“Shqipëria turistike 2030” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

“Shqipëria turistike 2030”

Fjala e Ministres Belinda Balluku gjatë konferencës “Shqipëria turistike 2030”

Përshëndetje të gjithëve!

Së pari desha të thoja që qenkemi në uniform, unë, Mirela edhe disa goca të tjera jemi veshur të gjitha me bojëqielli sot, të pakoordinuara faktikisht edhe me tapetin. Por nuk besoj se bojëqielli është ngjyra e turizmit apo jo, pasi turizmi është edhe i gjelbër tashmë, ashtu siç tha edhe kolegu ynë Blendi Gonxhe.

Turizmi nuk ka të bëjë më vetëm me detin, turizmi ka të bëjë me çdo cep të Shqipërisë. Do ta nisja fjalën time me diçka që s’e kam të shkruar këtu, por tek dëgjoja kolegët, dhe flisnin për sezonin e zgjatur, flisnin për zona të reja turistike, dua thjesht të ndaj me ju një zonë turistike që nuk do t’i kishte shkuar ndër mend askujt, Bulqiza.

Bulqiza e minierave, e historive të trishta, e halleve të mëdha, pas pak ditësh së bashku me Blendin dhe me Dritan Agollin, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ne do të prezantojmë një nga projektet më të mëdha dhe  më inovatore të turizmit shqiptar, i cili nuk ka të bëjë as me zonat malore dhe as me zonat fushore, apo ato bregdetare, por ka të bëjë me një zonë minerare e cila do të rivitalizojë dhe do të ngrejë në një nivel tjetër një aset të vjetër të ushtrisë shqiptare, të quajtur, Divizioni. Divizioni do kthehet në një nga nuklat më interesante të turizmit, pas aty ne do ndërtojmë një muze, i cili do përfshijë brenda hoteleri, do të përfshijë brenda zona të tëra argëtimi. E kemi dizenjuar që të jetë një nga paintball më të mëdhenj në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe që do të kthehet në një destinacion për të gjithë banorët e kryeqytetit që mund të shkojnë atje vetëm për 30 minuta, sepse tashmë do kenë edhe tunelin e Murrizit. Kështuqë, e nisa nga një destinacion që askush nuk mund të besonte që do kthehej në destinacion turistik. Shqipërinë e ka bekuar Zoti me aq shumë bukuri sa kudo mund të ndërtohen nukla turistike dhe ç’është ajo që është më interesante, dhe më e bukur secila ndryshe nga tjetra.

Është gjithmonë kënaqësi që të mblidhemi këtu, është gjithmonë kënaqësi që unë të jem me kolegët e mi deputetë, me kolegët e mi ministra, apo kryetarët e bashkive, me ambasadorët e nderuar, që tashmë janë pjesë e skuadrës tonë. Nuk di nëse në karrierën tuaj të gjatë diplomatike ju ka ndodhur në vende të tjera që të bëheni pjesë e një skuadre. Pra, të bëheni pjesë e skuadrës së qeverisë, e skuadrës së pushtetit vendor, e ekspertëve të huaj që vijnë këtu për të na ndihmuar dhe të kontribuoni në një vend ashtu si vetë qytetarët e këtij vendi kontribuojnë.

Ka qenë një sezon turistik për tu mbajtur mend, ne i quajmë prova gjenerale, ishte ai i vitit 2023, ky ishte një Soft Opening dhe patjetër  2025 do jetë akoma më i fuqishëm si sezon.

Megjithatë, për të mos përsëritur të gjithë numrat që Mirela i tha, dhe bëri mirë që i ndau, sepse ne mund të themi fjalë, por ato që mbeten dhe që janë të pakontestueshme, janë shifrat. Janë analizat që bëjmë pas sezonit. Dhe është e vërtetë që po mblidhemi tashmë në mes të tetorit, dhe e dini pse, sepse sezoni s’ka mbaruar akoma, mund të mblidheshim edhe në nëntor.

Zyra ime, pra Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë një nga ndërtesat ndodhet në sheshin Skënderbej, dhe për t’ju thënë të drejtën janë dy momente gjatë ditës, një kur unë duhet të dal nga zyra për të bërë takime, është plotësisht e vështirë sepse para derës së ministrisë aty ku ndodhet BunkArti ka qindra turistë të cilët vazhdojnë dhe vijnë dhe nuk kanë lidhje me sezonin veror, ata do të vijnë edhe në dimër. Dhe nga ana tjetër është kur ti je në sallat e mbledhjeve dhe je duke diskutuar, dëgjon zërin, se tashmë ciceronët janë të gjithë të pajisur me mikrofon, të cilët shpjegojnë historinë e vendit tonë, dhe ti shikon qindra njerëz të rinj në moshë apo në mosha edhe më të thyera që dëgjojnë historinë e një vendi që për ata ka qenë i paarritshëm. Fillimisht, sepse ishte i mbyllur nga komunizmi dhe më pas sepse për Shqipërinë flitej vetëm keq dhe kishin frikë të vinin. Ndërkohë që sot flukset e turistëve, padyshim janë të paparashikueshme edhe nga vetë ne.

Kur e kemi nisur vitin në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, kemi patur një sërë targetesh për të kapur nga njëra anë dhe nga ana tjetër kemi patur edhe disa parashikime të vendosura që kishin të bënin me numrin e automjeteve që do përshkonin rrugët tona të reja si Thumanë-Kashar, apo edhe tuneli i Llogarasë, dhe nga ana tjetër numrin e turistëve nga ajri që është edhe numri më i madh dhe i konsiderueshëm. Por asnjë nga këto parashikime nuk ka qenë i përafërt, pasi të gjitha janë tejkaluar me disa fish. Nga 1 janari dhe deri në 30 shtator të këtij viti, pra vetëm në 9 muaj në aeroportin ‘nënë Tereza’, janë përpunuar 8 milionë e 250 mijë pasagjerë ose 53.7% më shumë pasagjerë se në vitin 2023. Ndryshe nga të gjitha vendet ne nuk krahasohemi me pesë vjeçar, apo afatmesëm me tre vjeçarë. Krahasimet tona po t’i shikoni janë gjithmonë nga viti në vit.

Pra, kemi patur një rritje ekspansionale nga 2022 në 2023 dhe ashtu ka vazhduar edhe në 2024, 53.7 % më shumë pasagjerë në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Në të njëjtën periudhë janë përpunuar në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit 53 320 avionë, ose e thënë ndryshe 44.5% më shumë avionë krahasuar me vitin 2023. Parashikimet që kemi bërë për numrin e pasagjerëve në aeroportin e Rinasit, deri në fund të vitit janë 10.4 milionë pasagjerë, por duke parë se çfarë ka ndodhur në 9 mujorin e parë, jemi të sigurt se edhe kjo shifër e planifikuar do të tejkalohet me disa fish.

Nga ana tjetër kini parasysh që parashikojmë që ky vit të mbyllet me 69 mijë fluturime të cilat janë shpërndarë edhe gjatë vitit në mënyrë të barabartë, jo ashtu siç i kishim para vitit 2022, kur sezoni fillonte diku në fund të muajit qershor dhe mbaronte në fund të muajit gusht. Në një ditë të vetme në aeroportin e Rinasit gjatë këtij viti, kemi patur 45 100 mijë pasagjerë.

Ndërkohë që numri i destinacioneve të reja ka ndryshuar totalisht edhe brenda një viti. Nga 109 destinacione të reja që kishim nga aeroporti i Rinasit në drejtim të Europës gjatë vitit të kaluar, këtë vit kemi patur 136 destinacione të reja. Gjithë ky zhvillim me shifra entuziaste, nuk ka ardhur kaq thjesht. I gjithë ky zhvillim i infrastrukturës në vend ka ardhur i bazuar në një strategji të mirëfilltë kombëtare, të cilën e kemi shpalosur bashkë me programin qeverisës në vitin 2021 dhe me shumë krenari, unë e them gjithmonë këtë, i kemi qëndruar pikë për pikë. Jo vetëm me mënyrën se si është zhvilluar, pra projekte të dizenjuara dhe të hartuara në mënyrë të detajuar në një kohë të gjatë, të cilat janë implementuar përmes garave ndërkombëtare, por nga ana tjetër i kemi qëndruar me përpikmëri edhe kalendarit, kohës së dorëzimit të secilit projekt.

Duhet thënë gjithashtu që edhe viti 2025 do ketë një sërë risish në infrastrukturë, por ajo çka është më e rëndësishme për industrinë e turizmit është dorëzimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, duke i dhënë Shqipërisë një nga aeroportet më të mëdha në rajon, me një pistë të kategorisë E, 3.2 kilometra, ku ne aspirojmë, synojmë dhe jam e sigurtë që do ia dalim që të fillojmë dhe të kemi edhe udhëtime transoqeanike të cilat nuk do limitojnë më as numrin e turistëve të cilët sot vijnë, por vijnë përmes disa fluturimeve nga kontinentet e tjera.

Gjatë këtij viti kemi dorëzuar 44.5 km rrugë të reja, por jo rrugë nga ato të dikurshme, rrugë autostrada të kategorisë A, asgjë për t’u patur zili, apo asgjë ndryshe nga autostradat europiane.

Këtë vit, sëbashku me kryeministrin Edi Rama dhe me kolegen time Mirela Kumbaro, ne hapëm rrugën Thumanë-Kashar për përdorimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve, nga data 28 qershor, nga mbrëmja e 28 qershorit më saktë që kjo rrugë u bë e disponueshme, deri në 30 shtator në aksin Thumanë-Kashar kanë kaluar 2 milionë e 700 mijë automjete, një shifër kjo rekord edhe për autostradat e tjera të rajonit dhe jo më për Shqipërinë se si mendohej dikur.

Ndërkohë që nga tuneli i Llogarasë, duke nisur nga 5 korriku dhe deri më 30 shtator, kanë kaluar 715 198 automjete. Kështu që, këto janë shifra të pakontestueshme, janë shifra të cilat janë përgjigjja e vetme për të gjithë ata që vazhdojnë baltosin një vend i cili po lulëzon në rang botëror sa i përket industrisë së turizmit, i cili ka vëmendjen e plotë të të gjitha mediave ndërkombëtare dhe më besoni ne nuk jemi si qeveri të mirë për të lobuar, mediat e huaja që të na promovojnë vendin, jemi shumë bio në këtë fakt, i kemi lejuar atyre që të marrin nga ky vend atë çka ata duan, dhe ‘Maldivet e Europës’ nuk është një ‘nickname’ i shpikur nga qeveria, por nga mediat e huaja, apo edhe nga vetë vizitorët që po vijnë tashmë dhe po e shijojnë nga afër vendin tonë.

Gjithashtu janë bërë të disponueshme një sërë aksesh turistike, siç është ai Palas-Dhërmi apo Orikum-Dukat, që do të vazhdohet me përmirësimin e tyre apo edhe me lidhjen që do të kenë me pjesë të tjera të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, siç është tashmë lidhja e Orikum -Dukatit me tunelin e Llogarasë apo vazhdimi i rrugës së jugut, diçka që e kemi premtuar. Ndërkohë që para nesh kemi një sërë punësh për të bërë, një sërë projektesh, duke nisur nga gara ndërkombëtare e segmentit tjetër të Korridorit Blu, Milot-Balldren, një segment shumë i pritur nga e gjithë pjesa e veriut të vendit, jo vetëm për shkak të trafikut ditor të rënduar, që u zgjidh një pjesë e mirë e tij me hapjen e Thumanë-Kasharit, por edhe për faktin e zonave turistike që tashmë veriu ka.

Unë diskutoj shpesh me Benet Becin për zona që dikur qëndronin të mbyllura për muaj e muaj për energjinë elektrike në Theth, ku sigurisht nuk kemi qenë të përgatitur për atë numër vizitorësh, që sot është me të vërtetë gjithmonë e në rritje dhe nga ana tjetër nuk jemi më në gjendje që ta mbajmë të mbyllur gjatë dimrit, pasi menjëherë sapo ne morëm pajisjet e duhura për të hapur edhe borën e asaj sasie që ka qenë shumë e vështirë me pajisjet që ne dispononim, Thethi është bërë i disponueshëm për të gjithë vizitorët, shqiptarë dhe të huaj edhe gjatë periudhës së dimrit, kur bora në ato vise arrin edhe mbi 2 metra. Të gjitha këto na kanë vënë përpara një përgjegjësie të re, zona të reja turistike, krahina të cilat nuk e kanë pasur turizmin në traditë, kërkesa nga operatorë të ndryshëm dhe të gjithë këto kërkojnë investime intensive, por mbi të gjitha investime të mirëstudiuar. Sepse vetëm përmes investimeve të mirëstudiuara ne do t’ia dalim që të ofrojmë shërbime të qëndrueshme që nga ana tjetër do të jenë gjithashtu të disponueshme për një periudhë të gjatë dhe për të mos pasur ndërhyrje të herë pas hershme, që do të krijonin kosto të shtuara, por nga ana tjetër edhe kantieret gjatë periudhës apo sezoneve turistike nuk janë të këndshme në ato zona.

Një sfidë e madhe për ne ka qenë energjia elektrike gjatë vitit 2024, ofrimi i saj në mënyrë të pandërprerë, duke pasur parasysh që për një periudhë të gjatë kohe, pra jo thjesht një ditë, në javën e dytë dhe të tretë korrikut dhe më pas në javën e parë dhe të dytë të gushtit, kemi pasur konsum në nivel maksimal ose rekorde të paprekura më parë. Thjesht për t’ju dhënë një krahasim dhe për t’ju bërë që të kuptoni, nata e Vitit të Ri është nata që konsumon më shumë i gjithë grupi i abonentëve familjarë gjatë asaj periudhe dhe zakonisht ky limit shkonte deri në 22 milionë kilovat orë përditë. Ndërkohë 4 javët që unë përmenda java e dytë dhe e tretë e korrikut dhe java e parë dhe e dytë e gushtit, kanë pasur konsum të përditshëm të vazhdueshëm 28 milionë kilovat orë në ditë. Një shifër për t’ju thënë të drejtën që na ka vendosur në vështirësi, jo për shkak të sasive që duhet të ofronim, sepse ky ka qenë një vit i mirë hidrik dhe nga ana tjetër kemi bërë një optimizim të të gjitha volumeve edhe atyre të importit, por për shkak të sasisë dhe sasive të transmetimit për më tepër, duke e vënë Operatorin e Shpërndarjes, por edhe Operatorin e Transmetimit në një situatë të vështirë e cila u kalua me sukses.

Kemi akoma punë për të bërë?! Patjetër. Ka vend për përmirësim?! Sigurisht. Rëndësi ka që ne të identifikojmë të gjitha problematikat, edhe nën stresin e numrave të vizitorëve që janë siç ju thashë të paparashikueshme deri tani nga ne, por nga ana tjetër duke e vënë veten në provë dhe duke i kaluar këto prova me sukses.

1500 punonjës kanë qenë në dispozicion nga data 1 maj dhe vazhdojnë dhe sot nga Operatori i Shpërndarjes. Kudo në terren, të shpërndarë në mënyra të barabarta, por edhe të përqendruar në ato zona ku ka pasur edhe intensitet më të lartë dhe kërkesë më të lartë. Në ndërkohë që është ulur në mënyrë të ndjeshëm treguesi i ndërprerjeve elektrike në rrjet.

Nga ana tjetër përsa i përket investimeve të rëndësishme në ujësjellës-kanalizime sigurisht kemi për të shënuar disa element shumë të rëndësishëm. Janë dorëzuar dhe janë ndërtuar 8 ujësjellës të rinj dhe 6 projekte për kanalizime dhe trajtimin e ujërave të ndotura, investime të cilat do të ndikojnë në jetën e 210 mijë banorëve.

Nga ana tjetër kemi pasur një aksion intensiv, i cili unë shpresoj shumë që do të japë edhe rezultatet e para, që ka të bëjë me një akt normativ për mbrojtjen e ujërave larës. Ka qenë një proces që unë dhe Mirela e kemi pasur shumë për zemër dhe e kemi ndjekur vetë nga afër ku janë kryer 2256 inspektime dhe rreth 250 subjekte të zonës bregdetare, por edhe të zonës së Pogradecit, pra të liqenit kanë arritur që të zëvendësojnë gropat septike me impiantet e mirëfillta të përpunimit të ujërave të ndotura.

Të gjitha këto janë procese që shpesh herë vendosin edhe partnerët tanë, pra bizneset privat në një stres pozitiv, por nga ana tjetër unë dua ti falenderoj të gjithë ata që kanë treguar mirëkuptim dhe që na janë bashkuar, ndoshta edhe duke pasur vështirësi ndonjëherë, por që kanë kuptuar që pasuria më me vlerë që vendi ynë ka është padyshim natyra, bregdeti, malet, kodrat dhe gjithçka tjetër. Në rast se ne këtë nuk do ta mbronim bashkë do të humbnim produktin tonë primar të turizmit. Sigurisht që këtij produkti i shtohet e gjithë mirësia, bujaria, disponueshmëria që shqiptarët kanë për të pritur dhe për të mikëpritur mysafirët, por mbi të gjitha produkti ynë kryesor është ajo çka Zoti na ka fal, bukuritë e kësaj natyre që duhen mbrojtur me çdo kusht.

Shumë të dashur kolegë, miq. Nuk dua të zgjatem më tej, pasi kjo është dita e parë e hapjes së një jave, apo ndoshta më shumë se një javë Mirela, të gjatë të aktiviteteve dedikuar turizmit, si një periudhë për të kremtuar të gjitha arritjet gjatë këtij sezoni që unë them duhet ta përjashtojmë fjalën sezon tashmë, pasi turizmi në Shqipëri do të jetë 12 mujor.

Ju falenderoj shumë për pjesëmarrjen dhe shpresoj që të gjithë sëbashku të jemi kontributor në këtë industri të re, por kaq të rëndësishme për vendin tonë.

Faleminderit.

Previous Kumbaro: 9,7 milionë vizitorë të huaj deri në shtator, gati strategjia e Shqipërisë Turistike 2030