Tekste falas për klasat 4 dhe 5 dhe mekanizëm i ri për financimin e kërkimit shkencor
Qeveria ka miratuar dy vendime në fushën e arsimit, që lidhen me zgjerimin e skemës së teksteve falas në arsimin parauniversitar dhe me përcaktimin e mekanizmit të financimit për kërkimin shkencor.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se skema e teksteve falas është zgjeruar për herë të parë edhe për nxënësit e klasës së katërt dhe të pestë. Për këtë qëllim janë akorduar rreth 43 milionë lekë nga buxheti i shtetit, ndërsa pritet të përfitojnë rreth 9 mijë nxënës, duke lehtësuar drejtpërdrejt buxhetin e familjeve.
Me këtë vendim, skema shtrihet nga klasat 1-3 në klasat 1-5, ku librat do të sigurohen çdo vit për nxënësit. Ndërkohë, për klasat 6-9 parashikohet një cikël përdorimi 2 ose 3-vjeçar i teksteve, duke marrë parasysh moshën dhe mundësinë e mirëmbajtjes.
Në të njëjtën mbledhje, qeveria miratoi edhe vendimin për mënyrën e llogaritjes së financimit të kërkimit shkencor. Sipas ministres, ky mekanizëm synon të garantojë qëndrueshmëri për institucionet që zhvillojnë kërkim shkencor, përmes financimit të bazuar në performancë dhe në projekte ndërkombëtare.
Vendimi lidhet edhe me detyrimet që rrjedhin nga ligji për shkencën i vitit 2024 dhe me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, ku kapitulli 25 (kërkimi shkencor) dhe kapitulli 26 (arsimi) konsiderohen ndër më të avancuarit dhe pritet të jenë nga të parët që mbyllen në procesin e negociatave.
Ministrja theksoi gjithashtu angazhimin që deri në vitin 2030 financimi për kërkimin shkencor të arrijë në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke u reflektuar në buxhetet e të gjitha ministrive të linjës.