“Smart City Albania”, një hap madhor drejt rritjes së sigurisë publike

Nis zbatimi i projektit “Smart City Albania”, një nga investimet më të avancuara teknologjike në fushën e sigurisë publike, i cili synon instalimin e një sistemi të integruar kamerash inteligjente në qytete, shkolla, rrugë dhe mjedise të tjera publike. Projekti do të vendosë Shqipërinë në nivelin më të lartë të standardeve ndërkombëtare të monitorimit dhe menaxhimit të territorit.

Gjatë prezantimit të projektit, Kryeministri Edi Rama theksoi se “Smart City” nuk është thjesht një sistem kamerash, por një transformim rrënjësor i kapaciteteve të Policisë së Shtetit, duke i dhënë asaj një kontroll të plotë dhe të menjëhershëm mbi territorin.

Projekti, i realizuar me mbështetjen strategjike të Emirateve të Bashkuara Arabe, pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, institucionet dhe sipërmarrjen, duke forcuar rendin, sigurinë dhe besimin publik.

***

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve!

Përpara pak kohësh isha për një vizitë në Jordani, një vend me një përbërje heterogjene, një vend me një numër jashtëzakonisht të lart refugjatesh, një vend jo me pasuri të krahasueshëm gjëkundi me vende të tjera rreth e rrotull dhe siç e tha edhe Albana, njëri nga 3 vendet më të sigurta të botës dhe kur fola me disa prej përfaqësuesve të lartë të atij vendi lidhur me sigurinë, fjala e përbashkët dhe e parë në përgjigje ishe “SmartCity” me teknologjinë nga Abu Dabi.

Ky nuk është një projekt kamerash, nuk është as një projekt mbikëqyrje me kamera dhe mbikëqyrjeje e trupave të Policisë përmes leximit të kameras kur del nevoja. Ky është një projekt që në sekondën kur fillon dhe vihet në jetë rrit në mënyrë eksponenciale kapacitetin policor në kohë reale. Ky është një projekt që i jep Policisë së Shtetit një sy magjik për të parë në kohë reale të gjithë territorin e interesit, është një projekt që ndihmon, në mënyrë të paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë, për të pasur një kryeinspektor të territorit që i ka sytë gjithandej.

Kur flitet për identifikimin në kohë reale të shkelësit, nuk flitet për një identifikim që vjen si rezultat i syve të punonjësve të Policisë që ndjek ekranin, por flitet për një identifikim në kohë reale nga ky sy magjik i cili e sheh, i cili e identifikon, i cili e regjistron, pra e shënon, i vendos një shenjë dhe e sjell para syve të punonjësve të Policisë. Ndërkohë që punonjësi i Policisë para ekranit mund të jetë duke para trafikun në rrugën e “Kavajës”, po në atë ekran i shfaqet shkelësi i rregullave të qarkullimit në rrugën “Myslym Shyri”, apo në një rrugë të Kamzës, apo në një rrugë të Durrësit, apo në një rrugë të Beratit, e kështu me radhë. Pra syri i gjithë këtij sistemi është një sy që shikon gjithandej në të njëjtën kohë dhe që mbledh në të njëjtën kohë të gjithë informacionin e nevojshëm për të sinjalizuar problemin.

Në këtë mënyrë nuk ka nevojë të presim nga postblloqet e policisë, të zbulojnë makinat e paregjistruara, nuk ka nevojë të presim nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor të Shqipërisë të mbledhë taksat e papaguara të drejtuesve të automjeteve, që në të kundërt mund të vazhdojnë t’i drejtojnë automjetet pa paguar taksat, pa regjistruar makinën sepse po s’i kapi syri njeriut, nuk i kap dot askush tjetër. Të gjitha këto informacione vijnë në kohë reale dhe Policia pastaj ndërhyn për të zbatuar ligjin bazuar në këto informacione.

Nuk ka nevojë që dikush të filmoj me kamera një punonjës policie që nuk përmbush standardet e komunikimit të një nxënësi të klasës së parë, sepse në kohë reale, kamera e trupit e një polici që është duke debatuar me një qytetar sjell debatin në sallë, në sallën operative. Bëhet e pamundur që kamerat të fiken dhe të ndizen sipas dëshirës, sepse një kamera e fikur sinjalizohet menjëherë në qendër.

Siguria në shkolla ndryshon rrënjësit, shembulli i miqve nga Emiratet, të cilët shumë bujarisht na e vunë në dispozicion këtë teknologji që është një teknologji e natyrës strategjike, është një shembull kuptimplotë qysh se ky sistem ka hyrë në shkolla, jo vetëm që kanë rënë në mënyrë drastike krimet e çfarëdo natyre, por mendojeni pak, kanë rënë në mënyrë drastike mungesat në shkollë. Po, jo vetëm kanë rënë në mënyrë drastike mungesat në shkollë, po kanë rënë në mënyrë drastike kopjet në shkollë. Po, jo vetëm kanë rënë në mënyrë drastike kopjet në shkollë, por kanë rënë në mënyrë drastike shfaqjet e kthimit të klasës në një kënd lodrash, sepse i gjithë sistemi është një sistem që funksionon për mësuesin, funksionon për prindin, funksionon dhe për shkollën dhe padyshim për Ministrinë e Arsimit.

Në momentin kur Policia e Shtetit ka nevojë të bëjë një verifikim të çfarëdo natyre, e ka të gjithë të regjistruar. Ashtu sikundër në sekondën kur një person i dyshuar i afrohet derës së shkollës, apo kur persona të padëshiruar vijnë vërdallë shkollës për të tregtuar lëndë narkotike, punonjësit e Policisë e shohin këtë në kohë reale.

Elementët e kriminalitetit të rrugës, që janë elementë të skeduar nga Policia e Shtetit, e kanë të pamundur të shkojnë ku të duan e të bëjnë çfarë të duan, nëse duan të shkojnë për të bërë keq dhe nëse duan të bëjnë keq, sepse janë nën sytë e Policisë gjatë gjithë kohës.

Natyrisht që kjo është një sfidë menaxhimi pa diskutim, natyrisht që unë e kam kuptuar shumë mirë dhe mesazhin e një pjese të atyre që duhet ta kishin çuar përpara këtë projekt pa humbur kohën që kemi humbur sepse është normale që një pjesë në Policinë e Shtetit të mos e dojë këtë projekt se ky projekt do bëjë të mundur që shumë nga ato gjëra që sot e gjithë ditën janë shqetësim për drejtuesit e Policisë, janë shqetësim për ne dhe bëhen shqetësim për qytetarët të bëhen të pamundura.

Do behet e pamundur që një makinë policie të përdoret për punë personale, se të gjitha makinat e policisë do jenë para syve të drejtuesve. Do jetë e pamundur që një makinë policie të shkojë të parkohet te shtëpia dhe po flas për gjërat më të thjeshta. Do jetë e pamundur që një makinë policie të shkojë të ndalojë përpara restorantit dhe punonjësit e policisë të hyjnë dhe të hanë drekë në restorant me uniformë. Dhe përsëri po flas për gjëra shumë të thjeshta dhe unë e kuptoj shumë mirë që ata që bënë çmos që ta shtyjnë dhe ta sabotojnë këtë projekt i kuptojnë këto dhe më mirë se unë se dinë shumë më tepër se unë sesa hile dhe sa poshtërsi mund të bëhen duke njollosur uniformën e Policisë së shtetit.

Ky projekt ndihmon të gjithë drejtuesit e ndershëm dhe të gjithë punonjësit e ndershëm të Policisë së shtetit dhe i ndihmon në radhe të parë duke ua larguar të gjitha hijet tunduese të së keqes. Kush do dojë t’i shmanget syve të Policisë së shtetit për të bërë keq, do duhet të mbulohet me ferexhe kur të dalë në rrugë, përndryshe nuk ikën dot asgjëkund. Nuk mund të ketë më makina që ikin në drejtime të paditura. Bëhet e pamundur. Bëhet thjesht e pamundur sepse syri për të cilin fola ka një rrjet mbulimi që në 20 bashkitë me problematika, me popullsi, me lëvizjet më domethënëse futet kudo. Futet kudo! Dhe jo rastësisht këto vende janë vendet më të sigurta të botës. Nuk është çështje e sistemit që kanë. Është çështja e sistemit të monitorimit dhe ky është sistemi i monitorimit që sjell kulmin e teknologjisë sot me gjithë inteligjencën artificiale në dispozicion të shtetit dhe qytetarit.

Sa e sa konflikte kemi ne sot në sistemin tonë arsimor pasi mësuesit kanë një variant, nxënësi ka një variant, prindi ka një variant për atë që ndodhi në klasë. Nuk ka nevojë fare! Vijnë të tre në drejtori, shtypet susta dhe shihet se çfarë ndodhi konkretisht dhe kush bëri çfarë, në atë moment që është bërë një moment për të diskutuar për konflikt.

Tragjeditë që kemi pasur me shkollat janë të lidhura me shumë arsye, por patjetër që lidhen dhe me faktin që mos pasja e pamjeve të qarta përpara e vështirëson pastaj jashtëzakonisht shumë punën e hetuesve dhe punën e Policisë. Me këtë sistem perimetri i oborrit të shkollës është 24 orë, në 24 njësoj sikur të kishte në të katra anët e shkollës punonjës Policie.

Edhe një element tjetër që ka shumë rëndësi, elementi që lidhet me pronën, me cënimin e pronës. Bëhet absolutisht shumë më transparente ajo që ndodh me rrugët kombëtare në radhë të parë. Aty ku rëndom në gjithë këto vite Policia Rrugore ka mbyllur sytë duke lejuar që të çahen rrugë e të hapen gropa e të bëhen lloj – lloj çudish pa leje në rrugët kombëtare. Kjo nuk e lejon më dhe me sistemin e administrimit që do të sjellin miqtë tanë të shtrenjtë nga Abu Dhabi për të ndihmuar ekipin që do menaxhojë, ka një protokoll shumë të qartë, që asnjë punonjës aty në sallë nuk i mbyll dot sytë për një gjë sepse gjëja nuk mbetet vetëm në sytë e tij.

Për pastërtinë, kemi problematikën e tmerrshme të hedhjes së mbeturinave gjatë sezonit turistik sidomos në anë të rrugëve kombëtare. Bëhet e pamundur sepse nëse sot ne i kemi gjobat por zbatueshmëria e tyre është shumë e vështirë në mos e pamundur për shkak se gjoba është individuale dhe o duhet ta shohësh njeriut aty kur e hedh mbeturinën e ta kapësh, ose se kap dot kurrë, ky sistem t’i sjell të gjithë njerëzit në rresht në ekran “ky, ky, ky” dhe nuk të sjell fytyra që ti duhet t’i identifikosh, të sjell fytyra të identifikuara. Ky sistem, ky sy pasi ju do i jepni të gjitha fytyrat e krimit, ky do t’i ndjekë vet. Është njësoj si t’ia japësh dikujt, t’ia prezantosh dikujt ti thuash “ky është personi” dhe pastaj ai e njeh dhe kudo ku e sheh, ta sjell dhe të thotë e ke në filan vend.

Është një revolucion që vjen në tërësinë e transformimeve që ne po mund të bëjmë falë bekimit të teknologjisë së lartë.

Është një revolucion që mori disa kohë për të ardhur në këtë ditën e sotme për shumë arsye të mos arsyes, por sot, me firmosjen e marrëveshjes fillon zbatimi. Dhe më herët se vonë do të fillojmë të shohim dhe rezultatet, por është e sigurtë që në harkun e dy viteve Shqipëria do jetë patjetër në nivelin e vendeve më të sigurta të botës dhe jo më të sigurta të botës në sensin që e shohim sot, por më e sigurtat e botës në sensin që do jetë shumë e vështirë për të lëvizur në rrugët e Shqipërisë për të bërë keq, do jetë shumë e vështirë në mos e pamundur.

Dua t’i falënderoj shumë të gjithë ata që kontribuuan për ta sjellë deri këtu këtë projekt sepse fatmirësisht nuk ishin të gjithë sabotator.

Nga ana tjetër dua të falënderoj shumë një mik shumë të madh të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, presidentin e Emirateve të Bashkuara sheikun Mohammed bin Zayed Al Nahyan i cili dha bekimin që Shqipëria ta merrte këtë teknologji.

Dua të falënderoj shumë të gjithë ekipin e jashtëzakonshëm dhe t’i kërkoj ndjesë për disa absurditete të procesit, por ne në Shqipëri jemi në një kohë absurditetesh. Përveçse këto lloj transformimesh sjellin rezistencë të brendshme nga ata që janë mësuar me sisteme të cilat i shfrytëzojnë për qëllime të tyret dhe dua po ashtu të bëj një falënderim të veçantë për ambasadorin. Unë kam filluar ta kem shumë problem të falënderoj ambasadorët, por ambasadorin e Emirateve të Bashkuara dua ta falënderoj shumë  sinqerisht sepse e ka shoqëruar procesin me shumë devocion edhe ka qenë shumë ndihmues.

Qeveria e Emirateve të Bashkuara është një qeveri mike e shtrenjtë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Shqiptarëve në Shqipëri dhe shqiptarëve në Kosovë meqë ra fjala. Dhe kam shumë besim që me ketë projekt, edhe bashkitë, këtu janë të pranishëm një pjesë e kryetarëve të bashkive, do të kenë një përfitim të jashtëzakonshëm. Po mbi të gjitha do të përfitojnë të gjithë shqiptarët e ndershëm, të gjithë qytetarët e drejtë, të gjithë sipërmarrësit që duan të bëjnë sipërmarrje të pa shqetësuar nga asgjë në ketë vend dhe edhe njëherë e përsëris, do të përfitojnë të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit.

Shumë faleminderit!