“Tirana Moons”, oazi i gjelbër, dedikuar librit, instalohet në sheshin “Nënë Tereza”
“Tirana Moons”, oazi i gjelbër, dedikuar librit, është instaluar në sheshin Nënë Tereza, duke ofruar për qytetarët një hapësirë publike tejet interesante, që ngjall kërshërinë e dashamirësve të librit dhe jo vetëm.
Arkitekti i veprës Chris Precht shpjegoi se hapësira është një bibliotekë ende në krijim dhe ftoi qytetarët ta pasurojnë atë me libra, ku mund të lenë dhe shënimet e tyre. “Është një bibliotekë që vazhdon të krijohet, ju kërkoj të sillni një libër, një libër që ju frymëzon, të shënoni diçka personale, që të frymëzojë dikë tjetër, një bibliotekë nga njerëzit për njerëzit.” – u shpreh ai.
Edhe Kryeministri Rama ishte këtë fundjavë një nga vizitorët e saj: “Faleminderit të gjithëve që jeni këtu pas një dite të gjatë e mjaft të bukur. Ishte privilegj të isha pjesë e saj, është kënaqësi që të jem edhe këtu e të ndaj me ju një moment që është shumë i rëndësishëm për Krisin mesa duket, sepse ishte fiksuar “ta sillte hënën’’ në Shqipëri në vend që ‘’të çonte Shqipërinë në hënë’’. Ja ku jemi dhe kjo, besoj që është në një farë mënyrë serpentina jonë. Do të qëndrojë për një moment, për një çast këtu, pastaj do të lëvizë, ndërkohë që në do të duam të ecim përpara me projekte të mëdha masive, të cilat do ta vendosin dhe këtë hapësirë në dispozicion të qytetit për parking nëntokësor dhe jo vetëm kaq.
Po përgatisim një projekt shumë të bukur. Le të shohim se si do të dalë, ndërkohë mendoj që ka diçka interesante që duhet çkoduar, sepse sa herë arkitektët ndërkombëtarë mblidhen në të tillë numra në këtë qytet, Shqipërisë i duhet të luajë një ndeshje futbolli. Nuk e di se si ndodh po me shpresë do t’i sillni pak fat ekipit tonë që luan jashtë sonte.
Çfarë të them tjetër? Ah, faleminderit shumë edhe për librat. Ju lutem sillni më shumë libra. Është kaq mirë të kesh, jo vetëm libra, por libra të cilët dhurohen nga njerëz që duan të japin diçka për kënaqësinë e tyre.
Dhe po, kjo është e gjitha, një falenderim i madh për të gjithë ata që kontribuuan për ndërtimin këtu. Krisi më tha që në Shqipëri ka gjetur disa mjeshtra të punimit të drurit e për të ishte një surprizë e madhe. Në Shqipëri gjen gjithçka. Është thjesht çështje se kur. Ndonjëherë mund t’i gjesh kur nuk ke nevojë, ndonjëherë kur ke nevojë nuk i gjen, në të kundërt i gjen të gjithë këtu. Është thjeshtë çështje rrethanash që ato të jenë të duhurat.
Faleminderit edhe një herë. Duket kaq bukur. Shijojeni e shiheni të gjithë nesër për të vazhduar këtë fundjavë kaq të veçantë. Faleminderit!” – u shpreh ai.