Kombëtarja shqiptare e futbollit tashmë do të ketë shtëpinë e saj të re, një strukturë e shumëpritur prej vitesh, – në ambientet e kompleksit Dinamo.
Projekti për ndërtimin e zyrave të reja të Federatës shqiptare të Futbollit, ka përfunduar me sukses, duke dhuruar një qendër ekselence për futbollin në Shqipëri, në të cilën do të vendoset FSHF, por ku do të zhvillohen dhe edukimi në vazhdim i trajnerëve, apo kurse dhe aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kompleksi i ri, që në vijim do të plotësohet edhe me ambientet ku do të mikpritet kombëtarja – përfshin edhe një mini stadium me 500 vende, me të gjitha kushtet dhe parametrat moderne për të zhvilluar aktivitetet sportive. Kjo qendër plotëson fazën e dytë të Parkut Olimpik, që do të marrë formën përfundimtare me fazën e tretë, ku është parashikuar një pishinë e re, e mbyllur e mjedise të tjera.
Në ceremoninë e Inaugurimit të Shtëpisë së re të futbollit ishte sot Kryeministri Edi Rama, së bashku me Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, të cilin e mikpriti më parë, në një takim.
* * *
“I dashur Xhani, unë flas në gjuhën e dytë zyrtare në Shqipëri, që është italishtja, duke dashur të shmang gabimet në përkthim që janë goxha kur unë flas.Për të respektuar të vërtetën, shqipja nuk është gjuhë zyrtare në Zvicër, por është gjuha e parë zyrtare në kombëtaren zvicerane ku shumica e lojtarëve flasin shqip. E nëse federata zvicerane më heton për këtë, atëherë ti më ndihmon me mjetet që keni ju për të ndikuar drejtësinë.
Xhani,
Të dashur shumë miq,
I dashur Juri,
Nuk dua të bëj blasfemi, por pas tij, ti je përfaqësuesi i dytë më i rëndësishëm i një feje që është futbolli. Ne jemi shumë të kënaqur e shumë të nderuar që të mikpresim në Shqipërinë e vogël. Nuk është superfuqi, nuk është as një fuqi futbollistike, por është një fuqi e madhe e mikpritjes, e vëllazërisë dhe edhe e pasionit për këtë sport, që ne sigurisht duam ta mbështesim e ta zhvillojmë siç edhe në muzeun e kësaj shtëpie të futbollit, qeveria për të cilën Presidenti ka votuar e shumë presidentë të tjerë këtu vazhdojnë ta votojnë, me shpresën për tu rikthyer, ka bërë një hiç për futbollin, ndërkohë që gjithçka që është bërë, është bërë nga kjo qeveri. Stadiumet, shtëpia e futbollit, që ata nuk e votojnë, por nuk ka problem. Jemi mjaftueshëm të fortë që të vazhdojmë të punojmë me ta e të dëshmojmë që për ne para së gjithash, vjen dëshira e përbashkët dhe objektivi i përbashkët për ta zhvilluar këtë sport, që siç e the ti më parë kur jemi takuar, nuk është një mjet në vetvete dhe nuk është vetëm ajo çfarë shohim të gjithë në televizion apo ai që sjell pasurim e mbledh shumë nëpër stadiume por është ai që bën bashkë fëmijët nëpër fusha, në ato fusha që keni të drejtë të na kujtoni që nuk janë të mjaftueshme në Shqipëri në raport me banorët. Është ende ky një objektiv i përbashkët me Federatën, sepse po, kemi bërë stadiume por duhet të ndërtojmë më shumë fusha futbolli.
Unë e di që ti ke një palë zgjedhje, e përpara zgjedhjeve gjithmonë ka premtime. Do t’i fitosh zgjedhjet në prill dhe shpresoj që të sjellësh paratë që ke premtuar për fushat e futbollit e unë sigurisht me ministren që nëse duhet t’u besoj fjalëve të Presidentit, është çuditërisht më e afërt me problemet e me diskutimin me Federatën, ne do të jemi pas jush, ti vë milionat e tua, ne vendosim qindra, mijërat tona, e pastaj Presidenti vendos pasionin, e kështu ecim përpara. Do të bëjmë shumë fusha në të gjitha qytetet. Prindërit kanë nevojë, fëmijët kanë nevojë, kemi nevojë që të mbështetemi për të rritur nivelin e trajnimit në bazë, duke qenë se ka nevojë edhe për shumë trajnerë për të gjitha këto ekipe fëmijësh por jam i sigurt që do të arrijmë edhe aty.
Të falënderoj edhe për disponibilitetin për të na ndihmuar në finalizimin e këtij akti të fundit ligjor për bastet sportive online, siç e di dhe siç saktësisht përmende kemi një histori pak të trishtë mbi supe, me shumë lojëra fati jashtë kontrollit, me shumë para jashtë kontrollit, me shumë njerëz jo të mirë përtej këtyre lojërave. I mbyllëm, pastruam vendin po ta themi kështu, por sidoqoftë kemi mësuar që në botën e re digjitale është e pamundur të mbyllet gjithçka, do të jenë gjithnjë ata që do të jenë në gjendje të bëjnë keq kështu që kështu kuptuam që të rregullojmë, të formalizojmë, të bëjmë edhe këtë lloj loje po ta themi kështu transparente, duke ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare, është rruga më e mirë për të luftuar paligjshmërinë në këtë fushë.
Jam i sigurt që për këtë premtim nuk të kushton asgjë, mjaft të na vësh në dispozicion disa prej ekspertëve tuaj për të na dhënë dorë për këto hapa përfundimtarë të këtij akti ligjor. – u shpreh Kryeministri Rama në ceremoninë e rastit, e cila vijoi më pas me shkëmbimin e dhuratave mes mikpritësve dhe të ftuarve.