Shqipëria vijon pjesëmarrjen në Këshillin Ndërkombëtar të Ullirit, mbështetje për cilësinë dhe konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.

Në Kuvend u paraqit për miratim projektligji që garanton vijimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Këshillin Ndërkombëtar të Ullirit, organizata ndërkombëtare e specializuar për vajin e ullirit dhe ullinjtë e tavolinës, ku vendi ynë është anëtar prej vitit 2009.

Projektligji parashikon pranimin e vendimit të Këshillit të Anëtarëve për ndryshimin e nenit 36 të Marrëveshjes Ndërkombëtare për Vajin e Ullirit dhe Ullinjtë e Tavolinës. Sipas ndryshimit të miratuar më 24 qershor 2024, marrëveshja do të qëndrojë në fuqi deri më 31 dhjetor 2026, me mundësinë e zgjatjes për periudha të njëpasnjëshme, jo më të gjata se pesë vjet secila.

Nisma nuk krijon një angazhim të ri ndërkombëtar dhe nuk ndryshon marrëdhënien e Shqipërisë me Këshillin Ndërkombëtar të Ullirit. Ajo siguron vazhdimësinë e pjesëmarrjes së vendit në këtë organizatë, si dhe aksesin e sektorit shqiptar në standardet ndërkombëtare, informacionin teknik dhe ekonomik, ekspertizën dhe bashkëpunimin mes vendeve anëtare.

Ullishtaria dhe prodhimi i vajit të ullirit përbëjnë një aktivitet tradicional dhe një burim të rëndësishëm të ardhurash për fermerët dhe familjet shqiptare. Gjatë viteve të fundit, sektori ka njohur zhvillim të qëndrueshëm, falë investimeve në teknologjinë e përpunimit, kushtet e ruajtjes, rritjen e cilësisë dhe standardizimin e prodhimit.

Vijimi i anëtarësimit synon t’u krijojë fermerëve dhe operatorëve shqiptarë më shumë mundësi për rritjen e cilësisë dhe vlerës së prodhimit, duke e bërë vajin shqiptar të ullirit më të njohur dhe konkurrues në tregjet ndërkombëtare.

Miratimi i ndryshimit nuk sjell kosto financiare shtesë për Buxhetin e Shtetit. Shqipëria do të vijojë të paguajë vetëm kontributin vjetor ekzistues si vend anëtar, i cili mbulohet nga buxheti i miratuar i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.