Siguria ushqimore prioritet për integrimin në BE: Shqipëria nis programin kombëtar për standardet ushqimore, mbi 900 stabilimente bujqësore në proces skanimi
Qeveria ka nisur zbatimin e një programi kombëtar për përmirësimin e standardeve të sigurisë ushqimore, në kuadër të përgatitjeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Faza e parë, që ka filluar më 14 prill, përfshin skanimin dhe kategorizimin e mbi 900 stabilimenteve bujqësore në të gjithë vendin.
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, gjatë një takimi me operatorët e biznesit ushqimor, theksoi se Shqipëria ka hapur 33 kapituj negociatash dhe ndodhet në një fazë intensive të përgatitjes teknike për mbylljen e tyre, ku siguria ushqimore përbën një nga fushat kyçe. Ajo nënvizoi nevojën për bashkërendim të përpjekjeve në këtë sektor, duke e cilësuar rrugën drejt Bashkimit Evropian si një proces transformues për tregun, bujqësinë dhe zinxhirin e prodhimit bujqësor. Sipas saj, përmbushja e standardeve evropiane të sigurisë ushqimore është thelbësore për modernizimin e stabilimenteve dhe një parakusht për integrimin në tregun e përbashkët evropian.
Procesi po realizohet nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU), nën drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe mbulon sektorët kryesorë të zinxhirit ushqimor, si mishi, qumështi dhe nënproduktet e tij, peshku, vezët dhe ushqimi për kafshë. Synimi është krijimi i një panorame të plotë të gjendjes së stabilimenteve dhe përcaktimi i masave për përmirësim ose transformim, në përputhje me standardet e BE-së.
Programi synon rritjen e sigurisë ushqimore dhe përgatitjen e operatorëve shqiptarë për integrim në tregun e përbashkët evropian, duke vendosur standarde të njëjta si për produktet në tregun vendas, ashtu edhe për ato që eksportohen. Përmirësimi i cilësisë së produkteve, veçanërisht në sektorin e qumështit dhe mishit, konsiderohet thelbësor për rritjen e konkurrueshmërisë dhe aksesin në tregun evropian.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, theksoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare të negociatave për anëtarësim, ku progresi matet nga funksionimi efektiv i sistemeve të harmonizuara me standardet e BE-së. Ai vuri në dukje rëndësinë e laboratorëve të akredituar dhe rezultateve të besueshme, si dhe të një sistemi funksional për kategorizimin e operatorëve të biznesit ushqimor, që ndihmon në orientimin e kontrolleve mbi bazën e riskut dhe në përmirësimin e subjekteve sipas kërkesave evropiane.
Drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së, Blerina Gjylameti, nënvizoi se siguria ushqimore mbetet një prioritet kombëtar dhe një përgjegjësi e përbashkët në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. Ajo shtoi se përmbushja e standardeve të BE-së është një angazhim i domosdoshëm, i lidhur drejtpërdrejt me mbrojtjen e shëndetit dhe forcimin e besimit të qytetarëve.