Zona e Spitallës në Durrës po transformohet rrënjësisht vitet e fundit, falë projekteve madhore të rikualifikimit urban, të cilat ofrojnë standarde moderne të infrastrukturës, dhe përmirësim të ndjeshëm të jetës së përditshme të banorëve.
Në kantierin e Lagjes Rilindja, sipërmarrjes prestigjioze të ndërtuesit të Portit të Ri Turistik të Durrësit, Muhamed Alabbar, me financimin e Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed Bin Zayed, po përfundojnë 996 apartamentet që do të strehojnë familje të prekura nga tërmeti në zonën e bashkisë së Durrësit.
Gjithashtu Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punon për infrastrukturën e re të kësaj lagjeje të ngritur nga hiçi i ish-kënetës, ku shumica e rrugëve ishin të rrënuara plotësisht, si në si në aspektin inxhinierik, ashtu edhe në atë arkitektonik dhe mjedisor.
Për të inspektuar ecurinë e punimeve në lagjen Rilindja, ishte sot në Durrës, Kryeministri Edi Rama së bashku me Kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emirjana Sako.
“Këtu jemi në lagjen e re të rindërtimit ku po të shohim, dallojmë që pallatet kanë ecur me punën; një pjesë është në 90% gati të përfunduara punimet, janë pjesët e finiturave kryesisht ku po punohet. Nga ana tjetër kemi lotet e fundit që duken me sy që janë ende ne një kantier, përsa i takon veshjes së muraturave të tullës në fillim. Nga ana tjetër me Fondin Shqiptar të Zhvillimit këtu kemi një kontratë për infrastrukturën kryesorë të bllokut dhe në fakt këtu sot shohim gati të përfunduara punët kryesore të përsa i takon aksit. Këtu ka qenë një zonë relativisht e vështirë sepse ka pasur nevojë për shumë mbushje të territorit. Punimet janë në një fazë të avancuar përsa i takon rrjetit kryesor të infrastrukturës, rrugët janë të përfunduara, janë vendosur të gjithë elementët e ndriçimit.” – detajoi Kryetarja e Bashkisë Sako, ndërsa shtoi se “po shikojmë mundësinë që përveç banesave që janë ndërtuar tashmë, në bazë të normave të projektimit të shohim dhe nevojat për të realizuar ndërtimin e qendrave shëndetësore, kopshteve apo dhe ambienteve të shitjeve për të pasur ato shërbime të nevojshme të komunitetit që do jetojë këtu.
Duke e vlerësuar si një investim të jashtëzakonshëm, Kryeministri Rama tha se me përfundimin e të gjitha projekteve të parashikuara, lagjja e re do të jetë ndër më të bukurat: “Kjo për 5 vjet do të jetë një lagje me jetë dhe një lagje më e bukura pa diskutim se është e ndërtuar e gjitha nga hiçi me hapësira, me të gjitha gjërat që do të vazhdojmë t’i ndërtojmë rreth e rrotull, kopshte, çerdhe, qendra shëndetësore e të gjitha.”