Me një vizitë në tregun e ri të produkteve bujqësore e blegtorale të Shupenzës, në Bulqizë vijoi sot turi i Kryeministrit Edi Rama në bashkitë e vendit, për të vazhduar mandej me dialogun e hapur, pjesë e dialogut mbarëkombëtar me njerëzit e punës të kësaj zone, të cilët falë skemave kombëtare mbështetëse dhe investimeve të duhura, si hapësira e re funksionale e këtij tregu, ia kanë dalë të shtojnë prodhimin dhe të përmirësojnë cilësinë e produkteve dhe tregtimit të tyre.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për këtë mikpritje të madhe! E çmoj shumë edhe shpresoj që t’ia vlejë koha që po kalojmë së bashku, t’ia vlejë për ju, për ne ka shumë vlerë sepse është shumë e rëndësishme që të komunikojmë vijimisht për punët tuaja, për punë tonë në shërbim të punëve tuaja dhe patjetër të nxjerrim dhe përfundime që na vlejnë për të vazhduar më tutje bashkërisht, por unë nuk dua të mbaj një fjalë përpara sesa t’ju jap juve mundësinë të flisni në mënyrë që të bëjmë një bashkëbisedim në vend që të përsëris gjëra që mbase edhe i keni dëgjuar më parë në televizor. Kështu që, kush dëshiron që të marrë fjalën, është i mirëseardhur dhe ju falënderoj juve për mirëseardhjen që më bëtë.
– Jam një fermer dhe kam blerë 7 dynym tokë. Kam punuar në Itali. Të njoh shumë mirë dhe e di që e mban fjalën se para 10 vitesh jemi takuar te bashkia. Unë e kam blerë tokën copa-copa, kadastër nuk ka nga ’90. Unë nuk përfitoj asnjë litër naftë. Punoj 5 dynym, i kam patate dhe më thonë që duhet të kesh kadastrën e plakut që ka vdekur ose që ka ikur në Itali dhe Greqi. Nuk merret për bazë. Të vësh pak dorë ti te kryetari i bashkisë. Unë nuk dal me fitim fare po nuk vutë dorë ju.
-Jam një blegtor, 300 kokë dhi. Kam punuar jashtë shtetit 20 vjet, subvencionet i kemi marrë dhe kërkojmë ndonjë mbështetje për stallat nëse keni mundësi.
-Jam kryetar i shoqatës se bletarëve të rrethit. Ne me bletët kemi punuar mirë edhe sipas punës që keni bërë ju. Keni bërë disa kanalizime që na keni sjellë ujë se pa ujë nuk mund të punohet. Por kemi biseduar për një problem bashkë me ministren për punën e ligjit për bletët dhe na keni fjalën që do ta bëni ligjin e bletëve. Si kryetar, më kërkohet pse nuk janë marrë disa subvencione sepse disa janë pa marrë.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për këto ndërhyrje. Së pari, do më lejoni që të përmend këtu disa të dhëna nga zona sepse është vërtetë e jashtëzakonshme puna juaj dhe janë vërtetë të jashtëzakonshme dhe të dhënat e kësaj zone për të cilën askush, përveç jush dhe nesh që e kemi për shkak të detyrës, nuk di gjë. Po të pyesësh njerëz që nuk jetojnë këtu dhe që nuk kanë lidhje fare me këtë zonë, por që e ndjekin jetën shqiptare dhe ekonominë, punën, fshatin nga televizori, me siguri do thonë që në Bulqizë ka vetëm ca skllevër që mbledhin krom nëpër kodra, sepse ky është realiteti i televizorit.
Fatkeqësisht, gjithmonë e më shumë, televizori po bëhet vendi nga ku shpërndahen gënjeshtra, sajesa, fabrikime, manipulime dhe helm.
Faktikisht, këtu në këtë zonë, ne kemi 1144 hektarë të mbjellë me drithëra, 136 hektarë të mbjellë me perime, 160 hektarë të mbjellë me patate, 34 hektarë me fasule, 6730 hektarë me foragjere të njoma, 266 hektarë me pemëtore, 35 hektarë me vreshta dhe kemi 146 754 rrënjë mollë, kumbull, dardhë, rrush, qershi, arrë e lajthi që zënë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe ku është investuar dhe po vazhdohet të investohet dhe do të vazhdojmë të investojmë.
Faktet e Shqipërisë në fshat janë komplet ndryshe nga çfarë njerëzit që nuk e jetojnë fshatin përditë dinë dhe për fat të keq, gjithë ajo që thuhet për fshatin, jo vetëm që krijon idenë që fshati është i zhytur në mjerim, nuk ka bukë për të ngrënë, nuk ka njerëz fare që punojnë, por edhe nuk inkurajon më të rinjtë që të merren me punën në fshat.
Megjithatë, kjo është koha që jetojmë dhe gjithsecili duhet të bëjë shumë kujdes se nga informohet dhe duhet të bëjë shumë kujdes se nga informohet dhe duhet të bëjë shumë kujdes që të mos keqpërdoret dhe të mos manipulohet nga keqinformimi, nga disinformimi, që për fat edhe më të keq akoma, janë dhe pjesë e mënyrës së të bërit politikë në këtë vend, ku një pjesë e atyre që merren me politikë, ju i njihni mirë, i dini mirë se nuk dua as t’i përmend emrin se është dhe mëngjes, gjithë kjo ditë e bukur dhe pse ta prishim kot, nuk pushojnë së helmuari njerëzit, nuk pushojnë së gënjyeri, së shpifuri me fjalë, me sharje, me fjalë që na largojnë nga tradita shqiptare, na largojnë nga gjithë ato doke dhe zakone që është mirë t’i respektojmë.
Përsa i përket atyre që u thanë këtu, unë besoj që kryetari i bashkisë këtu meriton realisht të përgëzohet. Meriton të përgëzohet për faktin se është ndër të paktët kryetarë bashkie, dhe këtë gjë e kemi diskutuar dhe e kam thënë edhe në takimin që kemi bërë me kryetarët e bashkive, qoftë në të parin dhe në të dytin, për të parë konkretisht të gjitha punët dhe të gjitha problemet së bashku me qeverinë sepse është një kryetar bashkie që ka kuptuar se, jo vetëm me reformën territoriale, bashkia nuk është më vetëm qyteti, por është i gjithë territori brenda perimetrit të saj, por edhe që bashkia në raport me fshatin nuk mund të jetë thjesht një autoritet që merret vetëm me rrugë, me ujësjellës, me kanalizime, me pastrim, por duhet të futet më thellë në bashkëpunimin për prodhimin, për grumbullimin dhe për shitjen e prodhimit.
Edhe ky treg edhe çfarë do shohim më tutje, edhe projekte të tjera që ka kryetari i bashkisë, janë provë e kësaj. Foli dikush këtu për stallat. Po ju them që është e gjitha në dorën tuaj dhe në dorën e bashkisë dhe në dorën e bashkëpunimit midis bashkisë dhe jush. Gjithë këto prodhime që dalin këtu mund të rriten në vlerë, mund të sjellin më shumë të ardhura nëse fillojmë bëjmë edhe agropërpunim. Nëse ato produkte që ne pamë brenda në treg, që janë të përpunuara në mënyrë artizanale dhe që janë të paketuara në mënyrë artizanale fillojnë edhe përpunohet me cilësi në pika agropërpunimi, ambalazhohen me cilësi, bëhen prodhim cilësor. Nëse prodhimet mbeten për t’u shitur individualisht, secili duke marrë prodhimin e vet, nëpër arkat e veta, duke ardhur këtu, duke shkuar në treg atje e të tjerë, kjo është një mënyrë, patjetër, dhe sjell disa të ardhura. Por, nëse bletarët bashkohen dhe me kryetarin e bashkisë bëjnë një projekt për një pikë të grumbullimit, të përpunimit, të ambalazhimit sipas llojeve të mjaltit dhe pastaj kanë një produkt, i cili është produkt autokton me vlera të mëdha ushqimore, nuk diskutohet, me cilësi të lartë, atëherë këtë produkt mund ta shesin shumë më mirë sepse mund të bëjnë kontrata me blerës të cilën marrin masë, nuk mund të dalin të mbledhin me kavanoza prodhimin.
Kryetari i bashkisë, bashkia së bashku me një grup, këtë grup bletarësh po themi, që nuk ka nevojë të mblidhen të gjithë, mjafton disa, bëjnë një projekt për një pikë të grumbullimit dhe përpunimit të mjaltit për të bërë një produkt, i cili është produkt autokton i Bulqizës. Projekti nxjerr edhe sa duhen për ta financuar, një lek e vendos secili nga blegtorët, 5 lekë i vendos bashkia, bëhen shoqëri e përbashkët dhe i drejtohen qeverisë për të përkuar mbështetje, i drejtohen fondit të Garancisë Sovrane që ka vendos qeveria që bën që këto lloj shoqërish, kur shkojnë në bankë, për të marrë kredi, nuk marrin kredi siç merr kushdo me interesa, të cilat janë barrë të kredi marrësve, por marrin kredi që janë të garantuara nga shteti.
Kështu ndërtohet një industri e lehtë ushqimore, e cila e ngre vlerën e produktit, rrit mundësitë për shitje dhe sjell shumë më tepër të ardhura. E njëjta gjë vlen për stallat, pika grumbullimi. Ne kemi ndërtuar shumë pika grumbullimi. Ka nevojë akoma për më tepër. I kemi ndërtuar duke mbështetur kërkesa të subjekteve të caktuara. Tani duhet të shkojmë në një fazë tjetër. Nuk duhet të presim që të vijë dikush nga hëna që do të thotë “hajdeni ju bletarë se po ja u mbledh unë mjaltin”. Se ky mund të vijë, po mund të mos vijë kurrë. Ne duhet të ndërtojmë këto shoqëri, biznese të përbashkëta. Një biznes është që ti e prodhon mjaltin dhe një biznes tjetër është që ti e përpunon mjaltin. Në një pikë grumbullimi dhe përpunimi. Janë dy të ndryshme dhe nuk ka asnjë lloj ngatërrese mes njërit dhe tjetrit. Secili sjell sasinë e vet dhe për sasinë që sjell, merr të ardhurat që i takojnë. Në këtë rrugë duhet të futemi dhe unë inkurajoj të gjithë të bëjnë këtë gjë. I takon kryetarëve të bashkive të bëjnë më shumë që t’i vënë në dispozicion fermerëve ekspertizën e nevojshme për të bërë projektet si duhet, për të bërë aplikimet si duhet e për të marrë fondet që janë të nevojshme. E kështu, me këto fonde ju keni garancinë që biznesi shkon përpara dhe ju nuk ngarkoheni në pikën që ta keni të pamundur financiarisht.
Pika tjetër që u ngrit e ka të bëjë me tokën. Fondet e Bashkimit Europian që ne marrim dhe kemi arritur të marrim më shumë fonde nga Bashkimi Europian sesa të gjitha vendet e rajonit sepse kemi ndryshuar komplet mënyrën e funksionimit të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural nën lidershipin e Fridës që ka meritën kryesore për këtë dhe me këto fonde, ne nuk mundet dot të financojmë subjekte që janë real dhe patjetër janë realë të cilët kanë prodhim, po nuk kanë letrat e pronësisë ashtu sikundër nga ana tjetër shpesh herë letrat e pronësisë në fshat bëhen shkak që të mos mund të financohen dhe sipërmarrje të kësaj natyre si për shembull: pikë grumbullimi, stallë.
Ajo që ne po bëjmë për të lehtësuar këtë pjesë është që të nisemi nga fakti. Nëse vjen një kërkesë për të financuar një agroturizëm, është shtëpia e babës, e gjyshit ose toka e gjyshit dhe nuk i ka letrat për arsye se nuk është bërë ndarja se ka zona sidomos në veri që nuk e kanë pranuar 7501 dhe e kanë ndarë tokën me mirëkuptim dhe nuk kanë konflikt. Ligji thotë që ndahet me 7501. Faktikisht ata e kanë tokën, e kanë pa konflikt. Fshati e njeh shumë mirë se ku mbaron toka e njërit, fillon toka e njërit, ku fillon toka e tjetrit, por nga ana tjetër nuk mundet dot të marrin letrat për këtë shkak. Zgjidhja që ne do t’i japim ndërkohë që kemi bërë dhe disa ndryshime të nevojshme për të bërë regjistrimin në këto zona, ajo që do t’i japim është që në qoftë se vjen dikush, ose vijnë disa dhe thonë këtu do të ndërtojmë një pikë grumbullimi, do bëjmë një investim X për zhvillimin bujqësor apo blegtoral, ne do t’ia regjistrojmë atë copë toke që është për këtë aktivitet, me barrën që nëse do të shfaqet një problem X në të ardhmen, këtë problem cilido që e shfaq e ka me shtetin, nuk e ka me personin. Personi e merr, e gëzon atë përgjithmonë në bazë të faktit. Po që se dikush tjetër del dhe e pretendon, me të do merret shteti, nuk merret më personi dhe kështu jemi në rregull. Kjo është mundësi teorike sepse e thashë, këto toka nuk kanë konflikte. Me mbështetjen e njësisë administrative dhe të bashkisë që e certifikon këtë fakt, që zotëria që foli e ka të punuar tokën, i ka reale prodhimet, është reale që s’ka konflikt në ato copa toke që i ka blerë nga të tjerët edhe që dihet kush janë, mund ta përfitojë atë mbështetje duke marrë regjistrimin e tokës në bazë të asaj që prodhon dhe të letrave të shitblerjeve me persona të caktuar. Kjo është zgjidhja që do na ndihmojë dhe do ta bëjmë shumë shpejt.
E fundit që kam, është nevoja për tu fokusuar te prodhimet që janë me më shumë kërkesë në treg për të mos bërë të njëjtën gjë e pastaj duke pritur një rezultat tjetër. Nëse duam një rezultat tjetër, duhet të bëjmë një gjë tjetër nëse nuk na funksionon një prodhim apo një tjetër sepse është shumë domethënëse, shikojmë në televizor kur dikush del dhe hedh mollët, qepët apo derdh qumështin dhe bërtet që shteti nuk po i gjendet. Shteti nuk është aty të blejë prodhimet se nuk jemi në atë sistem, por vetëm pak metra nga ai grupi i vogël që hedhin mollët, gjendet një tjetër grup që mollët i shet komplet në eksport dhe është i njëjti shtet, është e njëjta gjeografi, është i njëjti popull. Si shpjegohet kjo? Kjo shpjegohet me faktin që ata që i hedhin mollët, nuk duan ta pranojnë që ai varietet nuk ka treg. Ata të tjerët e kanë marrë këtë mësim, e kanë dëgjuar dhe sugjerimin e orientimin që u bën ministria e Bujqësisë, e kanë ndryshuar varietetin dhe e shesin disa fish, kjo është e para.
E dyta është bashkimi. Nëse nuk bashkohemi në shitje jemi të dobët. Kjo është shumë e thjeshtë. Jo në prodhim. Në prodhim secili bën ata që ka për të bërë te ato dynymët apo hektarët e vetë, po në shitje duhet të jemi të bashkuar. Sa më shumë të kemi për të shitur, aq më të fortë jemi kur negociojmë. Si do negociosh me një trastë që e merr nga ara dhe del te rruga për ta shitur dhe fillon bie shi, errësohet, bëhet ftohtë, bëhet vapë e duhet ta heqësh sa më shpejt. Për këtë arsye na duhen bashkimet, pikat e grumbullimit, na duhet ai sistem për të cilin fola e fatmirësisht kjo po ndodh në Shqipëri. Kudo ku po ndodhin bashkime, dhe nuk ka nevojë të bashkohen 5 mijë veta, bashkohen 50 veta, 70, 100 dhe kështu kombinojnë lojën. Përdorin të njëjtën farë, të njëjtat pesticide, të njëjtin proces dhe nxjerrin të njëjtin prodhim e secili merr atë që i takon sipas kontributit që ka dhënë.
Ishim në Elbasan ku kanë krijuar një federatë kanë krijuar një federatë të ullirit, janë bashkuar dhe 130 vetë dhe ja shohin hairin shumë më tepër sesa kur ishin të ndarë. Ata po ullinj prodhonin por duke u bërë bashkë, duke bërë atë projektin. Morën para që ndryshe tek e tek nuk ua u jepte njeri, morën para, ndërtuan pikën ku e grumbullojnë, ndërtuan edhe gjithë linjën e përpunimit dhe nxjerrin një vaj dhe marrin e fitojnë shumë më tepër dhe nuk i kanë të gjitha telashet që: unë ta prodhoj, unë ta mbledh, unë ta mbaj, pastaj ta shes tek pull. Nuk bëhet kjo tek pull.
E fundit që kam është agroturizmi. Këtu është një personazh tani i zonës i cili ka bërë një agroturizëm me investimet që tani janë vënë qoftë për Qafen e Buallit, qoftë për Planin e Bardhë të cilat faktikisht duhet të fillojnë për të rregulluar ato problemat që kanë dalë nga ato investimet e dikurshme që ishin me daulle, që hajde ta hapim një herë se pastaj të dalë ku të dalë. Do t’i rregullojmë ato dhe do t’i kemi të përfunduar gjithë pjesën e projektit përjashto tunelin e Murrizit, ku ka dalë një problem gjeologjik dhe ku ecet 1 metër në ditë sepse kështu është gjeologjia. I kanë punët publike këto, i kanë tunelet këto probleme. Ka dalë një problem gjeologjik, ecuria është më e avashtë, kështu që i kemi dhënë një kohë më shumë kompanisë që të vazhdojë të bëjë punën por avash – avash sepse nuk kemi çfarë i bëjmë, nuk luftohet me Zotin, ashtu e ka formacionin gjeologjik, por dy pjesët e tjera do të përfundojnë dhe afërsia do jetë dhe më e madhe dhe afërsia dhe më e madhe me këto prodhime, me këtë natyrë, me këtë dëshirë për punë që ka këtu, është gjynah që të mos ketë shumë më tepër pika agroturizmi, që njerëzit të vijnë, të rrinë, të shijojnë produktet dhe të paguajnë për shërbimin, për fjetjen dhe për gjithë çfarë konsumojnë këtu.
Agroturizmi është garanci për sukses në të gjitha pikat ku duket komplet e pamundur që të bësh gjë, sepse mjafton bukuria e natyrës, mjafton një truall i trashëguar nga stërgjyshërit, mjafton një investim i vogël për të rregulluar atë shtëpinë apo për të ndërtuar disa dhoma dhe pastaj vetëm sjell të ardhura. Ja ku e keni këtë. Sigurisht që për këto projekte, mbështetja e qeverisë është aty. Edhe mbështetja me fondet europiane është aty. Duhet projekti dhe vjen dhe mbështetja. Dhe përsëri nuk po flas për gjëra që do ndodhin, po flas për gjëra që po ndodhin, por duhet të ndodhin shumë më tepër. Dhe për këtë i kam kërkuar kryetarëve të bashkive që të jenë shumë më nxitës sepse është një dhuratë e madhe kjo natyrë, që duhet shfrytëzuar nga të gjitha anët. Ju e shfrytëzoni me shumë punë, me shumë djersë, me shumë mund në aspektin e prodhimit dhe këtu duhet të bëjmë hapa përpara dhe ne do mbështesim në drejtimet që fol, por duhet shfrytëzuar dhe në aspektin e bukurisë. Kjo bukuri, ky ajër, kjo natyrë do sjellin njerëzit pafund, besojeni këtë gjë sepse është duke ndodhur, por duhet të jenë shumë më tepër. Prandaj duhen hapur më shumë dyer për të pasur më shumë dhoma, më shumë shtretër dhe më shumë shërbime në mënyrë që të ketë më shumë turizëm këtu, është plotësisht e mundur.
Shumë faleminderit!