Spiropali vizitë zyrtare në Greqi: Shqipëria kërkon heqjen e ligjit të luftës dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, kërkoi në Athinë heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë nga Greqia, duke e cilësuar atë si një referencë ligjore atavike që buron nga Lufta e Dytë Botërore dhe që nuk pasqyron realitetin aktual të marrëdhënieve mes dy vendeve. Deklarata u bë gjatë një konference të përbashkët me Ministrin e Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, në kuadër të vizitës zyrtare dyditore në Greqi.
Spiropali theksoi se Shqipëria dhe Greqia, si aleate në NATO, të lidhura nga Traktati i Miqësisë dhe me një perspektivë të përbashkët evropiane, duhet të mbyllin sa më parë çdo referencë ligjore të mbetur nga e kaluara, e cila ka pasoja në marrëdhëniet aktuale. Sipas saj, ky hap do të forconte bashkëpunimin dypalësh dhe do të hapte rrugën për një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, të ndërtuar mbi besim dhe vizion të përbashkët evropian.
Në këtë kontekst, ministrja theksoi rëndësinë e nxitjes së komunikimit mes shoqërive, mjediseve akademike, organizatave profesionale dhe të rinjve, si një element kyç për thellimin e miqësisë dhe mirëkuptimit reciprok. Ajo vlerësoi gjithashtu lidershipin dhe vizionin e homologut grek për ndërtimin e marrëdhënieve me fokus nga e ardhmja.
Sa i përket çështjes së pronave të qytetarëve dhe subjekteve shqiptare në Greqi, ministrja bëri të ditur se kjo temë u trajtua hapur në kuadër të dialogut konstruktiv dypalësh. Palët ranë dakord mbi nevojën për një qasje graduale dhe realiste, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës dhe frymën evropiane, me synim forcimin e besimit reciprok dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore.
Në lidhje me çështjet kufitare, përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare, Spiropali theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për zgjidhjen e tyre në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë. Ajo shtoi se të dyja palët janë të hapura për dialog konstruktiv dhe se Shqipëria do të vijojë të udhëhiqet nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian, respekti për normat e së drejtës ndërkombëtare dhe promovimi i stabilitetit në rajon.