Transformimi i zonës së Spitallës në Durrës po vijon me kantiere të çelura në çdo cep të saj. Shumë rrugë me infrastrukturë krejtësisht të rrënuar të kësaj zone informale, dikur kënetë, janë tashmë në proces rikualifikimi urban, e në përfundim të zbatimit të projekteve do të ofrojnë për banorët standardet infrastrukturore të një qyteti europian.
Kryeministri Edi Rama vijoi sot inspektimin në disa prej rrugëve të tjera të zonës, të cila janë në faza të ndryshme të rikualifikimit.
“Këtu jemi në një kantier të rëndësishëm. Kjo është rruga “Azem Hajdari” e cila përfundon në pjesën e lagjes së re të rindërtimit. Fillon andej dhe lidhet me rrugën A.Goga. Kjo bashkë me rrugën paralele që ne e kemi përfunduar po me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kanë qenë si dy arterie kryesore që do ta ingranojnë gjithë këtë lagje te re për infrastrukturën për lëvizjen. Kjo ka trotuar, ka korsi biçikletash, ka ndriçim dhe gjelbërimin që pjesërisht është vendosur.
Në fund të rrugës janë disa banesa që janë ndërtuar mbi kanal. Ato, kemi marrë masa që me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe me një grup të përbashkët për t’i shpronësuar dhe për t’i hapur. Ky është në programin e rindërtimit si investim dhe pavarësisht se janë aplikues në legalizim, ata do të marrin sipërfaqen e njëjtë që kanë në lagjen e re, kështu që do dalë shumë herë më mirë sesa të kesh një shtëpi mbi kanal.”- shpjegoi Kryetarja e bashkisë Emiriana Sako, e cila shtoi ndër të tjera se “Me Fondin, jemi duke bërë gjithë rrugicat dytësore dhe janë rreth 50 akse rrugësh dytësore me një gjatësi 200-250 metra të cilat do të rehabilitohen të plota me kanalizimet e ujerave të zeza. Investimi i ujësjellësit është bërë në këtë zonë dhe me mbylljen e këtij investimi të rrugës është një mundësi shumë e mirë për banoret për të përmirësuar aksesin dhe patjetër për t’i dhënë dhe një mundësi biznesit të vogël familjar që të ketë kushte më të mira të infrastrukturës.”
Në përfundim të inspektimit, kryeministri Rama u takua dhe bisedoi me banorë të zonës, të cilët u shprehën të kënaqur me ndryshimet e bëra. “Jemi shumë mirë në krahasim me çfarë ishte” – treguan ata, teksa Kryeministri siguroi se e ardhmja e zonës do të jetë premtuese, duke përmendur edhe një sërë projektesh të tjera të parashikuara.
“Kjo zonë do të bëhet fantastike, po ju them, do dhe ca vite, sepse ajo që deri dje ishte për ju “hajde të bëjmë një shtëpi, të kemi një strehë’’, sot është pasuri , i rritet vlera dhe këto dhe të tjerat kthehen realisht në vila. Nuk janë më shtëpi për të futur kokën. Plus do të bëjmë Akademinë e Manchester City që do të fillojmë shumë shpejt ta ndërtojmë, plus do krijohet dhe lagjja këtu se do vijnë njerëzit ta jetojnë. Tani kemi programin për qendrat shëndetësore, për shkollat, ku duhen bërë që të jene afër komunitetit dhe gjëja më e rëndësishme këtu është se shumë hapësira do fitohen se do bëhen gjelbërim. Kështu që do të jetë një zonë me shumë gjelbërim dhe do t’i rritet shumë vlera e pasurisë. Kjo është shumë e rëndësishme për ju jo mbase sot, por për ata që do të trashëgojnë pronën, është shumë e rëndësishme. Dhe faktikisht me gjithë atë investim që do bëhet tek Porti, me gjithë atë histori zhvillimi atje, me gjithë atë turizëm dhe me zhvillimet që vazhdojnë qoftë nga Gjiri i Lalzit qoftë këtej poshtë, do të shihni vetë që kur të vijnë sezonet do ta shihni vetë kur të vijnë turistët në kafe.” – u shpreh ai.