Shqipëria pajiset me sistemin raketor “Javelin”, Vengu: Hap i rëndësishëm në modernizimin e Forcave të Armatosura

Shqipëria është pajisur zyrtarisht me sistemin raketor kundërtank “Javelin”, një nga sistemet më të avancuara të mbrojtjes tokësore të përdorura nga vendet anëtare të NATO-s. Furnizimi me këtë kapacitet të ri është pjesë e bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe synon forcimin e aftësive mbrojtëse, rritjen e parandalimit dhe ndërveprueshmërisë me Aleancën dhe sigurinë kombëtare.

Gjatë pritjes së dërgesës së parë në një nga bazat e Forcave të Armatosura, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se pajisja me sistemin “Javelin” përbën një hap konkret në procesin e modernizimit të ushtrisë dhe në rritjen e gatishmërisë operacionale të Forcave të Armatosura Shqiptare. Sipas tij, furnizimi është pjesë e një procesi të planifikuar, ndërsa faza e dytë e dërgesës pritet gjatë vitit 2026, me synim certifikimin e plotë të një grup-batalioni.

Ministri theksoi se ky program bashkëpunimi përfshin jo vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën, duke reflektuar rëndësinë strategjike të tij për sigurinë rajonale. Ai kujtoi se bëhet fjalë për realizimin e një kërkese të hershme të Forcave të Armatosura, e cila tashmë po konkretizohet me pajisje moderne të standardeve më të larta.

Një komponent thelbësor i këtij procesi, sipas ministrit, lidhet me trajnimin dhe aftësimin e personelit për përdorimin e sistemeve dhe teknologjive të përditësuara, si dhe me përmirësimin e infrastrukturës pritëse dhe kushteve të nevojshme për vendosjen dhe operimin e tyre. Pajisja me “Javelin” pritet të rrisë ndjeshëm efektivitetin operacional të Forcës Tokësore dhe aftësinë e saj për të përballuar kërcënime të avancuara, në përputhje me standardet e NATO-s.

Sistemi “Javelin” është një sistem raketor kundërtank i gjeneratës së fundit, i prodhuar në Shtetet e Bashkuara, i njohur për efektivitetin e lartë kundër mjeteve të blinduara dhe për përdorimin e gjerë nga ushtritë e NATO-s, përfshirë edhe në operacione reale luftarake. Shqipëria e ka porositur këtë sistem përmes mekanizmave të shitjeve ushtarake të huaja (FMS), në kuadër të strategjisë afatgjatë për modernizimin e Forcave të Armatosura, rritjen e parandalimit dhe përafrimin e plotë me kapacitetet dhe doktrinën e Aleancës Atlantike