaxhimit të trafikut dhe emergjencave. Projekti do të shtrihet në 20 qytetet më të mëdha të vendit dhe në arteriet kryesore rrugore, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me standarde të avancuara teknologjike në këtë fushë.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi gjatë aktivitetit prezantues se “Smart City” do të lidhë kamerat inteligjente, analizën e të dhënave në kohë reale, patrullimin policor, menaxhimin e trafikut dhe reagimin ndaj emergjencave, me fokus parandalimin dhe reagimin e shpejtë.

Në kuadër të projektit parashikohet instalimi i mbi 5 mijë kamerave inteligjente në hapësira publike, rrugë dhe shkolla, si dhe rreth 3 mijë kamera trupi për efektivët e Policisë së Shtetit, me qëllim rritjen e transparencës dhe standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve. Gjithashtu, do të vendosen kamera dhe radarë inteligjentë për kontrollin e trafikut, si edhe sensorë për matjen e zhurmës në akset kryesore.

Projekti pritet të sjellë rezultate konkrete, përfshirë rritje deri në 30% të zbulueshmërisë së ngjarjeve kriminale, ulje deri në 45% të fataliteteve nga aksidentet rrugore, reduktim të kohës së kaluar në trafik me rreth 30% dhe ulje të kostove të menaxhimit të trafikut me 25%. Njëkohësisht, parashikohet ulje e ngarkesës administrative për Policinë e Shtetit me 30% dhe rritje e efikasitetit operativ.

Ministrja Koçiu theksoi se projekti i përgjigjet sfidave në rritje të sigurisë publike, përfshirë kriminalitetin e sofistikuar, sigurinë në shkolla dhe flukset e shtuara turistike në vend. Ajo vuri në dukje se, paralelisht me forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit, vendosja e teknologjisë së avancuar në shërbim të sigurisë së qytetarëve është një domosdoshmëri.

Projekti “Smart City” realizohet në partneritet me konsorciumin ndërkombëtar “Presight AI”, i cili zbaton sisteme të ngjashme në 19 shtete dhe në katër kontinente. Sipas Koçiut, ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një Shqipërie më të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane të sigurisë dhe menaxhimit urban.