Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, gjatë fjalës së saj në Kuvend, u shpreh se po ndjek nga afër situatën e krijuar në veri të Kosovës, teksa theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar me aleatët e partnerët që situata të mos përkeqësohet më tej.
“Në këtë pikë është e domosdoshme që të ruhet qetësia. Ne po bëjmë përpjekjet tona aktive që lirimi i tre policëve të kufirit të ndodhë, pasi ata nuk kanë bërë absolutisht asnjë vepër penale. Shqipëria duhet të mbajë një qëndrim konstruktiv, të vetmin qëndrim në fakt, që e shtensionon situatën dhe e mbështet realisht Kosovën”, tha ajo.
Sipas kryediplomates Xhaçka, është e domosdoshme që qeveria e Kosovës të dëgjojë partnerët ndërkombëtarë për shtensionimin e situatës.
“Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga e vetme drejt paqes. Në këtë proces Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të kontribuar me çdo mjet dhe më të gjithë mundësitë e saj, në mënyrë konstruktive, por jo duke vazhduar në rrugën e përplasjes me të gjithë miqtë e aleatët, sepse nga kjo Kosova nuk mund të dalë kurrë e fituar”, u shpreh ajo.
Qeveria shqiptare dhe MEPJ vazhdojnë të jenë në kontakt të ngushtë me të gjithë aleatët dhe partnerët për këtë ngjarje, teksa pritet edhe zbardhja e plotë e hetimit të KFOR lidhur me arrestimin e tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe.