Kryeministri Edi Rama ishte sot në Slloveni, ku mori pjesë në punimet e Forumit Strategjik të Bledit, platformës globale gjithëpërfshirëse për gjenerimin e ideve dhe shkëmbimin e pikëpamjeve mbi shoqërinë bashkëkohore dhe të ardhmen e saj.
Kryeministri ishte i ftuar në panelin e liderëve, ku u diskutua rreth temës “Një botë e realiteteve paralele”, së bashku me Kryeministrin e Sllovenisë Robert Golob, Kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenkovic dhe Kryeministrin e Serbisë Milos Vucevic, nën moderimin e Ali Aslan, Gazetar dhe prezantues programesh televizive.
Në nisje të panelit, përshëndeti të ftuarit Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
* * *
Ali Aslan, Moderator: Jam shumë i kënaqur të pres 4 udhëheqës të fortë e të dalluar nga rajoni në këtë panel. Ju lutem urojini mirëseardhjen kryeministrit të Sllovenisë Robert Golob, Andrej Plenkovic, Kryeministër i Kroacisë, Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, Kryeministrit të Serbisë Milos Vucevic. Gjithnjë kënaqësi të shihemi. Kënaqësi që iu kam këtu. Është e mrekullueshme që iu kam këtu të gjithëve me ne. Kryeministër Rama sa herë jemi në skenë të dy gjërat bëhen virale kjo është arsyeja përse më kanë vendosur afër jush.
Kryeministri Edi Rama: Se kemi rrënjë turke të dy.
-Ja ku e gjetëm. Kryeministër Rama vendi juaj ka çelur apo BE-ja ka çelur bisedimet me vendin tuaj.
Kryeministri Edi Rama: Shtetet e Bashkuara?
-Jo shtetet e Bashkuara, BE-ja. Thashë SHBA-ja. Sot më duket sikur jam
Kryeministri Edi Rama: Sepse punoni për ta!
– Punoja për CNN dhe ABC Neës.
Kryeministri Edi Rama: Po punove njëherë për ta punon gjithmonë për ta.
-Më duhet ta shoh. Pagesat nuk më kanë arritur muajin e kaluar. Do ta shoh!
Kryeministri Edi Rama: Kujdes se kur nuk vjen pagesa, vjen ndonjë e keqe.
– Jam në shoqëri të mirë këtu.
Kryeministri Edi Rama: I sigurt, po, po. E kontrollojnë ata sigurinë këtu. Është një vend i pavarur.
-Kryeministër. Le të kthehemi në drejtimin e duhur nëse mundemi vetëm për një sekondë dhe për zgjerimin e BE-së.
Kryeministri Edi Rama: Së pari ua kam thënë pak ditë më parë në Pragë dhe ua them edhe këtu. Kur fton njerëz nga Ballkani mos vini më kronometra aty përballë sepse është shumë gjermane, nuk më pëlqen.
– Sllovenët e kanë vënë, jo gjermanët.
Kryeministri Edi Rama: Dhe ata janë shumë gjerman, po ti je Ali Aslan dhe të qenit shumë gjerman nuk është gjë e mirë. Kjo është arsyeja përse amerikanët të kanë rekrutuar lehtësisht.
– E shoh se si do të “shkatërrohet” reputacioni im, falë jush.
Kryeministri Edi Rama: Jo, jo tani e ke më mirë do t’iu ftojnë më shumë.
-Kryeministër përpjekja e dyta për t’u kthyer aty ku duhet. Do të kemi një Komisioner me kohë të plotë të ngarkuar me zgjerimin, diçka për të cilën keni luftuar për shumë vite dhe është lajm i mirë.
Kryeministri Edi Rama: U ndjeva i inkurajuar sepse së fundmi dëgjova dikë tjetër e në këtë rast dikë që flet në emër të një shteti anëtar që tha se, apo tha diçka që e them që ditën e parë kur vjen fjala për hapjen e Ballkanit që është “puna e zellshme” e Vladimir Putinit. Ishte Vladimi Putini, të cilit iu desh të pushtonte një vend për të ndihmuar BE-në të kuptojë që jeton në një botë paralele sepse ky është edhe titulli i forumit, apo jo? Këto botë paralele tashmë po pranë vendosen dhe ajo çfarë Ursula tha është absolutisht e vërtetë dhe është po kështu mjaft inkurajuese sepse një vit më parë këtu në Bled, ajo premtoi Planin e Ri të Rritjes e tashmë ky Plan i Ri i Rritjes është vënë në rrugën e duhur dhe jemi shpresëplotë që edhe më shumë gjëra do të ndodhin. Ndërkohë që, na duhet të kryejmë të gjithë punën neurotike për t’u konsideruar të gatshëm për të hyrë në Bashkimin Europian, duhet të marrim më shumë instrumente e të hyjmë në hapësira të ndryshme të Bashkimit Europian që përpara këtij Plani të Ri Rritjeje ishte diçka e palejuar për ne. Është një moment ku ndihem, pra të ndihesh pozitiv.
-Për Bashkimin Europian është e vërtetë. Natyrisht Shqipëria ka qenë e palëkundur për tu bërë anëtare e BE-së dhe natyrisht nëqoftëse nuk do të kishim pasur agresionin Rus kundër Ukrainës, ky moment, nuk do të ishte kështu siç është.
* * *
-Kryeministër, për ta përmbyllur këtë këndvështrim Rusi-Ukrainë këtu, vendi juaj si Sllovenia si shumë vende të tjera në këtë kontinent…
Kryeministri Edi Rama: Çfarë do të thotë që ne na pëlqen Sllovenia apo jemi si Sllovenia?
-Po sigurisht që ju i pëlqeni, ne i duam shumë ata. Ju qartësisht i vlerësoni Slloveninë dhe Forumin e Bledit por çka është më e rëndësishme ashtu si Sllovenia apo dhe vëmë të tjera europiane, keni qenë të qartë për mbështetjen tuaj drejt Ukrainës. Keni nënshkruar traktate partneriteti me vet presidentin Zelensky, e keni natyrisht përmendur edhe pjesën e historisë e vendit tuaj. A rrjedh prej historikut tuaj kjo mbështetje për Ukrainën?
Kryeministri Edi Rama: Jo, nga historia jonë kemi mësuar se në Rusi muzika nuk ndryshon kurrë, melodia nuk ndryshon kurrë dhe po kështu kjo është dhe në historikun e himnit të Rusisë për të cilën patëm mundësi dhe të flisnim sepse kur Stalini donte tekstin e himnit kishte nevojë për diçka shumë të fortë, shumë brutale. Kur erdhi Krushovi pastaj dhe mendoi se disa gjera duhet të ndryshonin dhe Stalini duhej të lihej një farë soji mënjanë i kërkoi të njëjtit autor të himnit të shkruante një tjetër tekst. Pastaj kur erdhi Jelcini nuk kishim më Bashkim Sovjetik dhe i njëjti autor, ishte mjaft i moshuar, erdhi të shkruante një tekst tjetër. E po kështu Putini donte një tekst ndryshe por melodia, muzika është po e njëjta. E mësuam në kurriz sepse nuk ishim njësoj si gjithë të tjerët këtu, ishim tërësisht të izoluar, qoftë nga Perëndimi, ashtu dhe nga Lindja, ishim Korea e Veriut e Europës.
Dhe të qenit të qartë është mënyra sesi funksionojmë. Ishim të qartë për Perandorinë Osmane edhe pasi turqit vetë vendosën që s’ishte më ide e mirë. Ishim të qartë edhe për Stalinin edhe kur rusët vendosën që ai nuk ishte më një ide e mirë. Do të jemi po kaq të qartë kur vjen fjala për partneritetin me BE dhe SHBA edhe kur SHBA dhe BE të vendosin që të mos jetë një ide e mirë.
Jemi tërësisht në krah të Ukrainës dhe për një arsye shumë të thjeshtë sepse duket surreale, jashtë realitetit që në kohët tona një vend në Europë të mund të ndryshojë kufijtë në mënyrë mizore, me forcë duke marrë atë çka pretendon që është copë apo pjesë e saj, kjo është krejt e pamundur për ta menduar. Megjithatë jemi mjaft të vetëdijshëm se jemi shumë të vegjël për të ndryshuar fatin e ndokujt. U përpoqëm për 50 vjet të ishim qendra e botës dhe nuk ishte ide e mirë kështu që jemi shumë krenar që tashmë jemi radhitur krah partnerëve dhe miqve tanë plotësisht krah SHBA si ju dhe natyrisht dhe BE dhe për ne është shumë e qartë, nuk ka asnjë lloj grije në mes, është bardhë e zi.
Dua të shtoj diçka që nuk e kuptoj në të vërtete sa u takon vendeve demokratike, flas për demokracitë e mëdha jo ne, dhe është kjo gjëja që e përsërisim dhe e përsërisim “ndërhyrja ruse, Rusia këtu, Rusia atje”. Dëgjova po kështu edhe presidentin e forumit të Bled që tha “besoj te njerëzimi”, megjithatë kur e sheh sesi po depërtojnë kudo rusët përmes mjeteve që ua sigurojmë apo që ua japim falas, duke shkatërruar çdo ditë fëmijët tanë, duke shkatërruar çdo ditë ndjenjën e komunitetit, ndjesinë e komunikimit, ndjenjën e vet demokracisë dhe po flas për median sociale këtu, nuk e kuptoj më se çfarë duhet të ndodhë për të kuptuar që media sociale në mënyrën sesi po e trajtojmë dhe po merremi me të, është aseti më i madh që rusët, iranianët a kushdo tjetër kanë. Do të ndalesha tek varianti i tik-tok në Kinë, është një realitet i mrekullueshëm aty. Një vend ku do doje të jetoje menjëherë. Për ne, varianti ynë i tik-toku-ut kinez është ferri në tokë dhe e quajmë liri, nuk e di si e quajmë, por për aq kohë sa nuk do të arrijmë të kuptojmë që liria e shtrirjes, e përhapjes nuk është e barasvlershme me lirinë e fjalës, ne do të sabotojmë – dhe do të përdor një fjalë që e përdorin, e kanë qejf rusët – do sabotojmë të ardhmen, ne emër të diçkaje që nuk arrij ta kuptoj. Dhe nuk mendoj që prindërit tanë ishin budallenj e breza e breza prindërish ishin budallenj që iu kërkonin fëmijëve të silleshin me edukatë, të mendonin dy herë para se të flisnin, të mos tregonin në publik çdo gjë dhe kam përshtypjen që shtypi nuk ishte më pak i lirë, kur kishte kontroll faktesh, kur nuk kishte asnjë mundësi që të dilje aty dhe të fyeje, të abuzoje e t’i bëje të gjitha gjërat më të tmerrshme një qenieje tjetër njerëzore vetëm sepse ke një mendim ndryshe nga ai ose nga ajo. Këtu mendoj që po na rreshket çështja që rusët dhe të gjithë ata që nuk iu pëlqen mënyra jonë e jetesës, iu është hapur dera lirisht në hapësirën tonë fantastike.
* * *
-Sigurisht, tek roli i Evropës që ju e theksuat me të drejtë, është të tejkalojë dallimet historike dhe kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Fakti për shembull që Franca dhe Gjermania pas ’45 u bënë bashkë për t’i dhënë fill këtij unioni, mund të shërbeje si shembull edhe për vendet e tjera në rajon, sidomos në një skenë të tillë globale, me çështje të tilla si klima, e të tjera që nuk mund t’i trajtojmë nëse kemi kaq shumë konflikte. Kryeministër Rama, mesazh për brezin e ri?
Kryeministri Edi Rama: Koha tregon 00-00 dhe tani kërkon që unë të jap mesazh për brezin e ri? Dy minuta. Jo, më duhet ta them shumë sinqerisht që kur kam qenë shumë i ri a në moshën e këtyre njerëzve që ngritën dorën, urreja që më të vjetrit të më thonin “ky është mesazhi im”. Ndërkohë që më dhatë kohë për të menduar përgjigjen, po mendoja që të gjitha vendimet më të mira në jetë i kam marrë kur nuk kam ndjekur këshillat e atyre që ishin më të moshuar se unë. Pra nuk do të isha këtu, meqë ra fjala po të kisha dëgjuar mesazhet e atyre më të mëdhenj se unë. Po thënë kjo, dua të them diçka, i vetmi ndryshim që shoh e që është për të ardhur keq midis kohës kur isha në moshën e tyre, është se sot të rinjtë kanë shumë më pak besim te politika dhe bëjnë një gabim të madh sepse kur mendon se politika nuk është diçka me të cilën nuk duhet të merresh sepse është e pisët, është e keqe, sepse përfaqësohet nga njerëz si ata që kanë mesazhe, humbet qëllimin, humbet në fakt argumentin; nuk i shpëton dot politikës. Politika të ndjek nga pas gjithmonë. Ke dy alternativa; ose mund të jesh aty në errësirë, të ngresh dorën, të marrësh mesazhin e të duartrokasësh mesazhin që praktikisht nuk e di se çfarë do të thotë dhe më pas vuan vendimet që merr politika ose del në skenë dhe angazhohesh me politikën.
Një prej dëmeve më të mëdha dhe do t’i kthehem dhe një herë asaj çka thashë për median sociale, të gjitha këto, është të diskreditosh politikën ditë pas dite; të thuash që çdo gjë që bëjnë politikanet është e tmerrshme, politikanët janë njësoj, janë hajdutë, janë kriminelë dhe të krijosh idenë që ka një jetë më të mirë në një hapësirë jashtë politikës. Nëqoftëse hapësira e politikës nuk do të bëhet më e mirë, hapësira jashtë saj do të bëhet shumë, shumë më e vështirë. Për t’ju dhënë një ilustrim e për t’i dhënë fund sepse kur tund kokën ashtu, di që po mendon gjëra që nuk do t’i thuash dhe më mirë të mos i thuash, shihni çfarë bën politika kur nuk është në pozitën e duhur, çfarë bën në Ukrainë. Ne duhet të fitojmë, Ukraina duhet të fitojë , fitorja është e vetmja alternativë, pastaj do t’ju japim këtë armë, por do ta përdorni vetëm në këtë drejtim dhe vetëm për kaq metra; do t’ju japim këto lloj plumbash, por mund t’i përdorni vetëm për këtë qëllim; do t’ju japim këtë lloj rakete dhe duhet ta hidhni, por jo ta hidhni këtej. Është njësoj si të hysh në një fushë futbolli dhe të duhet të luash me një skuadër shumë të fortë dhe i jep skuadrës tënde një atlete, tjetra këmbë është pa këpucë dhe pastaj thua “mos përdor këtë, mos përdor atë’’. Ose jemi plotësisht krah tyre dhe ju japim çdo gjë për të cilën kanë nevojë dhe ua japim tani në vend që t’u japim çdo herë diçka më shumë pasi kanë pësuar një dëm të madh ose do të gjejmë rrugën për t’i bërë gjërat bashkë. Po bërja e dy gjërave në të njëjtën kohë, praktikisht po sjell po kaq dëm sa dhënia e mundësive dikujt tjetër. Pra, kjo skizofreni midis vlerave, parimeve, sjelljeve politike bazuar në shumë, shumë arsye të tjera, duhet të marrë fund nëqoftëse duam që Ukraina të fitojë, në të kundërta do të vijë koha që do të shkruhet në libra dhe e vërteta do të jetë shumë më e hidhur sesa ajo kur je në një dhomë ekologjike e kur pretendon fitoren.
-Faleminderit shumë për fjalët tuaja kaq të fuqishme.
* * *
Fjala e Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen: Kryeministër Golob, Robert faleminderit shumë që më çuat në Crna sot në mëngjes. Pata mundësinë ta vizitoja Crnën e të kthehem në Slloveni për të parë bukurinë e mrekullueshme të Sllovenisë. Isha aty vitin e kaluar menjëherë pas përmbytjeve shkatërrimtare dhe që është pasojë e ndryshimit klimaterik. Është diçka për të cilën nuk duhet ta gënjejmë veten, do ta shohim më shpesh dhe më ngrohu zemrën të shihja se sa përparim ishte bërë krahasuar me vitin e kaluar. Vitin e kaluar, shkatërrimi, rrënimi, gjithçka e mbuluar me baltë, njerëzit ishin të dëshpëruar sigurisht. Ndërsa sot, rindërtimi, rimëkëmbja, bashkëpunimi, njerëz të jashtëzakonshëm me solidaritet që punonin krah njëri-tjetrit ishte ajo çfarë pashë dhe vërtet, ta dini që Europa është krahë jush dhe munda të siguroj banorët e Crnës dhe të Sllovenisë, natyrisht që Europa do të jetë krahë jush për të punuar për rimëkëmbjen, rindërtimin pas këtyre përmbytjeve shkatërrimtare. Mund të mbështeteni te ne. Jam shumë e kënaqur që shoh këtu kryeministrin Plenkovic, i dashur Andrej, po të lutem, të gjithë kroatët në sallë duartrokitje. Kryeministër Rama, i dashur Edi, sërish një duartrokitje. Kryeministër Vucevic, nuk jemi takuar personalisht deri tani, por shumë shpejt do të kemi një takim dypalësh. Shkëlqesi zonja dhe zotërinj, duartrokitje dhe për të.
Ky forum është shndërruar në një traditë dhe po kështu është dëshmi e udhëheqjes globale të Sllovenisë, e njëjta udhëheqje që të gjithë e kemi parë në veprim këtë vit gjatë punës suaj në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara. Fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm Guterres flasin vetë për këtë. Keni qenë një ndërmjetës i ndershëm në kohë të turbullta, kështu që urime juve i dashur Robert dhe ministres suaj të Jashtme, zonjës Fajon. E keni bërë Slloveninë që të dallojë në skenën globale. Urime për këtë!
Titulli i forumit të sotëm të Bledit është: “Bota në realitete paralele” dhe po është një vlerësim në fakt që na zgjon dhe që është bërë. Është një moment frakture për botën dhe një prej atyre çarjeve është hapur në kontinentin tonë. Rusia ka vendosur të djegë urat me fqinjët europianë me fqinjët europianë, duke pushtuar një vend të pafajshëm. Putini dhe njerëzit e tij kanë treguar se nuk besojnë në një rend global mbështetur në rregulla.
Zonja dhe zotërinj,
Më është kërkuar që të përqendrohem në Ballkanin Perëndimor dhe jam shumë e lumtur që ta bëj këtë. Për vite të tëra, për kohë të tëra ka qenë një kufi mes botëve lindjes-perëndimit, jugut e veriut. Por brezat e rinj kanë zgjedhur një rrugëtim tjetër. Kanë zgjedhur të jenë pjesë e një familjeje të përbashkët europiane. Kanë zgjedhur të udhëtojnë, të tregtojmë së bashku, të lulëzojmë së bashku me fqinjët europianë. Udhëheqja aktuale ruse që jeton në të shkuarën e refuzon ta pranojë këtë realitet të thjeshtë. Sa herë që ka progres drejt pajtimit dhe integrimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, Kremlini përpiqet të trazojë ujërat e konflikteve të vjetra. Rusia është vazhdimisht në punë për të mbjellë përçarje brenda Ballkanit Perëndimor dhe midis Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Europës, por zonja dhe zotërinj, shumica dërrmuese e njerëzve në Ballkanin Perëndimor nuk duan fragmentarizim.
Ata duan integrim dhe kjo është ajo çfarë duhet t’u japim atyre.
Gjatë mandatit të parë të komisionit Europian, zgjerimi u kthye në krye të agjendës sonë politike. Le të jemi të qartë shumë. Lufta e shkallës së plotë së Rusisë në Ukrainë, është një pikë kthese për Europën si ajo në 1989 edhe pse jetojmë në një botë ndryshe dhe jemi të detyruar të rikonceptojmë objektivat dhe politikat tona. Në qoftë se duam ta bëjmë Europën ekonomikisht konkuruese dhe të aftë të mbrojë veten dhe në qoftë se ky është objektivi ynë thelbësor, atëherë e shoh integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian si thelbësisht të rëndësishëm.
Në epokën e rivaliteteve gjeostrategjike, një Bashkim më i madh Europian na jep një zë më të fortë në botë. Një treg më i madh i përbashkët rrit konkurueshmërinë tonë dhe natyrisht dhe pozitën tonë si partner tregtar. Na jep mjetet për t’iu përgjigjur shantazheve dhe konkurencës së pandershme. Na jep një fuqi blerëse të përbashkët më të madhe. Zgjerimi është një investim në forcën dhe sigurinë tonë kolektive.
Me fjalë të tjera, ne duam një Europë të fortë, konkurruese e të sigurt dhe nëse e duam këtë, kjo përfshin Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë në këtë Bashkim Eeuropian dhe të gjithë ata, aspiratat europiane të të cilëve, përputhen me veprat e tyre dhe ja pse, ne i kemi dhënë jetë të re procesit të zgjerimit. Kemi nisur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kemi nisur bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, Bosnje-Hercegovina mund të jetë tjetra në radhë dhe dua të falenderoj shprehimisht Slloveninë për punën e pareshtur për këtë gjë. Faleminderit shumë për këtë! Jeni vërtet një mik i mirë i Bosnje-Hercegovinës.
Ishte ky arsyetim strategjik që na shtyu të rikonceptonim strategjinë tonë të zgjerimit dhe të dilnim me idenë e një integrimi gradual. Saktësisht një vit më parë, ne prezantuam Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe puna ka filluar të tregojë rezultatet e para dhe le të ndalemi për një moment dhe të kremtojmë këto arritje, të cilat ju udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, për të cilat ju duhet të jeni shumë krenarë.
Tirana është aeroporti me rritjen më të shpejtë në Europë.
Kompanitë europiane po vendosen në Serbi e Bosnje-Hercegovinë me një hap të shpejtë.
Kosova, reformat ekonomike të saj janë lëvduar nga FMN dhe po sjellin përfitime ekonomike.
Investime dhe infrastruktura në Maqedoninë e Veriut janë burim frymëzimi.
Mali i Zi sapo ka përjetuar rritjen e vlerësimit, kreditimit.
Deri në fund të vitit, tre prej jush mund të bëhen pjesë e hapësirës së përbashkët të pagesave. Kjo do të çojë në kursim mbi 500 milionë euro çdo vit, në momentin që jeni pjesë.
Të dashur miq!
Nuk është bërë as një vit qysh kur kemi formuluar këtë objektiv. Tashmë është një realitet që po na shfaqet dhe mendoj që duhet të jeni kaq krenarë për këtë. Urime për këtë punë.
Më vonë gjatë këtij muaji, 6 partnerët tanë do të miratojnë agjendat tyre të reformave, kanë identifikuar disa reforma me efekt të thellë e që priten duke filluar nga reforma në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, prokurimet publike, integrimi i tregjeve të energjisë. Këto agjenda reformash lidhen me 6 miliardë euro investime europiane. Çdo reformë do të ç’kyçë investime të reja ndaj ky plan rritjeje është i njëjti model si plani ynë i rimëkëmbjes, brezi i ardhshëm i BE-së, që do të thotë parimi është reformat marrin dhe investime dhe kur të gjitha këto reforma të jenë kryer, secili prej partnerëve do të marrë aq ndihmë për person sa ç’do të merrte Ballkani Perëndimor në kuadër të politikës së kohezionit të BE.
Ky është një hap shumë i madh përpara.
Po pse është kaq i rëndësishëm?
Është kaq i rëndësishëm sepse BE është në proces të rikrijimit të vetes në kontekstin e ri gjeopolitik dhe duam që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, të jenë pjesëtarë aktivë të bashkëbisedimit për të ardhmen e BE dhe duke qenë se kemi shumë miq këtu sot nga vendet kandidate, në auditor, më lini të jem shumë ë qartë; dua që puna jonë të përshpejtohet dhe më tepër . Në komisionin tjetër zgjerimi duhet të jetë punë me kohë të plotë që mundëson dhënien e një vëmendjeje të pashkëputur. Kësisoj emëroj një komisioner të dedikuar për zgjerimin, le ta shkruajmë së bashku te ardhmen.
Vullneti ynë politik për te integruar vendet e rajonit sa më shpejt të jetë e mundur, vjen krah vendosmërisë sonë të palëkundur që BE është një bashkësi demokracish. Çdo kompromis i parimeve tona demokratike, do të ishte fatal për arritjen e objektivave tona, qoftë nga ana e shteteve anëtarë të BE e vendet e Ballkanit Perëndimor.
Të dyja palët do të përballen me zgjedhje të forta.
Duhen zgjidhur çështjet dypalëshe. Integrimi në BE do të varet nga bërja apo marrja e vendimeve të vështira dhe ndonjëherë edhe jo popullore nga qeveritë. Po kjo është koha ku jetojmë. Të shtysh vendimet, do të thotë të marrësh vendime te gabuara. Por të marrësh vendime, të ecësh përpara që do të thotë të formësosh të ardhmen tonë, të qenit zotër të fateve tona, ky është thelbi i Evropës. Kjo është sfida me të cilin ne duhet të lundrojmë e të përballemi në një botë që është e fraksionarizuar.