U mbajt sot takimi me donatorët për të ofruar përmbledhje të prioriteteve, përfshirë fushat që duhet të mbështeten në përputhje me kuadrin strategjik kombëtar. Nevojat për mbështetje përfshijnë si asistencë teknike për të forcuar kapacitetet institucionale dhe investimet në infrastrukturë e pajisje, por edhe diskutimet mbi reformat dhe legjislacionin e ardhshëm. Fokusi mbetet:
– Lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, krimit ekonomik dhe pastrimit të parave, pasurive të konfiskuara (rikuperimi dhe administrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara), armët e vogla dhe të lehta;
– Rendi dhe siguria publike, Policimi në Komunitet dhe të drejtat e njeriut, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm, shërbimi i mbrojtjes nga zjarri;
– Menaxhimi i integruar i kufirit, migrimi i paligjshëm dhe azilkërkuesit jashtë vendit, mbrojtja e territorit dhe Lufta kundër Korrupsionit;
– Rendi dhe siguria publike, modernizimi i organizimit dhe funksionimit të PSH, siguria rrugore dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore
Tiranë – Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Taulant Balla në takimin koordinues me donatorët:
Jam shumë i kënaqur që kemi organizuar këtë takim koordinimi sot me të gjithë donatorët sa i përket fushave dhe sektorëve të mbulimit të Ministrisë së Brendshme dhe natyrisht ky është një takim vijues i një dialogu të vazhdueshëm mes Ministrisë së Brendshme, institucioneve brenda saj dhe partnerëve qofshin ata të huaj, vendas në kuadër të një angazhim të përbashkët në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ministria e Brendshme ka përgjegjësinë për reforma në fusha të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me procesin e integrimit europian dhe ky takimi i sotëm shënon një tjetër moment të rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta për të përforcuar bashkëpunimin dhe përmirësuar koordinimin në fushën e sigurisë dhe rendit publik dhe çështje të tjera që mbulon Ministria e Brendshme.
Udhërrëfyesi për shtetin e së drejtës i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar shërben si një dokument busull, i cili na udhëheq në procesin e angazhimeve të reformave dhe që lidhet drejtë për së drejti me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe në jemi sot për t’ju shprehur angazhimin tonë për të bërë gjithçka për ta përshpejtuar këtë proces.
Ky udhërrëfyes na lidh në mënyrë logjike me reformat për punët tona të brendshme dhe po ashtu me vijimin e reformave.
Ai na përcakton një afat ambicioz. Shumë prej këtyre reformave shkojnë përtej vitit 2027 dhe ne i ndërlidhim ato me vizionin Shqipëria 2030 dhe po ashtu jemi të vetëdijshëm që nuk mund ta arrijmë këtë objektiv pa ndihmën, pa angazhimin e partnerëve me të cilët duam të përshpejtojmë realizimin e këtyre reformave.
E vlerësojmë shumë mbështetjen e çmuar që komuniteti i donatorëve na ka ofruar duke mundësuar arritjen e rezultateve konkrete në fushën e punëve të brendshme.
Kemi një bashkëpunim ndërinstitucional shumë planesh me vendet anëtare të BE me agjencitë ligjzbatuese të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, të cilët na kanë ndihmuar fuqimisht në përmirësimin e kapaciteteve tona për të luftuar së pari krimin e organizuar pa harruar në asnjë moment edhe ekstremizmin e dhunshëm, menaxhimin e kufijve rendin publik, sigurinë e komuniteteve dhe vendor.
Kërcënimet e reja në këto fusha po shfaqen dhe zhvillohen me modele të reja dhe prandaj na duhen struktura më të mira organizative për të luftuar rrjetet kriminale përtej kufijve.
Trajtimi i këtyre kërcënimeve kërkon rritje të bashkëpunimit duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin gjyqësor pa harruar për asnjë moment investimet në inteligjencë dhe përgjigjet moderne ndaj zhvillimeve teknologjike.
Jam takuar gjatë kësaj fillim jave me dy kolegë ministra, Ministren e Brendshme të Gjermanisë dhe Ministrin për Drejtësinë dhe Policinë të Zvicrës, me të cilët kemi ndarë të njëjtin vlerësim që krimi i organizuar nuk ka nevojë as për dokumente, nuk ka nevojë as për burokraci, lëviz shumë më shpejt dhe nëse ne duam të jemi shumë efektiv për ta goditur atë duhet të risim shpejtësinë e kundër veprimit tonë për ta luftuar dhe për ta shfarosur.
Sot më shumë se kurrë përballemi me sfida komplekse që kërkojnë qasje të integruar dhe një angazhim të përbashkët.
Lufta kundër krimit, korrupsionit, siguria kombëtare, siguria publike janë prioritete tona kryesore. Shqipëria mirëpret gjatë këtij viti më shumë se 14 milion vizitorë të huaj dhe na duhet që të bëjmë gjithçka që certifikatën e Shqipërisë si një vend i sigurt ta ripërsërisim edhe gjatë këtij viti, ndoshta me një nivel tjetër edhe më të mirë sigurie publike,
Padyshim shkojmë te pjesa për të cilën jemi mbledhur.
Gjatë vitit 2023 buxheti i Ministrisë së Brendshme përbënte 3.8 % të totalit të shpenzimeve të qeverisë dhe falë vëmendjes së qeverisë pa harruar dhe mbështetjen e Kryeministrit në këtë vit buxhetor kemi pasur një rritje të dedikuar për punët e brendshme dhe investimet totale të planifikuara për periudhën 2024 – 2026 shkojnë në 35 milion euro ose 5 % e buxhetit total të investimeve.
Ndonëse investimet nga miqtë nga donatorët janë 7.2 milion euro ose 21 % e totalit të buxhetit për investime parashikuar për vitet 2024 – 2026 në Ministrinë tonë.
Investimi i nevojshëm për adresimin e prioriteteve kyçe llogaritet të jetë 5.5 herë më i lartë dhe do shkojë në një vlerë prej 195 milion euro.
Jemi të vetëdijshëm mbi faktin që nevojat e tejkalojnë mundësinë e buxhetit tonë të shtetit dhe Ministria e Brendshme e vlerëson shumë të rëndësishme bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare me vendet partnere për t’i realizuar këto objektiva dhe ky bashkëpunim evidentohet në mbështetje të veprimtarisë së mekanizmit kombëtar të referimit edhe në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe në kuadër të mekanizmave kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm bashkëpunon me një sërë organizatash të shoqërisë civile dhe po punon për të prodhuar edhe një qasje ose le të them një bashkëpunim me publikun për të garantuar sa më shumë punë të përbashkët dhe angazhim të përbashkët përsa i përket kësaj sfide.
E përmenda këtë sepse është një prej njësive tona, e cila ka një bashkëpunim të përditshëm me një pjesë të caktuar të donatorëve, pa dashur të hyjë në shumë detaje që lidhen me punën e secilës prej institucioneve brenda nesh sepse kjo do të jetë një punë e tryezave sipas çështjeve që kemi shpërndarë.
Të dashur miq reformat tona kërkojnë progres sa i përket përafrimit të legjislacionit me acquis communautaire, por dhe me standardet më të mira ndërkombëtare.
Reformat tona kërkojnë përmirësimin e kapaciteteve, por dhe të pajisjeve mjeteve teknike në të gjitha nivelet për të kryer operacione në mënyrë efikase dhe për të përmbushur misionet dhe operacionet tona në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtar.
Jemi në një moment të rëndësishëm me Policinë e Shtetit përsa i përket luftës kundër kultivimit të paligjshëm të kanabisit dhe nëse do të isha i hapur sot me ju, do të tregoja se sa herë në ditë më duhet të komunikoj me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për t’i garantuar drejtorive vendore të policisë dhe forcën tonë kombëtare të sigurisë makinat e nevojshme, të larta për të hyrë në zonat e vështira, në terrenet e vështira, në disa zona malore të vendit ku qoftë dronët, qoftë raportimet që marrim nga GdF na i ndikojnë përpjekjet për kultivimin e paligjshëm të kanabisit.
Prandaj është shumë e rëndësishme që kur flasim për mbështetjen që duhet t’i japim Policisë së Shtetit, kjo mbështetje është shumëplanëshe përfshirë këtu dhe mbështetjen sa i përket pajisjeve të duhura teknike për të mundësuar lëvizjen në kohë të strukturave dhe të forcave të Policisë së Shtetit.
Një moment tjetër tek i cili do të kërkoja shumë fokus këtë vit, në këtë takim me ju është edhe mbështetja për Akademinë e Sigurisë.
Kemi biseduar me shumë prej jush, me Britaninë e Madhe, me Shtete e Bashkuara të Amerikës, me qeverinë Italiane edhe me donatorë të tjerë sa i përket mbështetjes për Akademinë e Sigurisë dhe do të mirëprisja që të ecim sa më shpejt sa i përket forcimit të kapaciteteve të kësaj akademie, i cili është i vetëm burim për energjizimin e organizatës së Policisë së Shtetit.
Ne do të miratojmë së shpejti në qeveri dhe më pas në Kuvendin e Shqipërisë, ligjin e ri për Policinë e Shtetit, i cili ka në themelin e vetë një ristrukturim të karrierës brenda Policisë së Shtetit dhe mbi të gjitha fuqizimin e burimit të punonjësve të Policisë së Shtetit që duhet të vijnë nga Akademia e Sigurisë.
Një komponent i rëndësishëm në përballimin e sfidave në fushën e sigurisë është dhe mbetet gjithmonë përmirësimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore sa i përket edukimit, kualifikimit dhe trajnimit cilësor.
Prandaj mos të harrojmë asnjëherë që roli i Akademisë së Sigurisë (AS) nuk është thjesht dhe vetëm të marrë studentët dhe të prodhojë punonjësit e rinj të Policisë së Shtetit, por duhet të garantojmë që çdo punonjës i Policisë, gjatë gjithë karrierës së tij duhet të ketë një marrëdhënie të përhershme me AS për t’u përgatitur me njohuritë dhe eksperiencat më të reja.
Kjo gjë ka munguar deri tani dhe duhet ta rikthejmë për ta garantuar. Prandaj u ndal pak më në mënyrë të zgjeruar, sepse për mua si Ministër i Brendshëm, AS mbetet një prej atyre objektivave kryesorë që lidhet me garantimin e një forcë policore të standardeve më të mira europiane.
Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me një sërë agjencish sa i përket kësaj kërkese por mendoj që është koha për t’u fokusuar. Po ashtu na duhet që të mbështesim fuqimisht edhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) sa i përket fushave tona të përgjegjësisë por ta ndërlidhim atë me gjithçka dhe nevojat që ata kanë për të realizuar objektivat e tyre më së miri.
Siç jeni në dijeni, unë e kam thënë prej ditës së parë që lufta më e mirë për të luftuar krimin është parimi ‘Follow the Money’ (ndiq paratë), dhe prandaj objektivi ynë i rëndësishëm gjatë këtij viti mbetet krijimi i Zyrës së Rikuperimit të Pasurive (ARO) pranë Policisë së Shtetit.
Projektligji është pjesë e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian. Unë shpresoj ta miratojmë së shpejti dhe menjëherë të fillojmë zbatimin, sepse është shumë e rëndësishme ngritja dhe fuqizimi i kësaj zyre dhe edhe për sa i përket ARO jeni të mirëpritur të na mbështesni në ngritjen dhe vënien në punë të këtij instrumenti të rëndësishëm në luftën kundër krimit. Nuk ka asgjë më shumë efikase sesa ta godasësh krimin aty ku i dhemb më shumë, tek asetet dhe paratë e fituara nga aktivitetet kriminale.
Rezultatet e deritanishme në luftën kundër krimit të organizuar dëshmojnë një revansh të shtetit dhe të ligjit kundër grupeve kriminale.
Gjatë vitit 2023 janë goditur 54 organizata kriminale, nga të cilat 38 prej tyre aktivitet në fushën e narkotikëve, 7 grupe kriminale aktive në fushën e krimit ekonomik dhe financiar, 7 grupe kriminale aktive në fushën e krimeve ndaj pronës dhe 2 grupe kriminale në fushën e krimeve kompjuterike.
Është shumë e rëndësishme ta përmend sot, bashkëpunimi ndërkombëtar me EUROPOL dhe INTERPOL, i cili po rritet në nivelin e shkëmbimit të informacionit, ashtu edhe në numrin e operacioneve të përbashkëta të zhvilluara nga ekipet tona të përbashkëta hetimore, të koordinuara nga Pika Kombëtare e Kontaktit Shqiptar këtu me EUROPOL-in, por dhe me Task Forcat Anti-Falcon.
Dua të ndaj me ju se ne kemi pasur gjatë vitit 2023, 1380 hetime proaktive dhe kemi proceduar penalisht me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere, 80 çështje penale.
Nga 523 operacione policore në këtë fushë, 107 ishin operacione të zhvilluara me partnerët ndërkombëtarë. Dua të veçoj bashkëpunimin dhe operacionet e përbashkëta që kemi pasur me Interpolin 54 të tilla, një rritje e dukshme, krahasuar me një vit më parë.
Një shqetësim që mbetet nga disa prej vendeve partnere lidhet me luftën kundër krimit kibernetik. Tani kemi në nivel qendror në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, kemi edhe Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik dhe po ashtu disponojmë një laborator qendror kriminalistik për hetimin e provave kompjuterike.
Ajo që dua të theksoj sot është edhe angazhimi ynë në luftën kundër migracionit të paligjshëm. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Frontex, kemi arritur rezultate të mira dhe të gjithëpranuara edhe nga partnerët dhe miqtë e Shqipërisë, sa i përket rezultateve në fushën e menaxhimit të kufijve.
Falë disa prej jush këtu në këtë tavolinë ne kemi arritur të trajnojmë një pjesë të mirë të rojeve tona kufitare dhe dua t’ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme që jepni sa i përket këtij sektori pa harruar asnjëherë që migracioni i paligjshëm është një prej sfidave më të rëndësishme në të gjithë globin, jo vetëm në Europë por edhe në SHBA.
Prandaj na duhet të rrisim fokusin tonë të përbashkët sa i përket garantimit të kufijve të sigurt nga të gjitha format e trafikimit por edhe duke pasur një fokus të veçantë ndaj migracionit të paligjshëm.
Rezultatet që kemi arritur me Britaninë e Madhe, p.sh. gjatë vitit 2023 kanë qenë të paimagjinueshme në janar të vitit 2023. Ulja me 90% e qytetarëve shqiptarë që mbërrinin në mënyrë të paligjshme në UK është një prej atyre që do e quaja, indikatorëve të suksesit, edhe pse brenda atij suksesi ka plot indikatorë të tjerë të cilët dëshmojnë një fakt shumë të thjeshtë: kur dy vende europiane bëhen bashkë për të adresuar një problematikë rezultati nuk mungon. Ky është një model që e kemi pothuajse me secilin prej jush.
Nëse unë do të ndalesha sot t’i merrja me radhë secilin prej vendeve që janë të ulur sot në këtë tryezë, me secilin prej jush kemi një histori suksesi për ta treguar por që është edhe një argument pse na duhet ta forcojmë edhe më shumë bashkëpunimin.
Nuk po hyj në shifra të tjera që lidhen me migracionin por ajo që dua të them është se unë e vlerësoj shumë këtë prezencë të nderuar sot, duke filluar nga Ambasadori i BE, drejtuesja e Misionit Diplomatik të SHBA në Tiranë dhe të gjithë miqtë e tjerë të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare në Tiranë, dhe me se cilin prej jush jam takuar personalisht, dhe ju falënderoj shumë për gjithë disponibilitetin.
Por tani është koha që të gjitha idetë t’i hedhim në një plan masash me data konkrete, me projekte konkrete, pa harruar edhe një moment që për mua është shumë i rëndësishëm.
Mos harroni asnjëherë edhe ka të bëjë me fushën e përgjegjësisë të MB, është lufta kundër zjarreve dhe sa i përket shpëtimit.
Ne kemi pothuajse çdo ditë operacione të shumta në mbrojtje kundër zjarrit dhe shpëtimit, gjatë vitit të kaluar kemi pasur më shumë se 650 operacione shpëtimi ndaj qytetarëve të vendeve të ndryshme, të cilët shijojnë bukuritë natyrore të vendit tonë, por që në një moment të caktuar kërkojnë ndihmën dhe mbështetjen tonë për t’i rikuperuar në zonat e thella malore.
Dhe që na duhet të ngremë një sistem shumë efikas në të gjithë territorin sa i përket edhe këtij dimensioni të rëndësishëm të punës tonë, për ta thelluar dhe më tej atë konstatim që bëjnë të gjithë vizitorët e huaj që vijnë në Shqipëri si një vend tepër i sigurtë.
Sa i përket pjesës së mbrojtjes kundër zjarrit, pothuajse se me pjesën më të madhe të donatorëve këtu tryezë kemi folur, gjej rastin të falënderoj në mënyrë të veçantë UNDP, Bankën Botërore, disa qeveri partnere, sepse nuk dua të hyj në emra, se mjafton të harrosh njërën dhe pastaj ke bërë një gabim diplomatik.
Por kërkesa ime sot është që të fokusohemi tek ky sektor që ka nevojë, dhe ne sapo kemi nisur një fazë ristrukturimit të shërbimit të mbrojtjes kundër zjarrit në Shqipëri, i cili ndërlidhet në pjesën më të madhe në bashkëpunimin me pushtetin vendor, por mendoj që jemi në kohën e duhur për ta adresuar për të garantuar një shërbim të mbrojtjes kundër zjarrit të standardeve europiane.
Më lejoni dhe njëherë t’ju falënderoj përzemërsisht dhe t’ju nxis që gjatë punimeve të këtij takimi ta shfrytëzojmë këtë kohë për të detajuar plotësisht të gjithë, jo vetëm nevojat që kemi nga ana jonë për mbështetje, por edhe për të prioritizuar secilin prej donatorëve në një fushë konkrete, në mënyrë që të kemi dhe rezultate sa më të shpejta.
Shumë faleminderit për pjesëmarrjen tuaj dhe dua t’ju garantoj për një angazhim të plotë të Ministrisë së Brendshme dhe të gjitha njësive brenda MB në funksion të realizimit të objektivave të përbashkëta.
Komunikimi me mediat i ministrit të Brendshëm Taulant Balla:
Ministri Balla: Në karrierën e tyre deri në nivelet më të larta drejtuese të Policisë së Shtetit pa harruar që gjithmonë fokusi im si Ministër i Brendshëm mbetet edhe pjesa e trajtimit të duhur financiar dhe vlerësimit të punës së punonjësve të Policisë së Shtetit. Ka një moment tjetër që besoj që të gjithë e dini tani më, lidhet me le të themi me një ndarje përfundimtare ose të bllokimit të çdo lloj ndërhyrje sa i përket procesit të emërimeve brenda Policisë së Shtetit. Kemi krijuar disa struktura të reja brenda DPPSH, të cilat bëjnë vlerësimin dhe ndihmojnë Drejtorin e Përgjithshëm në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në pozicionet drejtuese dhe kemi futur dhe konceptin e mandatit, pra jo vetëm Drejtor i Përgjithshëm ka një mandat të caktuar kohor, jo vetëm Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, por edhe drejtorët e drejtorive vendore të policisë kanë dhe ata një mandat i cili ndërlidhet natyrshëm me performancën, por duam që të garantojmë një strukturë policore dhe drejtues të policisë në nivel vendor, të cilët të jenë të sigurt dhe të jenë të fortë dhe udhëheqës në atë mandat që kanë për të garantuar rendin, luftë më efikase kundër çdo lloj forme kriminaliteti, dhe mendoj që ligji i ri do të përputhet me pritshmëritë tona për të vazhduar dhe thelluar progresin e arritur deri më tani në këtë revansh të luftës tonë kundër krimit dhe mbi të gjitha për konsolidimin dhe certifikimin të Shqipërisë sonë si një vend me një siguri publike mbresëlënëse.
Pyetje: Ligji i aseteve z. Balla çfarë është?
Ministri Balla: Zyra e Rikuperimit të Aseteve është një instrument shumë i rëndësishëm brenda PSH, e cila do të gjurmojë pasuritë e fshehura nga të krijuara nga aktivitete kriminale dhe nga korrupsioni është një model i mirë në disa prej vendeve të BE. Ne e kemi vendosur këtë si një prej atyre objektivave tona të rëndësishëm në kuadër të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE teknikisht është diçka që i kishte munguar strukturës së PSH sa i përket pjesës që na takon me luftën kundër krimit të organizuar, parimi ndiq parat është një parimi i cili rezulton të jetë i suksesshëm në luftën kundër krimit të të gjitha formave të krimit, jo vetëm krimit të organizuar dhe mos harroni asnjëherë që edhe nga rezultatet e deri më tanishme kuptojmë qartë se na duhet një punë hetimore më efikase për të identifikuar, gjetur dhe konfiskuar asete apo llogari bankare apo gjithçka tjetër që krimi ka përfituar ose ka krijuar për shkak të aktiviteteve kriminale sikurse e patë edhe partnerët edhe BE dhe SHBA dhe të gjithë partnerët e tjerë në këtë tryezë të rëndësishme sot të koordinimit me donatorët e kanë mbështetur, presim le të themi nga Komisioni Europian leximin e fundit të draftit më pas ta kalojmë në qeveri dhe në Kuvendin e Shqipërisë ku shpresoj që do të kemi mbështetjen edhe të opozitës në këtë përpjeke për të intensifikuar luftën tonë kundër krimit të organizuar. Sa i përket tryezës së sotme mendoj që është një moment i rëndësishëm nuk mungonte asnjë prej partnerëve dhe donatorëve që mbështesin MB, mbështesin PSH kemi një fokus tani më të rilindur do ta quaja sa i përket Akademisë së Sigurisë. Kemi një Akademi Sigurie, e cila jo vetëm të prodhoj oficerët e rinj të policisë por ta ndërlidhim AS me punën e përditshme të PSH.
Të mos harrojmë asnjëherë se sa kohë që kriminaliteti përshtat aktivitetin e vetë ose le të themi aplikon teknologji të ndryshme, na duhet edhe ne të aplikojmë ose le të themi të krijojmë njohuritë e nevojshme tek çdo punonjës i PSH sa i përket përballjes së përditshme në luftën kundër krimit dhe e fundit sikurse ju kemi bërë me dije po punojmë me një nga partnerët me Republikën Federale Gjermane për të pasur brenda PSH një sistem të ri komunikimi duke mos përdorur aplikacionet e njohura deri më tani që përdoren nga të gjithë, por të kemi një aplikacion tonin të komunikimit, i cili të monitorojë çdo lloj forme komunikimi brenda PSH, e gjej rastin ta falënderoj Qeverinë Gjermane për mbështetjen, zbatimi i së cilit do të jetë brenda pak kohësh.
Pyetje: Z. Ministër edhe një pyetje në Dubai me një vend që Shqipëria nuk e ka një marrëveshje ekstradimi së fundmi janë kapur 6 persona që në fakt janë lënë të lirë për shkak të mungesës se ekstradimit, ndërkohë së fundmi është kapur edhe një person të shpallur në kërkim siç është Durim Bami sa janë gjasat që Shqipëria mund të bëj një proces siç e keni quar edhe ju dëbimi me ndihmën e INTERPOL për të sjell Durim Bamin në Shqipëri?
Ministri Balla: Kjo është diçka për të cilën ne jemi në kontakt të përditshëm me autoritete policore të EBA, me të cilët kemi një komunikim të shkëlqyer dhe që dua ta them shumë qartë që jemi në fazën e përgatitjes të dokumentacionit të përgatitur nga Prokuroria e Posaçme nga pala e EBA mos harroni që edhe ata kanë ato procedurat e tyre gjyqësore, pra gjithë provat e paraqitura nga pala shqiptare do të vlerësohen nga autoritete gjyqësore të EBA dhe unë jam i bindur që kjo qasje e krijuar se EBA janë, apo Dubai në mënyrë të veçantë është një oaz ku mund t’i shpëtosh përballjes me drejtësinë, jo vetëm me drejtësinë shqiptare por me drejtësinë e shumë vendeve edhe autoritete e këtij vendi mik e kuptojnë qartë që në rast si rasti që ju përmendët i kemi të gjitha instrumentet për ta tejkaluar dhe për ta vendosur jo vetëm këtë person, por edhe persona të tjerë përpara drejtësisë shqiptare.
Ne do të bëjmë gjithçka që ka të bëjë me synimin tonë themelor. Synimi ynë është që të garantojmë që çdo qytetar shqiptar të ketë besim të policia dhe forcimi i këtij besimi lidhet me përpjekjet tona për të çuar më tej procesin e vetëpastrimit të policisë, ka të bëjë me përpjekjet tona për të garantuar paga më të mira dhe trajtim më të duhur financiar për punonjësit e policisë, por dhe punonjësit e policisë duhet të kuptojnë që gjithçka që i kemi kërkuar që lidhet me zbatimin e Kodit Etik dhe që brenda zbatimit të këtij Kodi Etik lidhet me shmangien e çdo lloji kontakti të papërshtatshëm, me sjelljen e duhur, me komunikimin e duhur, mjafton një komunikim jo i përshtatshëm apo një sjellje jo e duhur për t’i shkaktuar organizatës së Policisë së Shtetit një dëm të parikuperueshëm për sa i përket besimit të qytetarit dhe mos harroni asnjëherë gjithçka lidhet edhe me imazhin e Shqipërisë sonë.
Janë 14 milion qytetarë të huaj që vizitojnë Shqipërinë mjafton një sjellje jo e duhur e një punonjësi të policisë në marrëdhënie me njërin prej tyre dhe pastaj ndoshta dhe një interpretim keqdashës nga një media e caktuar për ta shkatërruar gjithë punën që bëhet nga ana e organizatës së PSH. Mendoj që të gjithë duhet ta themi me zë të lartë që rezultatet e PSH janë rezultate të cilat meritojnë respekt, por qoftë unë qoftë DPPSH, e dimë shumë mirë që jemi ende shumë larg asaj që duhet të jemi si objekti për ta çuar PSH si institucioni më i besuar në vend.
Prandaj gjithë këto përpjekje që bëhen nga DPPSH, nga Drejtoria e Standardeve brenda PSH, nga AMP dhe pastaj gjithë pjesa që lidhet me ato kompetenca që ka Ministri i Brendshëm në kuadër të detyrave të veta funksionale ka të bëj pikërisht për ta forcuar gardhin, kontrollin që lidhet me sjelljen e punonjësve të PSH. Kështu që mos e shihni këtë ke skepticizëm, nuk besoj se i qani hallin punonjësve të policisë që duhet të plotësojnë sa më shumë formular se mos harroni asnjëherë se, besoj që historia ka treguar që kur vetëdeklarimi ndërlidhet me faktin pastaj bie në kurth, kështu që ata që gënjejnë do t’i kapi çarku.