Spiropali në Stamboll, takim me homologun turk për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ndodhet në Stamboll, ku do të marrë pjesë në Takimin e Dytë të Ministrave të Jashtëm të Platformës për Paqe Ballkanike, me ftesë të homologut të saj turk, Hakan Fidan. Takimi synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe dypalësh, me fokus në ndërlidhjen infrastrukturore, sigurinë energjetike, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet e mbrojtjes. Platforma është një nismë e Turqisë që synon rritjen e koordinimit mes vendeve të Ballkanit në fusha me interes të përbashkët. Në kuadër të vizitës, ministrja Spiropali zhvilloi një takim dypalësh me ministrin Fidan, ku u diskutua thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë. Ajo theksoi se partneriteti strategjik mes dy vendeve pritet të marrë një dimension të ri me mbajtjen e takimit të tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial gjatë këtij viti. Spiropali nënvizoi gjithashtu rëndësinë e Samiteve të NATO-s, që këtë vit zhvillohet në Ankara dhe vitin e ardhshëm në Tiranë, duke i cilësuar si mundësi të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve aleate. Në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike, të dy ministrat vlerësuan domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit në fushën e sigurisë rajonale. Gjatë qëndrimit në Turqi, ministrja Spiropali pritet të zhvillojë edhe një takim me Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.