Situata nga reshjet intensive nën kontroll, forcat në gatishmëri të plotë në Durrës dhe Lezhë
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mblodhi sot në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, ku u diskutua situata e krijuar nga reshjet intensive të shiut gjatë 24 orëve të fundit në vend.
Ministri bëri të ditur se situata e krijuar nga reshjet intensive në disa zona të vendit, veçanërisht në Durrës dhe Lezhë, është aktualisht nën kontroll, ndërsa strukturat shtetërore mbeten në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo përkeqësimi të mundshëm.
Në Durrës, problematikat janë evidentuar kryesisht në zonën e Kënetës dhe Spitallës, si dhe në disa zona urbane, ku janë kryer ndërhyrje pranë banesave dhe është kufizuar përkohësisht aksesi në disa shkolla për shkak të pranisë së ujit. Për përballimin e situatës, nga Komanda Mbështetëse e Forcave të Armatosura janë angazhuar 16 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 2 motopompa dhe 4 mjete operative, ndërsa në Shijak janë dislokuar 8 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse dhe 1 mjet transporti.
Ndërkohë, janë nisur drejt Durrësit forca dhe mjete shtesë, konkretisht 6 efektivë, 3 mjete me kalueshmëri të lartë dhe 2 motopompa, për të përforcuar kapacitetet ndërhyrëse në terren dhe për të garantuar reagim të menjëhershëm në rast përkeqësimi të situatës.
Në Lezhë, vëmendja është përqendruar në zonën e Gjadrit, ku prurjet e basenit rrezikojnë zonat bujqësore. Monitorimi po kryhet në kohë reale, ndërsa janë rritur kapacitetet operative për të parandaluar përmbytjet.
Ministri Vengu theksoi se, pavarësisht vijimit të frontit meteorologjik gjatë pasdites, mbrëmjes dhe ditës në vijim, nuk janë konstatuar probleme në argjinatura, falë ndërhyrjeve parandaluese të muajve të fundit. Mjetet e drejtorive të kullimit mbeten në gatishmëri sipas nevojave të bashkive dhe prefekturave.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se strukturat në varësi të ministrisë, përfshirë shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve dhe bordet e kullimit, janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës, veçanërisht në zonat e prekura nga përmbytjet bujqësore në Lezhë dhe Durrës, ku aktualisht janë raportuar disa hektarë tokë të përmbytura. Sipas tij, ndonëse prurjet në Shkodër paraqiten më të lehta, strukturat po monitorojnë nga afër situatën për të parandaluar përkeqësime. Ministri Salla theksoi nevojën për koordinim të ngushtë mes prefekturave, bashkive, emergjencave civile dhe bordeve të kullimit, për të parandaluar daljen nga shtrati të kanaleve kryesore dhe për të shmangur rrezikun për banesat. Ai bëri të ditur se do të jetë në terren së bashku me Ministrin e Mbrojtjes për monitorim të vazhdueshëm dhe ndërhyrje të menjëhershme, nëse situata do ta kërkojë.
Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me Mekanizmin Kombëtar të Emergjencave Civile, OSHEE-n dhe Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, po garantojnë funksionimin e pandërprerë të infrastrukturës kritike, ndërsa po vijojnë shkarkimet e kontrolluara në kaskadën hidroenergjetike për të shmangur përmbytje të mëdha.
Të gjithë hidrovorët, nga Lezha deri në Vlorë, janë në funksion të plotë. Shërbimi i urgjencës mjekësore dhe Policia Rrugore janë në terren për të garantuar sigurinë dhe ndihmën për qytetarët.
Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal dhe bashkëpunim me autoritetet, ndërsa Qendra Operacionale Kombëtare e Emergjencave Civile do të vijojë informimin periodik të publikut mbi zonat me rrezik të shtuar.