Takimi me shqiptarët në Michigan, Ministri Hoxha: Së shpejti hapet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Detroit

Shqipëria do të hapë së shpejti Konsullatën e Përgjithshme në Detroit, me synim afrimin e shërbimeve konsullore me komunitetin shqiptar dhe forcimin e lidhjeve ekonomike e tregtare me autoritetet dhe aktorët lokalë. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e bëri të ditur këtë gjatë vizitës në Michigan, ku mori pjesë në takimin dhe bashkëbisedimin e Kryeministrit Edi Rama me komunitetin shqiptar. Sipas tij, hapja e konsullatës do të mundësojë shërbime konsullore më të mira, më shumë ndërveprim dhe mbështetje për qytetarët, si dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare në funksion të interesave kombëtare. Ministri e cilësoi takimin në Michigan një bashkëbisedim të hapur dhe të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, shqiptarët dhe çështjet që lidhen me komunitetin shqiptaro-amerikan. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e pranisë së shtetit shqiptar pranë diasporës, përmes shërbimeve publike, ruajtjes së gjuhës dhe identitetit, si dhe forcimit të lidhjeve me vendin.