Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi priti sot në një takim homologun çek, Vít Rakušan, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të Ministerialit BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që organizohet nga Çekia, e cila aktualisht mban Presidencën e BE.
Dy ministrat diskutuan për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë, sidomos në kuadër të gjendjes së krijuar nga agresioni rus në Ukrainë. Një temë tjetër që u diskutua ishte dhe ajo e luftës kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm.
Në lidhje me marrëdhëniet mes dy vendeve, u trajtua edhe çështja e ndihmës dhe mbështetjes së Çekisë për Institutin e Policisë Shkencore, por edhe aspekte të tjera në fushën e rendit e sigurisë.
Sot nis punimet Ministeriali BE-Ballkani Perëndimor në të cilin marrin pjesë ministrat e Brendshëm të vendeve të BP si dhe përfaqësues të lartë të EUROPOL, FRONTEX, Koordinatori Antiterrorizëm në BE dhe gjithashtu përfaqësues të Suedisë dhe Spanjës.