Shqipëria ratifikon Konventën për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, ministri Gogu: Pesë detyrime të reja për garantimin e ushtrimit të lirë dhe të pavarur të profesionit

Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi në seancë plenare Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshjen e parë ndërkombëtare me fuqi detyruese që i kushtohet posaçërisht mbrojtjes së profesionit të avokatit dhe garantimit të pavarësisë së tij.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, përmes një videomesazhi, shpjegoi pesë detyrimet kryesore që shteti shqiptar merr përsipër me ratifikimin e kësaj Konvente, të cilat synojnë forcimin e garancive ligjore dhe institucionale për ushtrimin e profesionit të avokatit.

Sipas ministrit Gogu, Konventa garanton që avokatët të ushtrojnë profesionin e tyre pa frikë dhe pa pengesa të padrejta, duke pasur akses te klientët, dokumentacioni dhe proceset gjyqësore ku ofrojnë përfaqësim ligjor. Një tjetër garanci themelore është ruajtja e konfidencialitetit të komunikimit ndërmjet avokatit dhe klientit.

Konventa parashikon gjithashtu mbrojtjen e lirisë së shprehjes së avokatëve gjatë ushtrimit të profesionit, detyrimin e institucioneve shtetërore për të hetuar seriozisht çdo rast kërcënimi apo sulmi ndaj tyre për shkak të veprimtarisë profesionale, si dhe garantimin e pavarësisë dhe vetëqeverisjes së dhomave të avokatisë.

Konventa u miratua nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në mars 2025 dhe u hap për nënshkrim më 13 maj 2025 në Luksemburg. Shqipëria e nënshkroi dokumentin në Strasburg në qershor 2026, ndërsa Qeveria miratoi projektligjin për ratifikimin e saj në korrik.

Pas ratifikimit, Ministria e Drejtësisë do të njoftojë institucionet përgjegjëse mbi detyrimet që rrjedhin nga Konventa. Brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, Ministria do t’i paraqesë Komisionit të Ligjeve një analizë të përputhshmërisë së legjislacionit shqiptar, përfshirë ligjin për avokatinë, Kodin e Procedurës Penale dhe aktet nënligjore, me standardet e përcaktuara në Konventë.

Kjo analizë do të hartohet në konsultim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, me synim identifikimin e masave të nevojshme për zbatimin e standardeve ndërkombëtare në mbrojtje të profesionit të avokatit.