Një tjetër shembull suksesi i fuqizimit të të rinjve dhe gjithëpërfshirjes së tyre në proceset politikëbërëse të qeverisjes lokale është ajo e ngritjes së Këshillit Vendor Rinor në Roskovec, si organ këshillimor që funksionon pranë kryetarit të bashkisë.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, dhe të rinjtë aktiv të Roskovecit.
“Këshillat Vendorë Rinorë do t’i ndihmojnë të rinjtë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë dhe të zhvillojnë qëndrueshmërinë e komuniteteve të tyre, nëpërmjet promovimit të praktikave më të mira demokratike. Kjo duke i mbajtur përgjegjës zyrtarët e tyre vendorë të zgjedhur dhe duke siguruar transparencë të qeverisë”, tha ministrja e Rinisë në fjalën hapëse, gjatë eventit të organizuar nga te rinjtë e Roskovecit, të premten e 20 majit .
Angazhimi i tyre në grupe formale, apo informale rinore, përfshirja në strukturat e qëndrueshme si Këshillat Vendore të Rinisë dhe në Këshillin Kombëtar të Rinisë, sipas Muzhaqit, “do të jetë një shtysë e fortë për një qeverisje më të mirë”.
Pas këtij eventi, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët vizitoi edhe bibliotekën e qytetit, të rikonstruktuar nga grantet e dhëna gjatë Thirrjes së Parë të AKR-së, ku është krijuar dhe një ambient i veçantë për të gjithë adhuruesit e librave, si dhe është finalizuar digjitalizimi i librave të bibliotekës që të rinjtë mund t’i aksesojnë online.