Theth, vijon procesi i shpërndarjes së titujve të pronësisë për 200 shtëpi e bujtina të trashëguara ndër breza - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Theth, vijon procesi i shpërndarjes së titujve të pronësisë për 200 shtëpi e bujtina të trashëguara ndër breza

Thethi, në zemër të Alpeve, është zona e radhës, banorët e sëcilës morën sot në dorëzim titujt e pronësisë të shumëpritura prej kohësh, për 200 shtëpi e bujtina, të trashëguara ndër breza, mes tyre edhe një Kishë.

Kryeministri Rama u rikthye në Theth, pas një muaji nga vizita e tij e fundit për ta ndarë këtë lajm me banorët e për t’u dorëzuar personalisht disave prej tyre titujt e pronësisë, proces i cili do tëzgjasë gjatë gjithë ditës në vazhdim.

Me problematikat kronike, të zgjidhura tashmë, e gjithë zona do të çlirojë hap pas hapi potencialet e jashtëzakonshme të turizmit malor, që e ka kthyer Thethin në një burim ekonomie reale për banorët e vet.

* * *

Përshëndetje dhe mirë se ju gjej përsëri! Siç ju dhashë fjalën herën e shkuar në fund të muajit, 30 qershor, ne do të riktheheshim dhe ja ku jemi sot këtu në fund të muajit, por jo thjesht për të biseduar, por për të shpërndarë titujt e shumëpritur të pronësisë për të cilën nuk është se e nisëm punën, – se këtu bëri një lapsus Beneti – atë ditë, por e vërteta është që një punë e nisur prej kohësh për zonat si zona juaj tani është në hapat e fundit dhe hap pas hapi këtë që po bëjmë këtu do ta bëjmë dhe në ato zona të tjera, qoftë në veri, qoftë në jug siç është rasti i Himarës, për shembull, dhe mbase e keni parë që pardje ne ishim në Himarë, ku problematika e titujve të pronësisë ka qenë e ndryshme dhe është e ndryshme nga ajo në tërësi pasi ndarja e pronave do të bëhet me një formulë tjetër dhe pasi në shumë raste, siç është rasti i Thethit, shtëpitë e trashëguara nuk ka qenë e mundur të marrin hipotekën si rezultat i shtrëngimeve të tjera të natyrës ligjore që ka zona.

Thënë të gjitha këto, ajo që ka rëndësi është që sot janë 200 tituj pronësie që janë këtu, një pjesë të vogël do ta shpërndajmë drejtpërdrejtë tani, pjesën tjetër do të mund ta merrni më tutje gjatë ditës. Ata që nuk do të kenë durim të qëndrojnë për të vazhduar ta marrin, do ta marrim menjëherë pas takimit,ndërkohë që janë edhe 90 tituj të tjerë. Për një pjesë të tyre, 40 në mos gabohem, do duhet që bashkia e Shkodrës të bëjë një ndryshim, studimin e zonës, që është një çështje e natyrës ligjore por është jo e vështirë dhe ma ha mendja që Beneti do ta përfundojë brenda muajit shtator dhe për 50 titujt e tjerë është problematika e ndërtimit në pronën e tyre, por përtej afatit të lejuar nga ligji ekzistues për legalizimet. Natyrisht, që këtu do të gjejmë një zgjidhje, një zgjidhje, e cila do të jetë e dedikuar për të gjithë ata të cilët janë në kushtet tuaja, ku pamundësia e marrjes së një leje ka qenë objektive.

E dyta, që ju e shtruat në takimet që bëmë herën e fundit dhe më kujtohet zotëria këtu që u takuam sipër, është çështja e gjobave.

Këtu ka një masë shumë të madhe gjobash, të cilat janë vendosur si rezultat i ndërhyrjeve apo i ndërtimeve, gjithmonë aty keni pasur shtëpinë e vjetër apo aty ku keni truallin tuaj, që janë bërë për shkak të nevojës për të krijuar ekonomi përmes turizmit dhe që nuk janë ndërtuar sipas ligjit, jo sepse nuk keni dashur t’i ndërtoni sipas ligjit, por sepse shtrëngimi i legjislacionit për këtë zonë që figuron si zonë e mbrojtur natyrore e ka bërë të pamundur dhe qeveria do t’i falë të gjitha këto gjoba sepse e kemi diskutuar dhe atë ditë dhe siç e thashë, nuk janë tipikisht ndërtime të bëra abuzivisht për t’ju shmangur ligjit. Janë ndërtime të bëra nga nevoja, ndërkohë që në kushtet e pamundësisë ligjore, njerëzit kanë vazhduar t’i bëjnë.

Kjo nuk do të thotë që kush do të vërë një gur pa leje më tutje do të tolerohet, kjo do të thotë që në atë fazë kur këto kanë ndodhur nuk ka pasur, faktikisht, as edhe një vëmendje nga bashkia, zero, sepse bashkia është shumë e rëndësishme në këtë proces dhe një nga arsyet pse kjo po ndodh sot dhe nuk ka ndodhur më parë nuk është vullneti i qeverisë, sepse shumë shpesh njerëzit e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë gjë dhe gjithmonë njerëzit kanë tendencën që të shohin lart në majë, tek qeveria e mundësisht tek zyra e kryeministrit edhe për një problem të furnizimit me ujë në një lagje, por ligjërisht këto janë punë të ndara dhe një pjesë e këtyre punëve janë punë të pushtetit vendor. Ka shumë njerëz sot akoma që vazhdojnë thonë “Po pse u kujtuat për Shkodrën kaq vonë?” Ne nuk jemi kujtuar për Shkodrën vonë, por ne nuk na është dhënë mundësia të bëjmë më shumë sepse është e pamundur që qeveria të bëjë diçka, e cila kërkon vullnetin dhe kërkon bashkëpunimin e bashkisë pasi është në shkelje të ligjit. Aq e vërtetë është kjo, sa në një rast absurd një individ, nuk ka rëndësi emri, por mund ta merrni me mend se nga çfarë lloj drejtimi vjen individi në fjalë, ka çuar në SPAK bashkinë e Lezhës për shkak se ka riparuar trotuare, që sipas këtij individi, nuk janë në kompetencën e bashkisë së Lezhës pasi në fakt janë trotuare që gjenden në një rrugë hyrëse kombëtare në Shëngjin. Një çmenduri! E vërteta është që pa bashkëpunimin mes dy institucioneve dhe pa ndërveprimin mes tyre, edhe kur bëhet diçka komplet me vullnet të mirë dhe tërësisht e justifikuar se nuk mund ta lësh gropë trotuarin aty ndërkohë që qeveria dhe autoritetet qendrore janë shumë larg nga ai trotuari i vogël që, në fakt, është punë e përditshme e bashkisë, është e pamundur të bëhen gjërat dhe të bëhen si duhet.

Kështu që, arsyeja që sot ky është një proces i realizuar dhe është një zotim i mbajtur në një kohë kaq të shkurtër është, e para, sepse puna përgatitore ka qenë e bërë dhe e dyta sepse bashkia e Shkodrës është diçka krejt tjetër sot. Është diçka krejt tjetër sot dhe kryetari i bashkisë, besoj unë, tani se ju e dini më mirë se unë, ma ha mendja në këtë kohë që është në krye të bashkisë ka ardhur këtu në Theth më shumë se të gjithë kryetarët e bashkive të Shkodrës në të gjithë historikun e tyre.

Kur unë erdha herës tjetër disa nga ju më thanë është hera e parë që na vjen një kryeministër, tani është hera e dytë në një kohë shumë të shkurtër sepse është një punë për t’u bërë, është një fjalë për t’u mbajtur dhe për më tepër sot Thethi nuk është thjeshtë një fshat dhe ju nuk jeni thjeshtë banorë të një fshati.

Sot, Thethi është një destinacion europian turistik dhe ju duhet ta ndjeni dhe ta kuptoni që keni një përgjegjësi dhe një mision përtej shtëpisë suaj, sepse sa më shumë ju të jeni të vetëdijshëm për këtë, aq më shumë do të jeni dhe ju rojë, në kuptimin e mirë të fjalës të të gjitha punëve që bëhen këtu, qoftë të cilësisë së punëve që bëjmë ne, që bën bashkia, qoftë edhe të moslejimit të asnjërit prej jush që të bëjnë gjëra që janë jashtë asaj mënyrë se si duhet ndërtuar këtu, se si ka shkuar përpara këtu. Sepse projekti që ne bëmë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për riparimin e çative dhe për kthimin e shumë çative në identitet, ju e dini shumë mirë që ju ka sjellë shumë më tepër fuqi për të atraktuar turistë, por ama nëse dikush çohet dhe bën një çati të kuqe me tjegulla të kuqe si në jug, atëherë prish gjithë harmoninë për një gjë që vret syrin dhe çdo vrasje syri ul numrin e turistëve, ul interesin e turistëve. Këtu syri ngado që të rrotullohet duhet që vetëm të shijojë edhe të mrekullohet jo të vritet.

E njëjta gjë me infrastrukturën edhe në kuptimin e asaj që thashë “të qenit roje” që gjërat që bëhen të ruhen, të mbrohen, të mos prishen. Besoj që brenda vitit rruga e Dukagjinit do të përfundojë, do të hapi një tjetër perspektivë, do të hapi një tjetër zonë magjike që praktikisht është e pavizitueshme ose sot vizitohet me vështirësi shumë të madhe për shkak të asaj infrastrukturë po do të hapi një tjetër hapësirë për investimet e banorëve dhe shumëkujt që është në emigracion. Dhe jemi duke e përfunduar atë paketën e maleve që ju thashë kur erdha këtu,në mënyrë që t’u japim mundësi të gjithë atyre që janë në emigracion që të kthehen sepse Beneti po më thoshte se ka kërkesa gjithmonë e më në rritje për t’u kthyer dhe për të investuar në tokën e tyre dhe që nuk e kanë sot me letra. Prandaj dhe ne po ndërtojmë një program të veçantë për malet që të mund tu jepet toka, të mund t’u jepet mundësia të ndërtojnë me leje përpara se të marrin titullin përfundimtar të pronësisë, në një marrëdhënie drejtpërdrejtë me shtetin, me atë qiranë e famshme 1 euro. 1 euro për të marrë tokën për të ndërtuar, ndërkohë vazhdon proceset, po ama ajo tokë është e jotja, nuk ta merr njeri dhe duke pasur kontratën me shtetin ti mund të shkosh në bankë. Tek banka do të bëjmë një tjetër ndërhyrje për të vënë një garanci shtetërore për kreditë tuaja, sepse pashë disa marrëveshje me banka të pak njerëzve këtu me interesa shumë të larta, edhe këtu do të bëjmë një ndërhyrje që ta lehtësojmë dhe në këtë mënyrë të mbyllim të gjithë ciklin dhe t’u japim mundësi atyre që janë jashtë që të investojnë këtu. Kanë filluar ta bëjnë, por me të drejtën e Zotit, aty ku nuk kanë letrën e tokës e kanë shumë të vështirë për shkak se nuk kanë mundësi të marrin asnjë lloj kredie mbështetëse.

Përfitoj nga rasti, se ju e dini po nuk e dinë ata që na ndjekin. Shefat e kuzhinës këtu në Theth marrin deri 2 mijë euro rrogë në muaj, 2 mijë euro. 2 mijë euro pagë në muaj një shef kuzhine që i merr këtu, po nga ana tjetër këtu nuk ka as nevojë që të ketë një shtëpi me qera, siç e ka kur punon në kuzhinë në Greqi, as që të shkojë të marri makinën e të vijë nga puna në shtëpi, nga shtëpia në punë e të harxhojë karburant përditë. As që të paguajë taksa si ato që paguan ai që i merr ato 2 mijë euro dhe që nganjëherë si merr fare, se merr shumë më pak në Greqi dhe në fund të muajit, atij shefit të kuzhinës këtu që edhe të ngrënë edhe të pirën e ka po këtu, edhe krevatin për të fjetur e ka po këtu dhe nuk e paguan, i mbeten gjithë ato lekë. Llogaria është e bërë, është e bërë, për të gjitha ata që duan ta bëjnë duke parë faktet, ata që duan ta bëjnë llogarinë duke parë televizor nuk iu del kurrë llogaria. Dhe ajo që vjen e fundit, jo për nga rëndësia, siç edhe sot ne nuk do ta mbyllim këtë takim duke dhënë titujt e pronësisë, prandaj do të japim pak tituj pronësie kështu në këmbë e pastaj të tjerat do ti merrni më pas, po do t’iu prezantojmë edhe planin e investime të reja që do të bëjmë këtu. Është një plan i punuar nga bashkia me një grup arkitektësh të talentuar dhe për të cilin ne kemi përgatitur edhe fondin e nevojshëm që ta fillojmë dhe që të përmirësojmë më tutje infrastrukturën e përbashkët këtu dhe të adresojmë disa nga ato problemet që ju keni. Unë besoj që e sotmja e Thethit dhe e çdo e çdokujt që investon në argoturizëm në Shqipëri është shumë e qartë, por e nesërmja dhe jo e nesërmja pas 100 vjetësh, e nesërmja pas 4-5 vjetësh do të jetë e jashtëzakonshme. Numri i turistëve ju e shihni po rritet në mënyrë mbresëlënëse, por ajo që ne duhet të kuptojmë është se ne turistëve duhet t’u japim cilësi, duhet ti japim gjëra që nuk i gjejnë dot kund tjetër dhe për këtë na duhet bashkëpunim i madh, se nuk duhet të vijmë në pikën që pasi turistët të vijnë të mos duan të kthehen më, të dali fjala që shërbimet janë të dobëta, ndërtimet kështu, ato ashtu, po malet janë të bukura. Se malet të bukura kanë qenë gjithmonë, aty kanë qenë, po këtu juve bënit protesta në Shkodër përpara bashkisë për të hap rrugën në qershor, apo jo? Në qershor zbrisnit poshtë për të parë rrugën, i binit nga Dukagjin, ku di unë 8 orë, nga rruga Dukagjinit 8 orë rrugë për të ngrit ato parullat përpara bashkisë që luftonte me komunizmin. Bashkia nuk kishte kohë të merrej me rrugën tuaj se do luftonte komunizmin që kishte vdekur, se të mos kishte vdekur komunizmi nuk u vinte radha atyre të futeshin te dera e bashkisë dhe kjo nuk ishte para shumë vitesh, kjo ishte vetëm përpara disa vitesh.

Sot rruga është e hapur dhe është e hapur dimër dhe verë.Kështu që nuk është më turizmi i verës dhe pastaj në dimër, si ariu, mbyllur brenda, rrethuar nga bora për gjumin e gjatë të dimrit, por është turizëm dimër e verë, është 12 muaj turizëm këtu dhe të gjitha këto së bashku janë arsye për të besuar që më e mira është e gjitha përpara. Unë ju falenderoj shumë për durimin e madh heroik që keni pasur, edhe për mikpritjen dhe po u shpërndajmë disa nga titujt e pronësisë. Ua thashë, këtu i keni, nuk ikin. Janë 200 që do të marrin titullin e pronësisë.

Edhe do ta fillojmë nga aty ku nuk ta pret mendja, nga Kisha. Se ai tha “ishalla po ia jep këtyre të PD-së para”. Tani atyre të PD i ka rënë sakica në mjaltë kur  thoni ju se për punë kanë sherrin kurse punët e tyre i bëjmë ne,  kështu që në rregull janë ata. Atyre i ka rënë sakica. Kur kanë pasur partinë e tyre rrinin ngroheshin në diell edhe luftonin komunizmin e nuk zgjidhnin asnjë punë. Tani që s’kanë partinë e tyre na kanë ne, edhe ne ua bëjmë punët që s’ua bëri partia e tyre, por partitë shkojnë e vijnë, pëveç kësaj tones, kurse Kisha  është edhe mbi tonën edhe mbi të gjitha ndërtesat e tjera, ju e dini.

 

* * *

Pas dorëzimit të titullit të pronësisë për Kishën e zonës, Kryeministri Rama u shpreh:

Faleminderit shumë, Patër! Meqë e përmende këtë punën e rinisë se shumë thonë “iku rinia,nuk ka më të rinj”. Natyrisht shumë të rinj kanë ikur, janë në të drejtën e vet të kenë ikur, por këtu jemi nja 250 veta e më plaku jam unë dhe unë nuk jam akoma tek ajo pikë besoj, kështu që gjithë kjo rini që është këtu, nuk është rini që e kemi sjellë me autobus “siç e çuam në Greqi me autobus”, “i morëm nga Tirana e i çuam në Greqi, edhe u bllokua Kakavija ditën e dielë në mengjes se takimi ishte në orën 11”, edhe u bllokua Kakavija në mengjes e dolën fotografitë në mëngjes, që ja këta po shkojnë në takim. Edhe Shumakeri i shkretë të ringjallej, edhe të merrte Ferrarin nga ora 8 e mëngjesit në 11 të arrinte në Athinë, duhet të kishte raketë.Kështu që këta, janë të gjithë njerëz që janë këtu dhe janë shumica dërrmuese shumë të rinj, të tjerët janë të rinj. Më pak i ri jam unë dhe ky është tregues i faktit që këta të rinj këtu nuk rrinë kot.

Rrinë sepse janë rreth 150 bujtina sot dhe të gjitha do të bëhen dhe jo vetëm që do të bëhen të gjitha, por do të lulëzojnë më shumë e më shumë dhe unë po ju them që për disa vite, këtu do të jetë destinacion, jo vetëm europian, jo vetëm me shumë turistë, por do të jetë një destinacion ku do të duhet të paguajnë shumë për të fjetur një natë. Do të jetë destiancion i klasit më të lartë, ai që na duhet për turistët.

Previous “Smart City”, Balla: Projekti synon rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e aksidenteve rrugore