Siguria në shkolla, 240 oficerë sigurie në shkollat e mbarë vendit për një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt për të gjithë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Siguria në shkolla, 240 oficerë sigurie në shkollat e mbarë vendit për një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt për të gjithë

Me fillimin e procesit mësimor në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare në vend,  rinisi funksionimin “Paketa e Sigurisë në shkolla”, një nismë në vitin e dytë të zbatimit dhe të konsolidimit të saj, e cila ka garantuar përgjatë vitit të kaluar një nivel tjetër sigurie në shkollë dhe perimetrin jashtë saj, në aspektin e sigurisë rrugore, sigurisë ushqimore, sigurisë urbane, si dhe mbrojtjes ndaj fenomeneve të dëmshme për nxënësit, si duhanpirja, apo konsumimi substancave të ndaluara.

Një rol të rëndësishëm në zbatimin e Paketës së Sigurisë kanë luajtur Oficerët e Sigurisë si ndërlidhës ndërmjet shkollës dhe Policisë së Shtetit, për raportimin dhe menaxhimin në kohë dhe me përgjegjësi të të gjitha situatave që mund të rrezikojnë apo cenojnë sigurinë publike.

Për të garantuar sigurinë e nxënësve, janë angazhuar 240 oficerë sigurie në shkollat e mbarë vendit. Falë bashkëpunimit të tyre me nxënësit dhe me punonjësit e Policisë së Shtetit, bëhet i mundur ndërgjegjësimi i të rinjve dhe edukimi i tyre me kulturën e ligjshmërisë, si dhe parandalimi i situatave të konflikteve që mund të vendosin në rrezik jetën.

Për të diskutuar mbi rolin e oficerit të sigurisë në shkolla dhe perspektivën e tij në vijim, Kryeministri Edi Rama ishte sot në shkollën 9-vjeçare “Kosova” së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu dhe Ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, në një takim me drejtues të institucioneve arsimore dhe oficerë të sigurisë në shkolla.

 

* * *

 

Mirëmëngjesi edhe përshëndetje të gjithëve dhe të gjithave! Patjetër, urime dhe sukses e mbarësi në këtë vit të ri shkollor, i cili sapo ka nisur me një tjetër grup shkollash të reja, të cilat i shtohen një tërësie godinash arsimore, që janë fryt i një investimi 10-vjeçar ku sipas volumit të punës së bërë, sipas volumit të fondeve të vëna në dispozicion, ne kemi arritur të ndërtojmë dhe të rindërtojmë në këto 10 vjet, më shumë sesa në 40 vjet të mara së bashku përpara fillimit të kësaj dekade, por nuk është vetëm sasia, është edhe cilësia.

Mësueset dhe mësuesit e shkollës “Kosova” ku ne jemi sot këtu, e dinë shumë mirë odisenë e kësaj shkolle, një shkollë simbol, jo vetëm për Tiranën, por një shkollë simbol për historinë e arsimit shqiptar, e cila u dogj me qëllim për t’i hapur rrugë një ndërtimi në këtë truall. U prenë një numër jo i vogël pishash si ato të bulevardit, e megjithatë ne rezistuam ndaj kësaj të keqeje, e ndaluam planin për të na detyruar bërjen e një ndërtimi këtu dhe ndërtuam me Bashkinë e Tiranës këtë shkollë që është një shëmbëlltyre e ambicies tonë për Shqipërinë dhe një shëmbëlltyrë dhe ambicies, dëshirës së çdo mësuesi, çdo mësueseje, çdo prindi për sesi duhet të jetë shkolla ku rriten fëmijët tanë.

Përtej kësaj, dua ta ritheksoj atë që preku ministrja. Ne nuk jemi fokusuar vetëm tek godinat dhe tek infrastruktura, por jemi fokusuar në mënyrë të posaçme edhe tek fuqizimi i autoritetet të mësuesit dhe motivimi i vazhdueshëm i trupës mësimore.

Këtë e kemi bërë me të gjitha mënyrat e nevojshme, por mbi të gjitha duke vendosur si një objektiv strategjik të politikës sonë, rritjen e vazhdueshme të pagave për mësuesit dhe sot kemi arritur me ndërhyrjen e fundit të muajit qershor, që pagën mesatare të mësuesve në Republikën e Shqipërisë ta kemi 950 euro.

Është një rritje shumë domethënëse brenda së cilës ka edhe një përshkallëzim sipas eksperiencës dhe sipas kritereve të vendosura në një rrugëtim të çdo mësueseje dhe mësuesit, ku ata që dallohen paguhen më mirë, por ne nuk kemi ndër mend të ndalemi këtu. Synimi ynë është që Shqipëria 2030 të jetë kampione në rajon në të gjitha aspektet dhe të anëtarësohet në Bashkimin Europian, duke pasur këtu në vendin tonë, njerëz, punonjës, shërbëtorë publikë sa më të devotshëm, sa më të motivuar e ndër ta patjetër janë 3 figura kryesore, mbi të cilat qëndron gjithë ngrehina e një shoqërie të organizuar në një shtet: mësuesi, mjeku, polici.

Njëri kujdeset për dijen dhe rritjen e njohurive të një vendi sepse dallimin mes vendeve nuk e bën sa ke, e bën sa di. Shumë herë njerëzit thonë, “po mirë, ne i kemi të gjitha këto pasuritë natyrore dhe pse ne nuk jemi Zvicra”? Sepse për një kohë shumë të gjatë ne kemi mbetur shumë prapa në dije. Është dija që i kthen edhe ato pasuritë natyrore në pasuri të përbashkët; është dija që i jep mundësinë një vendi të transformohet edhe më shpejt dhe të bëhet gjithmonë e më i mirë për njerëzit e vet. Patjetër shëndeti dhe sigurisht që përtej problemeve dhe përtej ankesave dhe shqetësimeve, ashtu siç nuk mund të krahasohet fare, është thjesht një mision i pamundur situata e shkollave, gjendja e mësuesve, gjendja  materiale dhe morale e mësuesve  një dekadë më parë, kur mësuesit merreshin e hidheshin si lecka lart e poshtë dhe ku vendosja në punë e mësuesve ishte çështje sa politike, aq klienteliste, aq ku di unë se çfarë. Ashtu edhe nuk mund të krahasohet situata e sotme me të gjitha problemet që ka me atë të viteve më parë, me shërbimin shëndetësor, spitalet e kështu me radhë, por patjetër të dyja këto kanë nevojë për kornizën e sigurisë dhe kur vijmë tek siguria, sot Shqipëria, nëse jemi në kushtet që vjet kemi pritur 10 milionë vizitorë nga jashtë dhe sivjet sot që flasim akoma kur ka edhe disa muaj deri në fund të vitit, të kemi arritur në 11 milionë, siguria është elementi i parë kryesor dhe të gjithë ata që pyet kur vijnë në Shqipëri, përmendin mikpritjen, përmendin natyrën, përmendin ushqimin dhe përmendin sigurinë.

I kthehem këtu vitit 2019, ka nisur tek shkolla, tek gjimnazi “Qemal Stafa”, në mos gabohem, ky projekt për futjen e oficerit të sigurisë në shkollë. Në vitin 2019, si rezultat i një sërë shqetësimesh të mprehta të shprehura nga mësuesit, të shprehura nga drejtuesit e shkollave, të shprehura nga prindërit dhe ka nisur si  një projekt që sot ka marrë formë dhe që sot na ka dhënë të gjitha arsyet për të parë një ndryshim të rëndësishëm por edhe për të kuptuar se duhet ta fuqizojmë edhe më shumë këtë autoritet të ri të shkollës që është  punonjës-oficeri i sigurisë, e për këtë arsye kemi bërë edhe një rritje të pagës së oficerëve të sigurisë që sot paguhen 800 euro, por nuk do të ndalemi këtu, sepse këtu nuk është çështje policësh në mjediset e shkollës. Këtu është çështje njerëzish që janë te kualifikuar për temën e sigurisë, që janë aty si një urë ku kalojnë të gjithë dhe që duhet të garantojnë informimin e të gjithëve dhe bashkëveprimin me të gjithë.

Oficerët e sigurisë janë në vend të prindërve që vëzhgojnë nga larg fëmijët që kujdesen për të kuptuar shqetësimet e tyre, që përpiqen të gjejnë problemet duke thjesht ndjekur ndërveprimet mes tyre, që u afrohen fëmijëve dhe i këshillojnë, që i ndihmojnë të marrin një vendim të drejtë në një moment kur ka një keqkuptim që mund të kthehet në një konflikt, që mbajnë marrëdhënie të ngushta me drejtuesit e shkollës dhe me mësuesit dhe që janë syri dhe veshi i vetë prindërve në raport me fëmijët. Oficerët e policisë kanë një mision që të njohin me emër çdo fëmijë, që të dinë duke parë se në çfarë humori, në çfarë situate psikologjike është fëmija dhe kjo patjetër që është një punë shumë e ndërlikuar që kërkon një ndërveprim të afërt dhe me psikologët.

Ne kemi vendosur dhe figurën e psikologut në shkollë, që nuk ekzistonte më parë. Sot kemi qindra e qindra psikologë të atashuar pranë shkollave dhe patjetër që nevoja për ta rritur cilësinë e performancës së të dy këtyre figurave është shumë e qartë për ne, por është njëkohësisht një fat që këto dy figura janë në shkollë, qoftë për të ndihmuar shkollën e qoftë sepse mësuesit e mësueset mund t’i ndihmojnë ata të kuptojnë më mirë nxënësit, mund t’i bëjnë atyre në mënyrë të vazhdueshme një leksion miqësor që nuk është një leksion 1 orë e gjysmë përpara klasës, por është një leksion në vazhdim me këshilla dhe me sugjerime të vogla që hap pas hapi kthehen në një thesar për ta, por të gjitha këto së bashku krijojnë një familje këtu në shkollë, krijojnë një komunitet ku secili ka rolin e tij dhe ku të gjithë bashkë arrijnë të ndërveprojnë, duke krijuar një mjedis psikologjikisht shumë më të sigurt dhe kur flas për mjedisin psikologjikisht më të sigurt, të them të drejtën, gjithmonë më ngjethet mishi kur mendoj që ndërkohë që unë flas dhe ndërkohë që ne flasim, ju dhe të gjithë të tjerët që nuk janë pjesë e asaj zone të jetës publike shqiptare, që është zona e politikanëve dhe atyre që dalin nëpër ekrane dhe që rrokanisin kokën e dynjasë, jeni në një presion të vazhdueshëm të një ndotjeje të madhe pikërisht të mjedisit psikologjik, një ndotje e tmerrshme që e bën njeriun e zakonshëm të dyshojë nëse ajo që shikon dhe ajo që jeton përditë është ajo që është e vërtetë apo nëse ato që dëgjon dhe me të cilat bombardohet përditë janë e vërteta.

Çfarë dua të them me këtë?

Nëse njeriu bie në kurthin e atij presioni të madh të ndotjes që sjell mjedisi politik dhe mediatik në Shqipëri, atëherë i bie që çdokush nga këta djem dhe vajza me uniformë këtu të jetë një prani e dyshuar dhe të jetë një prani për të cilën të gjithë duhet të kenë frikë, kështu i bie, sepse duke i marrë dhe duke i futur të gjithë në një thes dhe duke shfrytëzuar në mënyrë shumë djallëzore, në mënyrë shumë të ligë, por dhe në një mënyrë shumë sipërfaqësore episode, momente, personazhe që janë pjesë e pandarë e një shoqërie në të gjithë botën, flas për personazhin negativ dhe në këtë rast për personazhe nga jeta e brendshme e Policisë së Shtetit, atëherë vetvetiu të krijohet ideja sikur këtu është një histori krejtësisht tjetër nga ajo që njeriu jeton çdo ditë.

E po ashtu, patjetër, nëse një mësuese që shfaqet diku në një video duke dhunuar një nxënës, nëse diku tjetër në një klasë shfaqet një episod, ku në vend se të bëjë detyrën mësuesi bën diçka të shëmtuar, e kështu me radhë, janë gjëra, të cilat janë sinjale për t’u motivuar dhe për t’u përmirësuar më tutje, e ndërkohë janë momente për, në njëfarë mënyrë për t’u lehtësuar që një ferrë u hoq nga bahçja. Kthehen në momente ku pastaj fillon batërdia e ndotjes të përgjithshme psikologjike të të gjithë dynjasë duke thënë, “ja kështu bëjnë mësuesit nëpër shkolla, ja kjo ndodh nëpër klasa, ja ku i çoni ju fëmijët” dhe të gjitha këto për të projektuar në sytë e publikut idenë se ata që qeverisin janë, në fakt, asgjë tjetër veçse në krye të një ushtrie me banditë, me hajdutë, me dhunues, qofshin mësues, qofshin mjekë, qofshin punonjës policie e të tjerë. Atëherë patjetër që edhe mjedisi i shkollës, patjetër që edhe hapësira në të cilën ju të gjithë ndërveproni rëndohet nga kjo situatë, por kësaj ne nuk kemi  çfarë i bëjmë, aq më tepër në një kohë ku duhet të mbrojmë veten, duhet të mbrojmë fëmijët nga ato ekranet e smartphone dhe ekranet e kompjuterëve ku hyn llumi i pandalshëm i lloj-lloj imazheve që normalisht nuk kanë punë në mjedisin e përbashkët, i lloj-lloj informacioneve të paverifikuara, i lloj-lloj lajmeve të rreme, i lloj-lloj shpifjeve dhe manipulimeve.

Është vërtetë një sfidë absolutisht shumë e madhe, një sfidë shumë e madhe që ka vetëm një mënyrë për t’ju përgjigjur duke u përpjekur të gjithë aty ku e kemi vijën tonë të frontit që të mësojmë e t’i bëjmë gjërat dhe më mirë, por njëkohësisht që të mundohemi të krijojmë të gjithë distancën higjienike të nevojshme për të mos u afektuar nga gjithë kjo marrëzi që faktikisht nuk është një fenomen shqiptar, por që në Shqipëri ka gjetur dhe aleatë në njerëzit që kanë prezencë televizive, prezencë mediatike për arsye të detyrës dhe në vend se të bëjnë detyrën, në vend se të flasin për problemet e njerëzve, në vend se të flasin për problemet reale që duhen adresuar së bashku, në vend sesi tu thonë njerëzve sesi mund ta bëjnë ata më mirë këtë punë, përpiqen vetëm t’i helmojnë dhe t’i çorientojnë njerëzit duke ju krijuar idenë e një Shqipërie e cila nuk është asgjë tjetër veçse një kënetë e madhe nën sipërfaqen e të cilës lëvizin të gjithë llojet e kafshëve të ujit dhe të pyllit.

Ndjesë për këtë parantezë, por mendoj që kjo është diçka shumë e rëndësishme për ta pasur parasysh, në radhë të parë, mësuesit sepse së pari duhet të fitojnë imunitetin e tyre duke qenë njerëz që gjithsesi janë të lidhur me lëndë konkrete, janë të lidhur me shkenca ekzakte dhe shkenca humane dhe kanë kapacitet më shumë se shumë të tjerë dhe pastaj duke ndihmuar në imunizimin e shumë të tjerëve.

Sot pa hequr nga asnjë presje nga të gjitha çështjet që kërkojnë të adresohen pa lënë mënjanë asnjë problem që duhet zgjidhur dhe pa mohuar asnjë sekondë faktin që çfarë është bërë në këto 10 vite në ndihmon të kuptojmë sesa shumë kemi bërë dhe sesa shumë mund të bëjmë, por ama ajo që duhet të bëjmë është çfarë na duhet pas 5 viteve, pas 5 viteve kur me patjetër duhet ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE dhe për të gjitha këto unë dëshiroj që t’ju them se roli dhe autoriteti i mësuesit sot ka një rëndësi shumë më të madhe seç kishte deri dje. Sepse deri dje në një botë ku nuk ekziston këto kanalizimet e pafundme të llumit që kalon nëpërmjet pusetave të celularëve dhe të kompjuterëve patjetër që roli i mësuesve ishte një rol kryesor, por sot roli mësuesit në shoqërinë e sotme të teknologjisë është më shumë sesa çka qenë sepse ashtu siç punonjësi i Policisë duhet të punojë rendin dhe sigurinë publike, ashtu dhe çdo mësues duhet të bëhet një mbrojtës i rendit dhe i sigurisë psikologjike, që sot është më e kërcënuar se kurrë për shkak se gjithë ata fëmijë që ju i prisni tek oborri i shkollës, janë në rrezikun e atij bombardimi të vazhdueshëm në ato pasqyrat ku shumë u është bërë problem i të gjithëve bashkë, si t’i ndajmë në mënyrë sa më të arsyeshme orët tek ato pasqyra dhe orët me librin. Si të bëjmë që fëmijët tanë të mos harrojnë të shkruajnë me dorë dhe të tjera që ju i dini shumë më mirë sesa unë.

Një gjë dua tua u them me siguri të plotë, bazuar në fakte, jo në opinione. Shqipëria që kemi sot dhe mundësitë që kemi sot janë të atilla që asgjë nuk është  pamundur për ne. Asgjë nuk është e pamundur për ne, për të bërë që në rrugën drejt Shqipërisë 2030 t’i përmbushim dhe ato gjëra që ende sot janë të papërmbushura, që nga pagat e mësuesve që me patjetër duhet të rriten ende, deri tek detajet e domosdoshme të të gjithë procesit që sot mungojnë dhe për t’i vënë pikën tek rritja domethënëse e kapaciteteve të sigurisë, që ne do ta bëjmë realitet me atë projekt që tha ministri. Sot ne kemi kamera nëpër shkolla, por janë krejt të pamjaftueshme dhe nga ana tjetër duhen pasuar me një sistem monitorimi me kamera të të gjithë mjedisit të brendshëm të shkollës, të të gjitha klasave dhe jo vetëm monitorimi, por dhe përmes inteligjencës artificiale për t’i dhënë në kohë reale ekipit drejtues të shkollës një sintezë të problematikave të shfaqura dhe në këtë mënyrë ato fenomene që sot ne i luftojmë me sy, që sot ne i luftojmë me këtë ndërveprim do të mund t’i luftojmë, duke pasur edhe një instrument shumë, shumë të fuqishëm, që faktikisht i jep oficerët të sigurisë në shkollë shumë më tepër sesa çfarë mund të kapi me dy sytë e tij dhe që i jep të gjithë drejtuesve dhe mësuesve shumë më tepër kapacitet se ç’mund të arrijnë të shohin ata vet në momentin kur janë në ndërveprim me nxënësin.

Jam shumë i bindur që së bashku dhe këtë së bashku nuk e them fare për të thënë një fjalë të bukur në fund, por këtë së bashku e them sepse duke e njohur nga brenda tanimë shumë mirë Shqipërinë që çohet në mëngjes dhe shkon në punë dhe duke njohur nga brenda dhe trupën arsimore dhe trupat e tjera, kjo së bashku ka një kuptim shumë të plotë sepse ne kemi në trupën tonë arsimore kapacitete dhe eksperienca mësuesish dhe mësuesesh që janë një garanci absolute që themelet mbi të cilat duam të ndërtojmë më tej ngrehinën e suksesshme dhe gjithëpërfshirëse të Shqipërisë 2030 janë absolutisht të forta dhe janë absolutisht të mjaftueshme për të vazhduar të ngjitemi më tej.

Shumë faleminderit dhe si një baba që kam edhe mundësinë t’i gëzohem faktit që kemi një djalë 10 vjeç, duke pasur parasysh se çfarë përqendrimi, se çfarë beteje, se çfarë durimi duhet sot me një, unë ju them të gjitha juve që hyni nëpër klasa, Zoti qoftë me ju, Zoti dhe prindërit ju bekofshin çdo mëngjes kur nisin fëmijët në shkollë dhe çdo pasdite kur i marrin fëmijët në shtëpi se ne marrim pasdite në shtëpi një, ka të tjerë që marrin dhe dy, por unë po flas për atë një që marrim ne pasdite, që të mjaftohemi të kuptojmë se çfarë ndodh në fakt nga mëngjesi deri pasdite kur ju keni, përveç atyre që ju keni dhe nga një e nga dy, e nga tre vet, kur ju keni këta zogjtë që cicërojnë më fort se kurrë edhe që gjithmonë e më shumë janë aty për t’ju dhënë mend, jo për t’ju marrë mend dhe patjetër me këtë vetëdije, unë personalisht jam i gjithi adhurues dhe mbështetës i çdo mësueseje dhe mësuesi të kësaj Republike sepse jeni të vetmet figura që i shoh me zili në sensin që në raste të tjera them: e bëj dhe unë këtë, s’ka problem apo se futem në duel me këdo s’ka problem, por jeni të vetmet figura që ju shoh pa asnjë diskutim nga poshtë lart, duke e pranuar që në raport me ju dhe me punën tuaj jam komplet thjeshtë dhe vetëm një adhurues që nuk guxon të thotë që këtë punë tuaj mund ta bëj dhe unë. Nuk e bëj dot!

Shumë faleminderit!

Previous Ministri Hoxha: Siguria në shkolla, ndër prioritetet kryesore, zbatojmë projektin “Smart City” për të rritur sigurinë