Tirana Economic Forum, Shqipëria një korridor zhvillimi nga veriu në jug
Tirana Economic Forum, është takimi, i cili mblodhi sot sipërmarrës dhe ekspertë ndërkombëtarë, organizuar nën kujdesin e Delphi Forum, për të diskutuar mbi hapësirat për zhvillim që ofron Shqipëria, ku ishte pjesëmarrës edhe kryeministri Edi Rama, i cili ndër të tjera vlerësoi Forumin, si një platformë të nivelit të lartë idesh, takimesh dhe investimesh shpresëdhënëse.
“Ne po e kthejmë vendin tonë në një korridor zhvillimi nga veriu në jug. Shqipëria është gati për investime të cilësisë së lartë dhe afatgjata. Ne mirëpresim partneritete që ofrojnë dijen, ekspertët, inovacionin.– u shpreh mes të tjerash kryeministri.
* * *
Të nderuar mikpritës dhe anëtarë të komunitetit të biznesit,
Më lejoni së pari të falënderoj organizatorët që bënë bashkë sërish këtë platformë të nivelit të lartë idesh, takimesh dhe investimesh shpresëdhënëse dhe më lejoni t’ju uroj një mirëseardhje të ngrohtë dhe të veçantë miqve tanë grekë.
Shqiptarët dhe grekët kanë pasur vështirësitë e tyre të kuptojnë se gjeografia nuk është një shtrëngim, por është një mendësi dhe sot jemi më shumë se të vetëdijshëm për këtë horizont të ri dhe gjithashtu falë edhe platformave si kjo.
Është një kënaqësi e veçantë të jesh këtu në një forum të tillë idesh, ku Shqipëria nuk është më duke parë nga qoshja, por duke qëndruar me vetëbesim, tejet ambicioze dhe largpamëse sepse realiteti ka ndryshuar. Shqipëria nuk shihet më si një cep i largët në hartë, por si një vend ku gjërat ndodhin, ku reformat nuk janë premtime, por praktika dhe ku shndërrimet, transformimet nuk janë slogane, por fakte të përditshme. Në një Europë që po rimendon arkitekturën e saj të sigurisë dhe ekonomisë, vendi ynë qëndron si një shtyllë stabiliteti, një partner i besueshëm dhe një ekonomi në rritje.
Ne kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave me BE në një kohë rekord, e kemi dyfishuar buxhetin tonë, PBB-në tonë, ndërkohë që deficiti ynë është në nivelet më të ulëta të mundshme. Gjithashtu, kemi edhe një sektor në rritje të turizmit, gjithashtu kemi edhe një sektor, ku po rinovojmë infrastrukturën tonë nga portet deri tek hekurudhat dhe po shtyjmë transformimin digjital me një shpejtësi marramendëse, po e bëjmë gjithçka, duke luftuar korrupsionin, duke modernizuar shtetin. Ndërkohë që, pagat po rriten dhe industria ushtarake po rilind dhe po fillon me disa hapa shumë të mirë. Asnjë gjë nuk ndodh si aksident dhe kjo po ndodh hap pas hapi mes punës, besimit dhe historia jonë e rritjes nuk është sasiore, por cilësore.
Ne po ndërtojmë një ekonomi, që matet, jo vetëm prej vëllimit, por prej vlerave, prej produktivitetit dhe prej inovacionit dhe mund ta themi me qartësi këtë gjë dhe me krenari.
Dhe gjithashtu, investimet e huaja direkte në vitin 2024 arritën 1.58 miliardë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë dhe tendenca vazhdon në rritje edhe në vitin 2025. Kapitali nuk zgjedh rastësisht dhe në këtë gjë e dimë, ai shkon aty ku ka stabilitet, ku ka qartësi dhe ku ka drejtim.
Sot, Shqipëria është pikërisht ky destinacion, pra një vend, një destinacion me stabilitet, me qartësi dhe me drejtim.
Ne po e kthejmë vendin tonë në një korridor zhvillimi nga veriu në jug, aeroporte dhe porte të reja po ngrihen. Parqet energjetike po zgjerohen, zonat turistike dhe zonat industriale po marrin formë. Porti i ri i Durrësit do të bëhet një prej “hub”-eve më të rëndësishme në Mesdhe, një portë e re që e lidh Shqipërinë me Evropën dhe me Ballkanin.
Shqipëria ka një rritje që nuk vjen prej sloganeve, por prej reformave. Ne kemi krijuar një prej regjimeve të taksave më të mira me 0% taksë fitimi për bizneset e vogla deri në vitin 2029 dhe ky është një mesazh i qartë për shumë e shumë sipërmarrës, që të rrisin dhe të krijojnë vende pune.
Shteti është partneri juaj dhe jo barra juaj.
Revolucioni dixhital ka ndryshuar mënyrën se si qeverisim dhe mënyrën se si po operon biznesi dhe shumë shpejt, ne do të hedhim një asistencë më të mirë digjitale në platformën tonë digjitale, pra, nuk do të jetë me “Facetime”, duke pyetur dhe duke marrë atë që ti ke nevojë. Pra, nuk ke nevojë më për dyer të mbyllura, për dokumente që ngarkohen. Do të ketë më shumë transparencë për bizneset, më pak mundësi për ryshfete dhe më shumë mundësi për një produktivitet të vërtetë. Ky është shteti që ne po ndërtojmë, që është i thjeshtë dhe i efektshëm. Europa 2030 nuk është shpresë për ne, por është destinacion dhe busulla jonë është e qartë drejt Bashkimit Europian.
Negociatat janë të hapura, kapitujt po ecin përpara dhe objektivi ynë është realist dhe i arritshëm, patjetër me një kusht: që Europa të mbajë premtimin dhe që së bashku ne t’i përmbahemi kalendarit për të cilin jemi marrë vesh bashkërisht.
Anëtarësimi i Shqipërisë në 2030 është absolutisht i mundshëm dhe nuk jemi këtu për të pritur për Europën, por që ta ndërtojmë Europën këtu dhe prandaj ne jemi kaq të zellshëm për të ndjekur këtë rrugëtim drejt Europës. Europa nënkupton institucione, standarde dhe nuk është vetëm politika, por është edhe zhvillim.
Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër dhe dua të përfitoj nga kjo mundësi që më jepet këtu sot që gjithashtu të them edhe disa fjalë për investitorët. Ata duhet të kuptojnë të gjithë se momenti është tani, dhe Shqipëria është gati për investime të cilësisë së lartë dhe afatgjata. Ne mirëpresim partneritete që ofrojnë dijen, ekspertët, inovacionin. Investimi sot do të thotë që të hyjmë në tregun e nesërm dhe ne ftojmë të gjithë që të angazhohen në katër shtylla strategjike që do të përcaktojnë 10-vjeçarin tonë të ardhshëm:
Energjia e gjelbër, me një nga peshat më të larta të energjisë së rinovueshme në botë dhe një ambicie të qartë për t’u bërë jo vetëm eksportues neto, por edhe nyje energjetike rajonale.
Gjithashtu infrastruktura moderne, që do ta kthejë Shqipërinë në një kryqëzim logjistik mes Ballkanit dhe Europës.
Gjithashtu turizmi cilësor dhe i qëndrueshëm, ku bukuria natyrore bashkohet me trashëgiminë dhe autenticitetin për të krijuar destinacione gjatë gjithë vitit me vlera të larta dhe standarde të larta.
Teknologjia dhe inovacioni, me një ekosistem start-up-esh në rritje, talente në IT, në inteligjencë artificiale, në FinTek dhe industri kreative që formësojnë ekonominë e re.
Këto janë sektorët ku Shqipëria po ecën me shpejtësi dhe ku qeveria është e gatshme të mbështesë investitorët me stimuj fiskalë.
Transparencë dhe partneritet – ne duam partnerë dhe jo kalimtarë.
Zonja dhe zotërinj, Shqipëria po hyn në një kapitull të ri, që është sa i pëlqyeshëm, aq edhe sfidues, dhe është një kapitull zhvillimi modern, besimi dhe ambicie europiane. Ne kemi stabilitet, ne kemi ritmin, ne kemi një shoqëri të re, plot me talente dhe me energji. Kemi hartën, kemi vizionin dhe kemi vullnetin për të ecur përpara.
Dhe ftesa jonë është shumë e thjeshtë: besoni tek kjo Shqipëri që po ngrihet, investoni në këtë Shqipëri që po transformohet, bëhuni pjesë e historisë së suksesit që ne po ndërtojmë, përpara se të jetë vonë. Shqipëria nuk është shumë e madhe, kështu që vraponi e nxitoni përpara se hapësirat të mbyllen.
E ardhmja nuk është diçka që ne e presim, por e ardhmja është diçka që ne e ndërtojmë për çdo ditë, dhe ne e ndërtojmë atë së bashku. Pra, sërish unë shpresoj që ju mund ta kuptoni se sa seriozisht e kam marrë këtë ftesë që të vij këtu edhe me një fjalim të shkruar, plotësisht të shkruar dhe se sa seriozisht e mora kohën tuaj, duke u siguruar që fjalimi im të mos jetë aq i gjatë sa zakonisht.
Prandaj, sërish unë i falënderoj organizatorët dhe të gjithë ju që jeni mbledhur këtu, dhe unë dëshiroj ta përmbyll aty ku e nisa: me mikun tim Simeonin, të cilit unë dëshiroj t’i tregoj një truk. Ai më tha se “ne duam që të bëhemi më të mëdhenj vitin e ardhshëm”, dhe unë dua që ta dëgjoni të gjithë ju këtë gjë – dhe nëse nuk ndodh, është faji i tij, nuk është i imi. Faleminderit shumë!