Statusi “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” për 11 fëmijët e parë, prindërit e të cilëve ranë në krye të detyrës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Statusi “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” për 11 fëmijët e parë, prindërit e të cilëve ranë në krye të detyrës

Sot, në një ceremoni të posaçme, Kryeministri Edi Rama iu akordoi statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” 11 fëmijëve të parë, prindërit e të cilëve dhanë jetën në krye të detyrës në mbrojtje të jetëve të tjera.

Duke shprehur mirënjohjen e thellë për aktin vetëmohues të prindërve heronj, Kryeministri Rama tha se tashmë “Statusi i veçantë “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, sot nuk është më një zotim, por një risi e veçantë e jetës sonë, të cilës aktet e vetëmohimit  i japin dhe kuptimin e saj dhe më të madh.”

* * *

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Rama u shpreh:

Janë pikërisht njerëzit e zakonshëm edhe autorët e akteve më të jashtëzakonshme të vetëmohimit për t’ju bërë mbrojtje të tjerëve, për t’ju u bërë mburojë shoqërisë, për t’i dalë zot vetë atdheut.

Të tillë ishin edhe vet njerëzit tuaj më të shtrenjtë, prindërit tuaj, të cilët jetojnë në kujtimet tuaja dhe në kujtesën e kësaj shoqërie si mishërim i sakrificës ekstreme për të mirën e të tjerëve. Ata lanë pas, jo vetëm shembullin e tyre të admirueshëm, por edhe amanetin e heshtur për ne, që të mos ju lëmë juve për asnjë çast vetëm.

Ky takim i sotëm është për ta shpallur dhe publikisht të përmbushur atë amanet, i cili u kthye në zotimin tonë dhe u bë ligji i parë i këtij mandati të tretë.

Sot jemi këtu për të kujtuar së bashku prindërit tuaj me fjalët e amanetit të përmbushur dhe për t’i thënë, jo vetëm Arianit, Drinit, Dorianit, Petritit, Fetiut, Kujtimit dhe Bledit, se kujtimi i tyre i paharrueshëm u bë shtysa jonë e madhe, por edhe gjithë Shqipërisë, se Republika jonë nuk i lë vetëm fëmijët e heronjve dhe dëshmorëve të saj.

Statusi i veçantë “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” sot nuk është më një zotim, por një risi e veçantë e jetës sonë të cilës aktet e vetëmohimit  i japin dhe kuptimin e saj dhe më të madh. Asgjë nuk e zëvendëson dot asnjëherë figurën e prindit apo djalin, vëllain, bashkëshortin e vetëmohuar, por dhënia e kujdesit financiar e fëmijëve të heronjve të republikës në shumicën e barabartë të pagës së prindit për fëmijën e parë dhe pastaj me një përshkallëzim për fëmijën e dyte, të tretë e me radhe që bëjnë më shumë sesa një pagë për familjen deri në moshën e përfundimit të studimeve të larta, është më në fund një mbështetje kuptimplotë pas një periudhe të gjatë kohe kur mbështetja e fëmijëve të prindërve të vetësakrifikuar për atdheun, për ligjin, për moralin më të lartë njerëzor, ishte krejt e pamjaftueshme.

Për fëmijët e përkujdesjes së Republikës statusi i veçantë parashikon dhe marrjen e kujdesit shëndetësor dhe spitalor falas, në institucionet publike dhe në ato private dhe kur është nevoja, shpresoj të mos jetë asnjëherë për asnjërin, edhe në strukturat më të specializuara jashtë vendit. Gjithashtu, i gjithë procesi i shkollimit me bursa të plota dhe me përjashtim të plotë nga të gjitha tarifat është pjesë e statusit të fëmijëve me përkujdesje të Republikës, e për të ardhur dhe orientimi profesional dhe mbështetja shtetërore për punësimin e tyre si detyrë ligjore e shtetit.

Ky status iu takon të gjithë fëmijëve të dëshmorëve, si dhe fëmijëve të mjekëve dhe infermierëve  që humbën jetën në vijën e parë të luftës me armikun e padukshëm, natyrisht bëhet fjalë për fëmijët që ende nuk kanë dalë në rrugën e jetës si zotër të vetes së tyre.

Sot, këtu janë 11 fëmijët e parë nën përkujdesjen e Republikës dhe ndërkohë komisioni i posaçëm, i cili drejtohet nga Ministrja e shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, i ngritur sipas ligjit të miratuar enkas për këtë qëllim vijon me trajtimin e rasteve të tjera.

Mua më vjen mirë që programeve tona të mbështetjes për fëmijët u shtohet si një xhevahir plot shkëlqim i një kurore të pasuruar në vite edhe ky status i veçantë.

Ndërkohë që sot që flasim nga politikat tona sociale përfitojnë afro 140 mijë fëmijë. janë fëmijë që marrin ndihmë ekonomike, për fëmijët jetimë, për fëmijët e nenave që janë viktima të dhunës pagesa është trefishuar dhe për familjet me shumë fëmijë kjo mbështetje financiare është dyfishuar.

Në ndërkohë, në vazhdën e detyrimit për t’ju përgjigjur bindjes së shprehur nga një numër i madh qytetarësh shqiptarë përmes Këshillimit Kombëtar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies sociale po punon për të shtuar në këtë program të gjerë politikash sociale edhe një politikë tjetër të re që do të mbështesë nënat me më shumë se tre fëmijë. Të gjitha këtyre iu shtohen subvencioneve dhe kompensime që lidhen me arsimin e detyruar dhe atë universitar, që lidhen me energjinë elektrike, që lidhen me vaksinimin falas për vaksinimin e zakonshëm dhe të vazhdueshëm dhe me të gjitha shërbimet e tjera.

Po ashtu, këtyre fëmijëve iu vijnë në ndihmë programet e strehimit si dhe lehtësimit nga tarifa e legalizimit të pasurive të paluajtshme. Ndërkohë që janë rreth 5200 studentë nga familje me ndihmë ekonomike që përfitojnë bursa të plota studimi dhe janë të përjashtuar tërësisht nga çdo tarifë.

Po ashtu, ne sot me programin e bonusit të bebeve kemi mbërritur në mbi 115 mijë fëmije të mbështetur qysh në momentin e parë të lindjes, një mbështetje kuptimplotë në aspektin financiar, e cila nuk ka asnjë lidhje me mbështetjen e dikurshme që ishte krejt simbolike.

Para pak ditësh, Këshilli i Ministrave miratoi edhe një tjetër paketë të programit kombëtar të parashikuar në buxhetin e shtetit të këtij viti për kujdesin për shikimin e fëmijëve, një paketë që mundëson kontrollin periodik për 270 mijë fëmijë që nga të porsalindurit deri tek fëmijët në moshën 14 vjeç.

Nga ana tjetër, sikundër mund edhe të keni parë ka nisur edhe një rrugë tjetër e hapjes, ajo e posteve të kujdesit dentar të fëmijëve nëpër shkolla. Të gjitha këto, jo për të thënë që kemi bërë ndonjë mrekulli, por thjeshte për të nënvizuar që në aspektin e zgjerimit të mbështetjes sociale kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë një transformim rrënjësor qoftë në masën financiare, qoftë  edhe në numrin e njerëzve që preken nga kjo mbështetje për të cilën realisht jemi kryelartë përpara të gjithë shqiptareve.

Thënë kjo, ende më shumë duhet bërë dhe ja ku jemi sot në një rast tipik, në rastin e dhënies së mbështetjes për fëmijët e heronjve, dëshmorëve e prindërve të vetëmohuar për një qëllim të lartë, të cilët mbase duhet ta kishin marrë kohë më parë këtë mbështetje dhe e marrin vetëm në fillim të mandatit tonë të tretë, por jo për tu justifikuar, por thjeshtë për të nënvizuar faktin.

Dua ta mbyll duke thënë dy gjëra: së pari, qeverisja është një proces prej të cilit ne mësojmë çdo ditë, kuptojmë çdo ditë e më thelle dhe ndiejmë çdo ditë e me shumë pulsin e shoqërisë, duke u përpjekur që çdo ditë të përmirësohemi dhe të bëjmë edhe më mirë. Së dyti, përtej dëshirave tona qëndron gjithmonë muri i pamundësisë, të cilin duhet ta shtyjmë çdo ditë, çdo ditë me shume durim dhe shume forcë në mënyrë që të zgjerojmë hapësirën e mundësive. Hapësira e mundësive zgjerohet më shumë përpjekje, me shumë durim, zgjerohet duke punuar pa u lodhur, zgjerohet duke mësuar siç thashë çdo ditë, duke u përpjekur që të vëmë në jetë çdo ditë një mësim të ri.

Previous Kryeministri Rama i drejtohet Presidentit Zelensky nga Parlamenti

Leave Your Comment