Skema mbështetëse ndaj sektorit të peshkimit me teknologji të reja dhe subvencionimin e naftës, i ka dhënë frytet e veta në rritjen e eksporteve të produkteve të peshkut dhe të ardhurave në familjet e peshkatarëve. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ishte në portin e peshkimit në Shëngjin, të Lezhës ku takoi peshkatarët dhe përpunuesit e peshkut, disa prej të cilëve, përfitues nga masat e Skemës Kombëtare të Mbështetjes për rinovimin e anijeve të peshkimit. Ministrja vizitoi nga afër anijen e Erjonit, i cili e ka trashëguar këtë profesion nga babai i tij dhe nëpërmjet mbështetjes nga skema kombëtare e financimit e ka rinovuar tërësisht infrastrukturën e anijes, me një vinç të ri dhe teknologji moderne që e kanë ndihmuar atë të rrisë produktivitetin dhe të shtojë kontratat e eksportit me kompani lider të tregut europian.
Erjoni është gjithashtu përfitues edhe i mbështetjes me dyzet lekë për litër të karburantit për anijet e peshkimit. Ministrja Krifca tha se, “përmes kësaj mase, vitin e kaluar janë mbështetur me vlerën totale 200 milionë lekë peshkatarët në të gjithë vendin”. Krifca garantoi peshkatarët se financimet dhe mbështetja për ta do të vijojnë.
“Ky sektor është mbështetur përsa i përket vështirësive që ka kaluar, edhe për shkak të rritjes së çmimit të naftës ku u realizua subvencioni me 40 lekë për litër dhe peshkatarët patën mundësi që të vijonin pa ndërprerje punën e tyre”, u shpreh Krifca. Ministrja tha se “ne këtë mbështetje kemi filluar ta ofrojmë vitin e shkuar përmes AZHBR ku kanë përfituar 35 peshkatarë, të cilët kanë rinovuar anijet e tyre, ndërsa me projekte të tjera kemi mbështetur rreth 260 anije”. Sipas saj, skema e naftës për anijet e peshkimit ishte një mbështetje thelbësore që u dha vitin e kaluar.
Krifca, vlerësoi punën heroike që bëjnë peshkatarët, për të ofruar ushqime cilësore, të cilat shijohen nga konsumatorët vendas por dhe turistët e huaj. “Ky është një sektor që ka vështirësi për të përthithur frymë të re dhe rini, ndaj ndihemi krenar për punën tuaj. Mbështeja do të vijojë edhe më tej përmes skemave tona, ndërsa përsa i përket legjislacionit, kemi punuar dhe po punojmë për ta përafruar edhe me standardet e Bashkimit Evropian”, deklaroi ministrja Krifca.
Erjoni është një prej përfituesve të shumtë, biznesi i të cilit tashmë është rritur falë investimit që garanton sigurinë e produktit.
Ai thotë se është 4-5 ditë të javës në det dhe në sajë të mbështetjes së dhënë këtë vit ka një vinç të ri dhe ka realizuar rinovimin e anijes, zëvendësimin e pjesëve dhe lyerjen e saj.
Për peshkatarët fondet e MBZHR shihen si një mbështetje e rëndësishme për të rritur të ardhurat familjare.
“Me rritjen e numrit të turistëve kemi më shumë kërkesa për produkte në këtë periudhë dhe vinç i ri na ndihmon në kursimin e kohës për mbledhjen e rrjetave të peshkimit”, u shpreh Erjoni.
Për rinovimin e anijeve të peshkimit, peshkatarët u rimbursuan nga shteti në masën 50% e totalit të investimit. Ndërsa 200 mln lekë është vlera e naftës së financuar për peshkatarët.