Situata në vend datë 22 janar 2023, ora 12:00
Ditën e sotme dhe të nesërme do të vijojë reshje shiu në të gjithë vendin.
Në qarqet Kukës, Shkodër, Dibër, Korçë dhe Gjirokastër do të kemi reshje borë me intensitet të ulët dhe mesatar. Temperaturat minimale do të shkojnë në minus 3 gradë. Pas datës 24 moti parashikohet me kthjellime dhe alternime vranësirash.
Nga raportimet në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile situata ditën e sotme paraqitet më e qetë në krahasim me ditët që lamë pas.
Nivelet e lumenjve edhe sot janë nën nivelin kritik, duke mos paraqitur rrezikshmëri për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre.
Kuotat e lumit Drin në pikëmatjen në Lezhe është në nivelin 0,7 m nga 2 m që është niveli kritik.
Në Shkoder në hidrometrin Ura e Bahçallëkut shënon kuotën 6,1 m nga 7,5 m që është niveli kritik.
Niveli i liqenit në hidrometrin Ura e Bunës shënon kuotën 8,25 m nga 8,7 m që është niveli kritik.
Shifrat krahasuar me ditën e djeshme janë në ulje.
Shkarkimet nga kaskata e Drinit sot janë 300 m3/s.
Në digën Ura e Fanit, vazhdojnë shkarkimet me 80 m3/s, ndërsa hidrocentralin e Shkopetit vazhdojnë shkarkimet 220 m3/s
Vijon pa ndërprerje funksionaliteti i hidroforëve të cilët po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk paraqesin problem për përmbytje.
Për sa i përket furnizimit me energji elektrike ka problematika vetëm në disa zona rurale të qarqeve Elbasan, Berat, Kukës dhe Shkodër.
Strukturat e OSHEE janë duke punuar në terren pa ndërprerje për të rikthyer energjinë elektrike në kohë.
Furnizimi me ujë të pijshëm vijon normalisht në të gjithë vendin.
Problematikat në qarqe si pasojë e kushteve të motit janë:
Në qarkun e Shkodrës sipërfaqja e përmbytur është 1220 ha, ku 1200 ha janë në njësinë administrative Ana e Malit dhe 20 ha në njësinë administrative Dajç.
Në qarkun e Lezhës uji ka filluar tërheqjen nga zonat e përmbytura duke e çuar sipërfaqen e përmbytur në 530 ha nga 770 ha që ishte ditën e djeshme, në ish – kënetën Gjonem 200 ha, në njësinë administrative Balldren 180 ha dhe në njësinë Zejmen 150 ha.
Për sa i përket infrastrukturës rrugore, vijon qarkullimi normalisht në të gjitha rrugët nacionale. Ka prezencë dëbore në pjesën me të madhe të tyre, për të cilat firmat kontraktore po punojnë për pastrimin dhe kriposjen e tyre me qëllim vijimin normal të qarkullimit rrugor.
Vijon të mbetet i bllokuar nga ortekët e dëborës aksi Bogë – Theth, ku ndërhyrja është e pamundur.
Rruga e Obotit vijon me prezencë uji edhe ditën e sotme me një nivel 60 cm, për të cilën është në gatishmëri një mjet i kalueshmërisë së lartë i FA, që mundëson transportin në atë rruge.
Gjithashtu Rruga e Arbrit ditën e djeshme ka qenë e bllokuar si pasojë e reshjeve pandërprerje të borës, ditën e sotme vijon qarkullimi normalisht.
Nuk kanë munguar edhe rëniet e inerteve dhe gurëve në rrugët nacionale dhe rurale për të cilat strukturat vendore dhe firmat kontraktore kanë ndërhyrë në kohë për pastrimin e tyre.
Janë dëmtuar: ura në fshatin Bardhaj të bashkisë Shkodër, ura e Gjinajve në njësinë administrative Vig – Mnelë të bashkisë Vau – Dejës, ura që lidh fshatin Kolsh dhe lagjen Malësia në bashkinë Lezhë dhe ura në vendin e quajtur Kodër – Mulliri, po në këtë bashki.
Për menaxhimin e çdo lloj situate vijon angazhimi dhe gatishmëria e të gjitha strukturave operacionale dhe të drejtorive vendore. Janë angazhuar deri më tani në nivel qendror 50 forca ushtarake me 7 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe mjete të tjera. Është siguruar mbështetja humanitare me 700 pako ushqimore, 900 batanije dhe 10 çadra për të gjitha bashkitë e qarkut Dibër.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë monitorimin, koordinimin dhe angazhimin për të siguruar reagimin në kohë dhe mbështetjen e nevojshme për pushtetin vendor. Duke marrë shkas dhe nga një ngjarje e ditës se djeshme, ku mbeten të bllokuar 5 mjete me turiste vendas në Tomorr, për të cilët u kujdesën në kohë Policia e Shtetit dhe Forcat Zjarrfikëse, të shmangen udhëtimet me qëllime turistike në zonat ku ka prezence dëbore, të shmangen kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të lëvizet me goma dimërore dhe zinxhirë sipas rekomandimeve të strukturave të qarkullimit rrugor dhe të njoftojnë strukturat vendore dhe operacionale në çdo rast nevoje