Në ambientet e repartit special RENEA u mbajt eventi për vlerësimin e punës dhe angazhimin e Policisë së Shtetit gjatë sezonit turistik, goditjen e krimit si dhe nga ministri i Brendshëm Taulant Balla u prezantuan masat e reja ligjore për rritjen e sigurisë publike.
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:
Mirëmëngjesi!
Nuk e fsheh dot gëzimin të shoh sot këtu të shëruar plotësisht dy djem të shkëlqyer, pjesëtarë të organizatës së Policisë së Shtetit, Redin Caushaj dhe Edlir Alleshi, të cilët në ushtrimin e tyre të detyrës, u plagosën rëndë duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.
Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë për ridimensionimin e qëndrimeve dhe mbështetjes për sigurinë publike, garantuesi themelor i së cilës është Policia e Shtetit.
Kush nuk i bindet urdhrit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë ZERO.
Nëse qytetari mendon se ai ka të drejtë ndërsa punonjësi i policisë e ka gabim, qytetari ka gjithë të drejtën dhe mekanizmat ta apelojë vendimin apo urdhrin e punonjësit të policisë në rrugë administrative, por çdo veprim kundërshtimi me forcë nuk duhet të tolerohet.
Kush nuk është dakord me urdhrin apo vendimin e punonjësit të policisë të marrë avokatin, por ne duhet të vendosim një standard të ri në autoritetin e punonjësit të Policisë së Shtetit.
As Ligji, as publiku dhe as Unë që të jem i qartë nuk mund të pranojmë më shtyrje, fyerje, kërcënime, kanosje, dhunë dhe rrezikim të jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit.
Ka ardhur koha që të japim shembuj të zbatimit sipas germës dhe frymës së Kodit Penal, duke vendosur një standard të ri ndaj kujtdo që ngre dorë kundër Policit dhe Shtetit. Kjo duhet të ndodhë në çdo rast, pa asnjë hezitim.
Do bëj gjithçka që një politikë/praktikë e re penale të zërë vend në këtë drejtim, duke kërkuar mbështetjen e sistemit të drejtësisë.
Kuadri ligjor është aty në Kodin Penal dhe do të përforcohen në Kodin e ri Penal, si dhe në ligjin për Policinë Shtetit.
Në të gjitha takimet që kam patur deri më tani në të gjitha drejtoritë vendore në të 12 qarqet e vendit, ju kam garantuar se meraku që më shoqëron çdo ditë lidhet me dinjitetin e punonjësit të policisë së shtetit.
Rritja e standardit të jetesës dhe përmirësimi i kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja.
Prandaj e bëmë fakt dhe kemi tashmë gati 100 banesat e para për vitin 2023, bashkë me të paktën 300 banesa të tjera gjatë 2024 dhe 500 të tjera një vit më pas, të cilat do t’u jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë së shtetit që tashmë janë në fazën e përzgjedhur bazuar në kritere të mirëpërcaktuara.
Buxheti 2024 do të na japë mundësinë të bëjmë një rritje të konsiderueshme të pagave në Policinë e Shtetit dhe gjatë vitit tjetër t’i japim një zgjidhje përfundimtare pagesës së munguar të ushqimit për çdo punonjës policie.
Sezoni Turistik
Lajmi më i bukur i këtij viti nuk është vetëm shifra 10 milionë (që presim të mbyllim deri më 31 Dhjetor) , por certifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë sonë si një destinacion europian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurueshme dhe siguri mbresëlënëse.
Sot mund ta themi me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare.
Siguria e turistëve në këtë sezon turistik historik, ishte një test i rëndësishëm pasi çertifikoi vendin tonë si një destinacion të sigurtë turistik.
Praktika e vendeve të tjera që e kanë kaluar këtë proces ka qenë rritja e njësive policore turistike për të ndihmuar dhe mbrojtur turistët, sepse policia është padyshim një pjesë e rëndësishme e imazhit të destinacionit turistik.
Gjatë këtij sezonit turistik, kanë kryer shërbim në zona turistike/plazhe mbi 1600 punonjës policie, pothuajse 1/6 e gjithë forcës sonë të disponueshme policore. Duhet ta kemi të gjithë parasysh një fakt, tek i cili duhet të bazohet një mbështetje edhe më e madhe dhe e merituar për Policinë e Shtetit, jo vetëm sa i përket trajtimit financiar. I gjithë ky fluks gjatë vitit 2023, me 30% më shumë sesa një vit më parë, është përballuar nga e njëjta trupë policore.
Mirënjohje e merituar për të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit të cilët mundësuan një sezon turistik me 0 ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve të huaj të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar.
THANK YOU
Renea, FNSh, Delta, Policia Alpine, Njësia Policore Detare, Policia Kufitare, Patrullat e Përgjithshme, Shqiponjat, Forcat Operacionale në DVP, Policia Rrugore, Policia Kriminale.
Vera e zgjatur e këtij viti na vendosi përballë një numri të frikshëm zjarresh. Kam ndjekur dhe do të vazhdoj të ndjek me drejtorët e qarqeve procedimet penale në ngarkim të 101 shtetasve të arrestuar/proceduar penalisht për këtë fenomen barbar.
Paketa e Sigurisë në shkolla
Paketa e Sigurisë në Shkolla po garanton ditë për ditë sigurinë e nxënësve jo vetëm brenda por edhe përreth mjediseve të shkollës.
Operacioni Kombëtar “Tempulli” më i madhi i zhvilluar ndonjëherë, nën drejtimin direkt të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka patur dhe vijon të ketë çdo ditë rezultate të mirëpritura nga familjet shqiptare.
Një falënderim e mirënjohje të merituar për të gjitha strukturat e policisë të angazhuara në këtë operacion. Një vlerësim edhe prokurorëve dhe gjyqtarëve pa urdhrat dhe vendimet e të cilëve nuk do të ishin sot pas hekurave një numër kaq i madh shpërndarësish lëndësh narkotike.
Do të forcojmë me ligj Paketën Sigurisë në Shkolla duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor apo në perimetrin e sigurisë së tij. Kryerja e një vepre penale në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij të parashikohet si rrethanë rënduese, nëse në dëm të një të mituri, dhe, në çdo rast, si rrethanë cilësuese e figurës së veprave penale.
Krahas drogave tradicionale po shtohet përdorimi nga të rinjtë i drogave sintetike, që paraqesin një rrezikshmëri të lartë për jetën e tyre.
Policia e Shtetit ka arritur rezultate domethënëse edhe në këtë drejtim me 57 operacione policore, 180 mijë rrënjë kanabis të asgjësuara në 100 ditët e fundit, mbi 1 ton lëndë narkotike kanabis e sekuestruar, rreth 9.5 kg lëndë narkotike kokainë, 11 300 tableta ekstazi të sekuestruara.
Sigurisht të dhënat nuk duhet të na bëjnë të vetëkënaqur por janë një motiv për të thelluar më tej rezultatet e arritura deri më tani.
Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit
Rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, e cila tashmë ka hyrë në një fazë të re për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e policisë së shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës,
të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi.
Hetimet në bashkëpunim me SPAK, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, SHISH dhe agjenci të tjera për punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare, lidhje/komunikime me krimin si dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm vijojnë dhe rezultatet e këtij procesi janë domethënëse.
Këto operacione dhe këto rezultate janë vetëm fillimi i vendosmërisë tonë për të vijuar me vetë-pastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit nga ata elementë të cilët e dëmtojnë atë.
Ky proces i cili sapo ka hyrë në një fazë të re do t’i japë Shqipërisë dhe shqiptarëve një Polici më të fortë dhe një nivel akoma më të lartë të sundimit të ligjit.
Zonja dhe zotërinj,
Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale do të intensifikohen çdo ditë.
Hetime komplekse nën drejtimin e SPAK apo prokurorive në rrethe do të çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje, apo trafiqe e pastrime parash.
Policia e Shtetit po fiton një besim më të madh jo vetëm nga publiku por dhe nga agjencitë e vendeve partnere. Vetëm me Policinë italiane kemi 14 grupe të përbashkëta hetimore, që kanë dhënë rezultate të rëndësishme në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar.
Kemi ende shumë persona në kërkim, ngjarje të rënda pa autor, e vrasje të vjetra që nuk mund të harrohen nëse autorët nuk përballen me drejtësinë.
Thirrja ime sot ndaj të gjithëve ju të pranishëm por edhe ndaj të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit,
për hir të fëmijëve tanë,
për hir të misionit të respektuar të uniformës që mbani,
kërkoj angazhimin tuaj maksimal.
E sotmja nuk ka krahasim me të shkuarën dhe ditë pas dite rikthimi i besimit tek Policia e Shtetit po avancon në mënyrë të dukshme dhe të padiskutueshme.
Por e ardhmja nuk do të ketë krahasim me të sotmen dhe unë kam nderin e madh, besimin e Kryeministrit, të shumicës së Kuvendit dhe shpresoj të shumicës së shqiptarëve për të vazhduar ndërtimin e besimit të duhur tek Policia e Shtetit edhe më shpejt, duke përmirësuar çdo gjë, në çdo drejtim.
Vetëm përpara.
Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, në aktivitetin për sezonin turistik 2023
I nderuar z. Ministër i Brendshëm,
Të nderuar zotërinj Ambasadorë,
Të nderuar përfaqësues të vendeve partnere,
Të nderuar pjesëmarrës,
Duke ju uruar mirëseardhjen në aktivitetin e organizuar për sezonin turistik, të bindur se e menaxhuam me sukses, dhe se ky sezon turistik e realizoi qëllimin e tij nëpërmjet një koordinimi gjithëpërfshirës të strukturave qeveritare në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në funksion të rritjes së sigurisë së jetës, ofrimit të një shërbimi cilësor dhe të shpejtë ndaj shtetasve shqiptarë e të huaj, me synim realizimin e pritshmërive të tyre në të gjitha aspektet.
Këtë vit, angazhimi i Policisë së Shtetit ka qenë tejet i veçantë dhe shumëdimensional, për disa arsye.
Së pari, fluksi i jashtëzakonshëm i turistëve dhe pushuesve që zgjodhën vendin tonë ishte tregues i besimit dhe vlerësimit të qytetarëve të mbarë botës, te standardet e sigurisë, rendit dhe qetësisë publike të vendit tonë.
Së dyti, në një mënyrë a një tjetër, vështirë të gjendet një qytetar, turist apo pushues që së paku një herë gjatë sezonit turistik veror 2023, të mos ketë marrë shërbim, asistencë apo informacion nga një punonjës policie. Ky kontakt i drejtpërdrejtë, i shënjuar me ndjenja të larta përgjegjësie, profesionalizmi dhe humanizmi, i dedikohet angazhimit shumëdimensional të Policisë së Shtetit.
Në çdo skaj të territorit, në çdo pikë kufitare, në çdo shesh, në çdo zonë turistike, në maja malesh dhe në mes të hapësirës së pafundme blu, efektivë të Njësisë Policore Detare, të Policisë Alpine, të Drejtorive Vendore dhe të FNSH-ve, kanë qenë të pranishëm, për të reaguar menjëherë ndaj çdo kallëzimi apo denoncimi për shkelje të sigurisë detare, rregullave të lundrimit, perimetrave të sigurisë, rregullave të konkurrencës ndërmjet bizneseve që ofrojnë shërbim gjatë verës, rregullave të qarkullimit rrugor, niveleve të rregulluara me ligj të zhurmave dhe ndotjes akustike dhe raste të zjarrvënieve, si dhe ndaj çdo kërkese për ndihmë apo për informacion.
Së treti, si çdo punë tjetër e kalibrit të lartë të cilësisë, dhe ky sezon turistik nuk u mirëmenaxhua vetëm. Partnerë ndërkombëtarë, misione të rëndësishme, patrullime të përbashkëta me policitë e Italisë dhe Kosovës, shkëmbime përvojash dhe eksperiencash me policinë e Kroacisë dhe reagime të koordinuara me shërbimet mbështetëse të zjarrfikësve, të shëndetësisë dhe të pushtetit vendor, kanë shoqëruar dhe vijojnë të shoqërojnë punonjësit e Policisë së Shtetit, për çështje të integruara të cilat kërkojnë përkushtim dhe ndërhyrje të përbashkëta.
Të gjitha këto elemente, të ndërvarura nga njëra-tjetra, rezultuan me një sezon turistik plotësisht të mbarë dhe pa incidente, si dhe me rritje të ndjeshme të imazhit të vendit tonë, në planin ndërkombëtar.
Për këtë arsye gjej rastin t’i shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim çdo punonjësi policie që u angazhua në terren dhe që sakrifikoi lejet, ditët e pushimit dhe kohën me familjen, për të qenë pranë qytetarëve, turistëve dhe pushuesve, në përmbushje të misionit madhor për mbarëvajtjen së sezonit turistik veror.
Kryeministri në takimin për Sezonin Turistik 2023, theksoi se: “…më shumë sesa përmbyllja e sezonit turistik veror, është hapja e një procesi diskutimi që ne do ta vazhdojmë, me të gjitha grupet e përfshira në përpjekjen e përbashkët, për ta kthyer Shqipërinë e vitit 2030, në një vend kampion të turizmit në rajonin tonë…”.
Kjo është sfidë për vendin, por më shume është një sfidë për shërbimet e Policisë së Shtetit, jo vetëm në sezonin veror, por për të gjithë vitin. Pasi çdo ditë shohim grupe turistësh që vizitojnë vendin tonë, dhe larminë e aktiviteteve që lidhen me turizmin, në det, në male dhe në bukuritë natyrore të vendit tonë.
Kjo sfidë, sjell detyra të shtuara për Policinë e Shtetit, për të ruajtur nivelin e menaxhimit bazuar në eksperiencën e këtij viti, por edhe për të ngritur në nivel më të lartë, profesionalizmin, performancën dhe dinamizmin e strukturave, me qëllim që të krijojmë mjedis të sigurtë për frekuentuesit e vendit tonë, qofshin shtetas shqiptarë apo të huaj.
Dua të ndaj me ju, se si rezultat i masave të marra gjatë sezonit turistik, nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve apo vizitorëve vendas dhe të huaj.
Masat që morëm për menaxhimin e sezonit turistik, ishin komplekse, të shtrira gjatë gjithë vitit, dhe u mbështetëm në:
➢ Zbatimin e detyrave të lëna nga Kryeministri, në planin e masave dhe pjesëmarrje aktive në Task Forcën ndër institucionale, në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike dhe plazhe;
➢ Porositë e vazhdueshme të Ministrit të Brendshëm, për mbarëvajtjen e sezonit turistik, në drejtim të sigurisë dhe masave shtesë për të parandaluar ngjarjet e rënda në tokë dhe në det. Masa që përfshijnë sigurinë në përgjithësi, dhe atë rrugore dhe kufitare në veçanti;
➢ Zbatimin e Programit të Punës, në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike dhe plazhe, të rritjes së parametrave të sigurisë rrugore dhe menaxhimin e hyrje/daljeve në kufi, duke bashkëpunuar me institucionet e tjera përgjegjëse, si Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtoria e Përgjithshme Detare, Roja Bregdetare, Agjencia për Bregdetin, Prefekturat, Organet e Qeverisjes Vendore dhe Agjencitë Turistike;
➢ Menaxhimin e kontrollit mbi strukturat qendrore e vendore, për monitorimin e kontrollin e zbatimit të detyrave, në përmbushje të kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e mjeteve lundruese në hapësirën detare dhe ujërat e brendshme, veçanërisht atyre turistike dhe të argëtimit. Kjo është realizuar përmes një procesi të përditshëm dhe të përjavshëm monitorimi, kontrolli dhe raportimi;
➢ U realizua ngritja dhe funksionimi i Njësisë Policore Detare (sezonale), në funksion të verifikimit të aktivitetit dhe rritjen e treguesve për parandalimin dhe ndëshkimin e shkelësve të ligjit, në zonat bregdetare të ndaluara për lëvizje të mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit;
➢ Rritjen e parametrave teknik, informatik dhe logjistik, duke siguruar përmirësimin e infrastrukturës së pikave të kalimit kufitar dhe funksionimin në vlera maksimale të rrjetit informatik të Policisë së Shtetit, si dhe në vendosjen e masave shtesë në lidhje me kontrollin dhe marrjen e masave në rrugë, duke u vendosur tableta digjitale, aparate digjitale alkool-testues, dronë, radarë matës të shpejtësisë, kamera digjitale të montuara në autovetura, etj;
➢ Ngritjen dhe funksionimin e 6 stacioneve provizore të policisë në zonat turistike si Theth, Valbonë, Tale, Gjiri i Lalzit, Palasë si dhe Ksamil. Risi për këtë vit ishte vendosja e një shërbimi policie 24/7, në Kalatën e Komanit, për monitorimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë, në lidhje me veprimtarinë me mjete lundruese në Liqenin e Komanit dhe Lumin e Shalës;
➢ Në bashkëpunimin me ARRSH dhe me qeverisjen vendore, u rinovuan dhe u plotësuan sistemet e sinjalizimit vertikal dhe horizontal, po ashtu është siguruar menaxhimi i fluksit të trafikut, sidomos në fundjavë, duke u kujdesur dhe me këshillime në raport me drejtuesit e mjeteve në funksion të evitimit të aksidenteve apo rreziqeve në rrugë;
➢ Në bashkëpunimin me Agjencinë e Bregdetit, është shkëmbyer informacion për plazhet e licencuara, bashkëpunim që ka bërë të mundur identifikimin lehtësisht të plazheve abuzive dhe marrjen e masave për zhvillimin e veprimtarive bazuar në ligjshmëri.
Një punë e palodhur nga ana e Policisë së Shtetit, është bërë në lidhje me sensibilizimin e pushuesve vendas dhe të huaj dhe bizneseve, në drejtimet e mëposhtme:
– Parandalimi i ndotjes akustike, marrjen e masave të sigurisë, për ngritjen e pikave të vrojtimit në plazhe, vendosjen e bovave në det, krijimin e vendbazimeve të mjeteve lundruese dhe në veçanti të motorëve të ujit;
– Dhënia e mundësisë së komunikimit të drejtpërdrejtë me strukturat e Policisë, shtetasve, nëpërmjet numrave të kontaktit, prezencës direkte në zbatimin e rregullave të qarkullimit në rrugë;
– Bashkëpunimi me administratorët e bizneseve dhe shërbimeve ambulante përgjatë bregdetit, duke shkëmbyer numrat e telefonit për shërbimet policore, sallën e komandimit, drejtuesit e shërbimit, shërbimin për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin, urgjencën e spitalit, sallat e komandimit dhe adresimin prej tyre të shqetësimeve dhe reagimin e menjëhershëm te Policisë për rritjen e sigurisë se pushuesve.
Kontributi i secilit aktor, si dhe marrja e masave të plota nga strukturat policore, siguroi një klimë të qetë dhe të sigurtë reflektuar në:
– Vlerësimin e masave të marra nga pushuesit që vizituan Shqipërinë dhe promovimin pozitiv të vendit tonë në mediat ndërkombëtare;
– Marrjen e masave të plota për të bërë të sigurtë larmishmërinë e pjesëmarrjes në aktivitete të turistëve, në organizime që janë kryer në zona turistike dhe qytete, ku ndër të tjera përmendim edhe aktivitetet e shumta të organizuara në Tiranë, për shkak të shpalljes së saj “Kryeqyteti Europian i Sportit”, për vitin 2023.
Planifikimi i punonjësve të policisë për mbarëvajtjen e sezonit turistik:
– Gjatë sezonit turistik veror 2023, u planifikuan me shërbim në zona turistike/plazhe 1632 punonjës policie, nga të cilët; 362 punonjës policie të rendit publik, 73 punonjës policie të strukturave për hetimin e krimit, 100 punonjës të policisë rrugore, 185 punonjës policie të strukturave Operacionale SOS, 912 punonjës policie për kufirin dhe migracionin, (nga te cilët 144 punonjës policie me mjete detare dhe 771 në PKK);
– Në dispozicion të këtyre shërbimeve gjatë sezonit turistik veror, janë vendosur 205 automjete (nga të cilat: 40 autovetura, 30 furgonë, 35 motoçikleta, 56 biçikleta dhe 44 mjete lundruese).
Sezoni turistik nuk mund të ishte në këtë masë të lartë realizimi pa bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë të përhershëm ndërkombëtarë, ku përmendim:
– Nuklin Italian të Kufirit Detar të “Guardia di Finanza”, në luftën kundër kriminalitetit dhe monitorimin e hapësirës detare;
– FRONTEX, “JO Albania Sea 2022”, ku zhvillohen dhe koordinohen operacione të përbashkëta në kufijtë detarë dhe tokësorë të vendit tonë, për të kontrolluar flukset e imigracionit të paligjshëm, për të luftuar krimin ndërkufitar dhe për të rritur bashkëpunimin me partnerët;
– Policinë Gjermane dhe Holandeze, të mbështetur nga EUROPOL dhe FRONTEX, të cilat kanë dhënë një kontribut dhe vlerë të shtuar në operacionet e zhvilluara nga Policia Shqiptare;
– Hapjen e Qendrës së Përbashkët të Shkëmbimit të Informacionit Shqipëri-Greqi, në territorin e palës Greke;
– Hapjen e Pikës së Përbashkët të Kalimit Kufitar Qafë Thanë, me Maqedoninë e Veriut;
– Zbatimin korrekt të marrëveshjeve me Policinë e Kosovës, të Malit të Zi, të Italisë dhe atë të Kroacisë, për të kryer patrullime të përbashkëta, për mbarëvajtjen dhe dhënien ndihmë shtetasve që kanë patur destinacion Shqipërinë.
Treguesit dhe rezultatet e kontrolleve në kufirin detar:
Gjatë këtij sezoni është monitoruar me përgjegjësi zbatimi i ligjshmërisë në lëvizjen e mjeteve lundruese turistike në hapësirën detare shqiptare ku si rezultat i shërbimeve të organizuara janë arritur këto rezultate:
– Janë evidentuar 104 raste dhënie ndihme, ndaj 485 shtetasve me 65 mjete lundruese.
– Gjatë kësaj periudhe janë kontrolluar 4901 mjete lundruese, nga të cilat 331 janë gjetur me shkelje ligjore, 280 janë bllokuar dhe janë vendosur 331 masa administrative me vlerë totale 10.6 milionë lekë, si dhe janë zhbllokuar pas shlyerjes së gjobave 276 mjete lundruese.
Për periudhën Janar – 26 Tetor:
- Janë përpunuar në hyrje-dalje në total, rreth 28,6 milion Shtetas shqiptarë e të huaj;
- Janë përpunuar në hyrje dalje në total rreth 7,7 milion mjete në PKK.
- Janë përpunuar rreth 8,86 milion shtetas të huaj, që kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë;
- Janë përpunuar në hyrje dhe dalje 10362 tragete shqiptare dhe të huaj;
- Janë përpunuar 3699 jahte të huaja në hyrje dhe në dalje;
- Janë përpunuar 38 973 avionë në hyrje dalje, ose 9937 avionë më shumë se vitin 2022.
- Treguesit dhe rezultatet e turizmit malor:
Me të njëjtin vlerësim, në kuadrin e masave të sigurisë nga Policia është vlerësuar edhe siguria ne zonat turistike malore, ku kanë funksionuar Stacionet e Përkohshme Policore.
Si rezultat i këtyre masave dhe prezencës policore, është siguruar rendi dhe qetësia për shtetasit dhe pushuesit, ku në disa raste u është dhënë ndihmë nga Stacionet Policore, dhe Njësitë Alpine, në Theth, Valbonë, Kukës, Krujë, Vlorë, Himarë, Përmet e Berat, për 75 turistëve të huaj, të cilët janë shpëtuar dhe gjetur në terrene të vështira malore.
Në disa raste ka qenë e nevojshme ndërhyrja e shërbimeve të specializuara, duke organizuar operacione kërkim/shpëtimi, si dhe duke bashkëpunuar dhe bashkërenduar me shërbimet e tjera të ndihmës së parë.
Treguesit dhe produktiviteti i strukturave antikrim dhe kontrollit të territorit:
Përgjatë këtij sezoni, nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve apo vizitorëve vendas dhe të huaj.
Gjithashtu, nuk është evidentuar asnjë kallëzim nga shtetas të huaj për krime të rënda ndaj jetës, shëndetit apo pasurisë së tyre.
Janë ndërmarrë dhe përmbyllur me sukses një sërë operacionesh policore në kuadër të procedimeve penale, me mbështetjen dhe bashkëpunimin të ngushte me Prokurorinë e Posaçme dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm:
– Në fushën e krimit të organizuar, 51 operacione nga te cilat 38 kombëtare dhe 13 ndërkombëtare.
– Në fushën e krimeve kundër jetës dhe shëndetit, 20 operacione policore.
– Në fushën e krimeve kundër personit 29 operacione.
– Në fushën e krimeve kundër narkotikeve 136 operacione, nga të cilat 97 operacione kombëtare dhe 39 ndërkombëtare.
– Në fushën e kapjes së personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar: janë vënë para drejtësisë shqiptare 1399 shtetas, nga te cilët 1211 në kërkim kombëtar dhe 188 në kërkim ndërkombëtar.
Parandalimi aksidenteve:
Në rrugët e Shqipërisë, gjatë sezonit turistik, kemi patur një shtim të madh të mjeteve që kanë shfrytëzuar arteriet rrugore.
Nëse mjetet e shtetasve shqiptarë janë rreth 840 mijë, gjatë kësaj periudhe ky numër ka shkuar afërsisht në 3.8 milionë mjete.
Pavarësisht rritjes së numrit të automjeteve në akset rrugore, strukturat policore kanë operuar me sukses problematikat e shfaqura në fushën e menaxhimit të trafikut urban dhe interurban.
Duke falënderuar të gjithë aktorët vendas dhe partnerët ndërkombëtarë, ju sigurojmë se Policia e Shtetit, ashtu si gjatë këtij viti, edhe për vitin 2024, do të jetë po aq e vendosur dhe e angazhuar në përmbushjen e përgjegjësive institucionale, krijimin e një ambienti sa më të sigurtë për qytetarët, vizitorët dhe turistët, në zona turistike bregdetare e malore.
Të nderuar përfaqësues të vendeve partnere,
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe asistencën që jepni për Policinë e Shtetit, ju garantoj se tek organizata që unë drejtoj, do të gjeni gjithmonë një partner profesional, bashkëpunues, të përkushtuar dhe të besueshëm. Ne do jemi aktivë në luftën e përbashkët për të sunduar krimin, dhe për ta goditur atë si në operacione kombëtare, ashtu edhe në operacionet e përbashkëta ndërkombëtare.
Prania dhe asistenca juaj është vlerë e shtuar në punën e Policisë së Shtetit.
Të nderuar kolegë,
Puna e kryer vlerësohet, dhe ky vlerësim do të jetë motivim për ju. Duke ju shprehur mirënjohjen për punën tuaj, në menaxhimin e sezonit turistik, dhe dinamikës së përditshme të punës tuaj, bazuar ne vlerësimet dhe rezultatet konkrete te çdo punonjësi policie, Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm, kanë akorduar stimuj moral dhe material, nga të cilat 10 Medalje Nderi, 21 Certifikata për Shërbime të Dalluara dhe 1311 shpërblime në vlerën e një page mujore.
Këto vlerësime, do të ndikojnë në rritjen e motivimit të punonjësve të Policisë së Shtetit për rezultate në punën, jo vetëm në Sezonin Turistik, por në të gjithë gamën e veprimtarisë së Policisë së Shtetit.
Të nderuar qytetarë,
Tek punonjësit e Policisë së Shtetit shqiptar, do të gjeni gjithnjë profesionalitet, përkushtim dhe besueshmëri, duke garantuar rritje të parametrave të sigurisë, shtimin e frymës së bashkëpunimit me komunitetin, në funksion të parandalimit të krimit dhe sigurisë rrugore, lehtësimit të qarkullimit kufitar, rritjen e parametrave teknik, logjistik, edukues dhe monitorues të Policisë së Shtetit, në funksion të standardeve më të larta Evropiane brenda kuadrit rregullator dhe detyrave funksionale të saj.
Në përfundim të fjalës sime, dua të shpreh mirënjohje për gazetarët dhe stafet mediatike që kanë pasqyruar në kohë reale, me vërtetësi dhe me përgjegjshmëri, punën e Policisë së Shtetit, gjatë sezonit turistik 2023.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar me çdo njësi të saj, për të parandaluar ngjarjet kriminale, për të garantuar rend dhe siguri publike, për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetasit që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e komunitetit, si dhe për të shtrirë dorën e ndihmës ndaj kujtdo që paraqet një nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë së Shtetit.
Ne do të vijojmë të jemi pranë çdo qytetari dhe vizitori të huaj, me të gjitha kapacitetet tona njerëzore dhe logjistike, në mënyrë që me punën tonë të përcjellim një imazh, sa më të sigurtë e miqësor të vendit tonë, i cili pret e përcjellë miq nga e gjithë bota, në çdo stinë të vitit.
Faleminderit!