Shqipëria prezanton strategjinë e parë kombëtare për marinat e qëndrueshme
Shqipëria mori pjesë për herë të parë në Konferencën e 5-të Ndërkombëtare për Marinat e Qëndrueshme dhe Inteligjente në Monako, nga ku prezantoi hartimin e strategjisë së parë kombëtare për zhvillimin e marinave përgjatë bregdetit shqiptar.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se strategjia e Marinave Inteligjente dhe të Qëndrueshme synon ta kthejë Shqipërinë në një nyje të rëndësishme të turizmit detar në Mesdhe, duke ndjekur përvojën e vendeve fqinje si Kroacia, Mali i Zi dhe Greqia. Projekti po zhvillohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me arkitektin italian Luca Dini dhe skuadrën e tij.
Investimet e reja në Porto Romano, Triport, si dhe marina e Durrësit dhe Vlorës që priten të hapen së shpejti, përbëjnë një bazë të rëndësishme për zbatimin e strategjisë. Vizioni afatgjatë parashikon krijimin e një infrastrukture të qëndrueshme e inovative, që do të mbështesë turizmin dhe njëkohësisht do të hapë mundësi të reja punësimi e arsimimi për të rinjtë shqiptarë në sektorin detar.
Gjatë konferencës, Shqipëria zhvilloi takime me përfaqësues qeverish dhe investitorë ndërkombëtarë të interesuar për industrinë detare, përfshirë edhe Ministren e Punëve Publike dhe Industrisë Detare të Monakos.