Spitali Bashkiak i Lushnjes nuk është një strukturë e braktisur, por një strukturë ku po investohet dhe vijon shërbimi për qytetarët

Në përgjigje të akuzave se Spitali Bashkiak i Lushnjes është një strukturë e braktisur dhe ka mungesa shërbimesh, qeveria shqiptare sqaron opinionin publik se spitali është në rikonstruksion të plotë infrastrukturor, ndërkohë që vijon normalisht shërbimet për qytetarët dhe përballon një volum të konsiderueshëm pune.

Spitali Bashkiak i Lushnjes nuk është një strukturë e braktisur, por pjesë e një investimi i cili ka nisur gjatë këtij viti me një fond prej 82 milion lekësh për 2026-ën, ndërsa për vitin 2027 janë planifikuar rreth 236 milion lekë të tjera.

Ndërhyrja po realizohet në godinën nr. 3 të spitalit, ku funksiononin urgjenca, imazheria, kirurgjia, reanimacioni dhe patologjia. Paralelisht po kryhen ndërhyrje edhe në ambientet e lidhura me maternitetin dhe shërbimet mbështetëse.

Qeveria qartëson se ky nuk është një investim fasadë. Nuk është një lyerje muresh për fotografi propagandistike. Është rikonstruksioni i plotë, që përfshin rehabilitimin e ambienteve spitalore, rikonstruksionin e rrjeteve teknike, përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare, rritjen e sigurisë teknike dhe modernizimin e kushteve diagnostikuese e trajtuese.

Ky investim po realizohet duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit për qytetarët, përmes zbatimit të një plani të përkohshëm riorganizimi, ku shërbimet e urgjencës, imazherisë, kirurgjisë dhe repartet e tjera vijojnë aktivitetin në ambiente të tjera funksionale të spitalit.