Sportisti David Nikolli nuk është hequr nga puna, pasi nuk ka qenë dhe nuk është i punësuar në institucionet shtetërore
Në përgjigje të deklaratave të sportistit David Nikolli se i është hequr puna shtetërore dhe nuk i njihen më titujt sepse ka qenë pjesëmarrës në protestë, qeveria shqiptare sqaron se pretendimet e bëra prej tij janë të pavërteta.
David Nikolli nuk ka qenë dhe nuk është i punësuar në asnjë organikë administrate apo në ndonjë ent a institucion shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Për rrjedhojë, pretendimi se i është hequr “puna shtetërore” është i pavërtetë dhe nuk mbështetet në asnjë fakt apo akt administrativ.
Gjithashtu, është fakt i njohur se sportisti prej vitesh jeton dhe ushtron aktivitetin e tij profesional në Itali, duke mos qenë i punësuar në Shqipëri. Për këtë arsye, pretendimet për largim nga një vend pune shtetëror në Shqipëri nuk qendrojnë.
Nga dokumentacioni financiar rezulton se sportisti ka përfituar mbështetje financiare në kuadër të statusit të sportistit të nivelit të lartë, përfshirë trajtim ushqimor dhe shpërblime sportive gjatë periudhës 2024–2026, në përputhje me legjislacionin dhe aktet nënligjore në fuqi.
Po ashtu, rezulton se Klubi Sportiv Partizani nuk e ka përjashtuar sportistin nga aktiviteti sportiv, por i ka ofruar mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në kuadër të strukturës së re organizative të klubit, përmes lidhjes së një kontrate si sportist i klubit. Sportistit i është kërkuar paraqitja e një kërkese zyrtare për shqyrtim nga organet drejtuese të klubit, me qëllim vijimin e marrëdhënies kontraktuale.
Në lidhje me pretendimet për përfitime të tjera financiare, theksojmë se legjislacioni sportiv në fuqi dhe aktet nënligjore përkatëse parashikojnë jo vetëm të drejta, por edhe detyrime për sportistët e nivelit të lartë, përfshirë respektimin e rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare antidoping.
Nga verifikimet administrative të kryera deri në këtë fazë, nuk rezulton që sportisti të jetë pjesë e sistemit kombëtar të regjistrimit antidoping dhe as të ketë dokumentuar kryerjen e kontrolleve antidoping sipas procedurave të parashikuara nga kuadri rregullator përkatës. Për rrjedhojë, çdo pretendim për përfitime apo shpërblime shtesë duhet të vlerësohet në funksion të përmbushjes së plotë të kritereve dhe detyrimeve të përcaktuara nga legjislacioni sportiv në fuqi.