Shqipëria mikpret konferencën rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, me synim nxitjen e debatit dhe diskutimeve për sfidat e të ardhmes dhe ndërthurjen e teknologjisë dhe qeverisjes në shërbim të qytetarëve, si dhe gjetjen e zgjidhjeve inovative dhe të thjeshta në marrëdhënien e tyre me shërbimet qeveritare.
Pas fjalëve të rastit të përfaqësuesve të qeverive të Ballkanit Perëndimor, konferenca vijoi punimet, e ndarë në disa panele me fokus teknologjinë dhe inovacionin, si edhe integrimin e inteligjencës artificiale në sistemet shtetërore.
***
Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Ju uroj mirëseardhjen të gjithë atyre që kanë bërë rrugë për të ardhur sot në këtë konferencë edhe më vjen shumë mirë që të gjithë frontin e revolucionit digjital në rajonin tonë, pothuajse e mbulon gjuha shqipe. Duke pasur parasysh që këtu është edhe drejtuesi i AKSHI-t të Kosovës, por nuk ishte në panel për arsye se ishte një nivel përfaqësimi politik, atëherë bëhet shumë e qartë hegjemonia e gjuhës shqipe në të ardhmen digjitale të rajonit dhe uroj që kjo mos kthehet tani në një arsye për të krijuar një debat mbi një provokim rajonal.
Sa herë që vjen fjala për të diskutuar lidhur me këtë temë, unë besoj që është e udhës të ndaj me ju se menjëherë më kujtohet periudha e pandemisë dhe duke menduar për atë periudhë, përpiqem të marr me mend se çfarë do të kishte të mundur të bënte Shqipëria, nëse nuk do të ishim në nivelin e përparimit digjital ku na gjeti ajo goditje globale. Shqipëria që ne morëm përsipër të udhëheqim, ishte një vend ku faktikisht qeverisja digjitale nuk ishte akoma në belbëzimet e para dhe ajo që sot është porta e madhe e hyrjeve dhe daljeve të shqiptarëve në gjithë labirintet e administratës publike përmes kompjuterit apo telefonit, “e-albania” ishte asokohe një qenie krejtësisht e papërfillshme në raport me gjithë nevojat e administratës dhe qytetarëve për të ndërvepruar me njëri-tjetrin me një numër qesharak shërbimesh dhe me një numër edhe më qesharak përdoruesish.
Momenti i pandemisë bëri edhe atë që u kthye faktikisht në një përqafim të plotë të të gjithë bashkësisë shqiptare që ndërvepron me shtetin shqiptar brenda dhe jashtë vendit, me teknologjinë dhe me qeverinë në kuptimin e qeverisjes së shërbimeve përmes “e-albania”. 3.2 milionë përdorues që ndërveprojnë në mënyrë sistematike me e-albanian janë një shifër shumë kuptimplotë dhe madje një shifër jo karakteristike edhe për vende shumë më të zhvilluara dhe ky është dhe bekimi ynë, bekimi i vendeve në zhvillim, i vendeve si vendet e rajonit tonë, për të kapur, jo vetëm trenin e progresit, por edhe për të përparuar me një shpejtësi edhe me të madhe sesa ata që janë prej kohësh në trenin e progresit, por për të revolucionarizuar të gjithë sistemin e qeverisjes së shërbimeve, ju duhet të bëjnë kthesa dhe çmontime shumë të konsiderueshme dhe të gjithë sot flasin për shembullin e Gjermanisë e cila është lokomotiva e Europës prej shumë dekadash, por pikërisht pse ka një makineri administrative të ndërtuar prej shumë e shumë kohe, shekujsh, e ka më të vështirë t’i adaptohet të gjithë procesi. Është si një anije shumë e madhe, kthesa e së cilës kërkon shumë më tepër karburant dhe shumë më tepër kohë, ndërkohë që për ne ky është një bekim shumë i madh për të arritur që të kapim dhe të fitojmë kohën e humbur dhe faktikisht nëse marrim parasysh, se çfarë ishin radhat për të marrë shërbime në Shqipëri, ku nuk kishte një shërbim të vetëm qoftë dhe për të marrë një certifikatë lindjeje pa mbajtur radhë, e merrni vetë me mend se ç’do të kishte ndodhur nëse në kohën e pandemisë, nuk do të kishte qenë absolutisht e mundur që të realizohej mbrojta përmes izolimit falë teknologjisë dhe nëse të gjithë do të duhej të dilnin dhe të ishin së bashku në të gjitha llojet e radhave për të gjitha llojet e shërbimeve, madje dhe për të gjitha llojet e pagesave.
Sot ne jemi në një fazë tjetër dhe faktikisht diskutojmë për komplet gjëra të tjera. Do të ishim sot në një situatë krejt të ndryshme, nëse kur u goditëm nga pikëpamja kibernetike, nga një prej fuqive më të mëdha në këtë drejtim, por edhe nga një prej fuqive më malinje që ka në botën e sotme, Iranit, nuk do të kishim qenë në gjendje të rezistonim, por rezistuam. Dhe faktikisht, pikërisht pse kemi vendosur një bazë të tillë, jemi në kushtet kur po hedhim hapat e parë të një faze të re të revolucionit teknologjik dhe pikërisht pse në shumë aspekte, rruga tradicionale do të ishte shumë herë më e vështirë dhe shumë herë më e gjatë për të arritur objektivat për të cilat pastaj ne ballafaqohemi me ëndrrën tonë të madhe të anëtarësimit në Bashkimin Europian, kjo rrugë na jep shumë më tepër optimizëm, na jep shumë më tepër arsye objektive për të besuar që anëtarësimi do të ndodhë shumë shpejt, sepse ne do të jemi gati dhe sot, aktualisht, e tha pak drejtorja e AKSHI-t që është edhe udhëheqësja e jetës së përditshme në këtë proces, ne po bëjmë procesin e integrimit në BE në fazën e negociatave për anëtarësim, falë edhe një instrumenti krejt të ri të papërdorur nga asnjë shtet tjetër më parë, dhe në dijeninë tonë, te papërdorur as nga shtetet që negociojnë anëtarësimin, që është një model i ndërtuar prej nesh, enkas i IA. Ky model na jep mundësinë që ne të realizojmë në një kohë shumë më të shpejtë se ç’ kanë bërë më parë vendet e tjera, të gjithë procesin e transferimit të gjithë trupit legjislativ të BE, të realizojmë përkthimin në kohë rekord, por jo vetëm përkthimin, por edhe të kemi në kohë rekord analiza të teksteve për ato aspekte që na interesojnë lidhur me impaktin e këtyre ligjeve të reja që duhen transferuar në trupin legjislativ të Shqipërisë. Dhe nuk bëhet fjalë për disa qindra por bëhet fjalë për disa mijëra dhe po të kemi parasysh që deri dje ritmi i punës sonë legjislative dhe i kapaciteteve tona legjislative lidhur me këtë lloj legjislacioni ishte rreth 60 copë pjesë ne vit dhe po të kemi parasysh që këtu bëhet fjalë për mbi 4000 atëherë imagjinoni se sa më i gjatë do të ishte procesi dhe për të cilin do të na duhej një armatë e tërë me përkthyes, një armatë e tërë me draftues dhe një armatë e tërë me korrektues, siç kanë bërë vende të tjera. Nuk kemi nevojë për këto.
Tjetra që po bëjmë dhe që lidhet me një fazë të re të luftës kundër korrupsionit dhe përpjekjes për të rritur transparencën është një model inovativ me inteligjencën artificiale për të realizuar prokurimet publike. Ne tanimë jemi në një fazë komplet tjetër me prokurimet publike, e tregon qartësisht raporti i progresit të Bashkimit Europian, e tregon qartësisht tryeza jonë e negociatave për anëtarësim, ku pavarësisht çfarë thuhen e çfarë s’thuhen dhe pastaj ri thuhen dhe prapë stër rithuhen në aspektin e prokurimeve publike, ne nuk kemi asnjë piketë të ndërmjetme. Dhe në bazë të raportit të SIGMA-s, jemi jo vetëm në vendin e parë në rajon se kur mblidhemi ne të Ballkanit gjithmonë bëjmë dy sforco të mëdha, kush është më i vjetri dhe kush është i pari. Kështu që, është e pamundur që unë ti shmangem kësaj se më të vjetrit dihet që jemi ne, nuk ka nevojë ta them, ndërkohë që ne të jemi të parët këtu dhe aty kjo nuk para dihet dhe aq më tepër pastaj duke qenë ne më të vjetrit kemi kapacitet shumë më të madh sesa këta të rinjtë që te zihemi me njëri tjetrin për të mos i thënë gjërat që në fakt duhen thënë.
Me modelin e inteligjencës artificiale që po ndërtojmë unë besoj që në mandatin tonë të katërt, rreth mesit të mandatit ne do të jemi vendi i parë që do të realizojmë prokurime me 90% të procesit pa njeriun dhe me një nivel objektiviteti dhe transparence që është i pa konkurrueshëm dot nga çfarëdolloj komisioni prokurimesh që e bën këtë punë nga fillimi deri në fund. Dhe natyrisht që kjo do jetë një tjetër arritje falë këtij bekimi, kësaj mundësie që na jep teknologjia se ndryshe procesi do duhet të shkonte, sensibilizo, trajno, e duhet kohë, prit që shqiptarët të bëhen gjermanë e kështu me radhë.
Ndërkohë që në kushtet e sotme nuk është e nevojshme jo vetëm të bëhet, por as të duam që të bëhemi si gjermanët, që meqë ra fjala i kemi lënë mbrapa bashkë me disa vende të tjera në atë që është një tjetër pikë ku na godasin rregullisht me shkopin e mësuesit në pastrimin e parave dhe këtë nuk e them unë se ndryshe nuk do isha normal por këtë e thotë Indeksi i Bazelit. Janë jo pak, por janë 7 apo 8 vende të BE që në Indeksin e Bazelit për pastrimin e parave renditen pas Shqipërisë, por ne nuk jemi të kënaqur me këtë dhe ne i mirëpresim të gjitha goditjet dhe të gjitha leksionet se ne duam të bëhemi shumë më të mirë dhe për këtë arsye me inteligjencën artificiale ne po punojmë që të integrojmë në sistemin e monitorimit të lëvizjes së parasë një model i cili praktikisht është dhe ai një model që do të çojë në një nivel tjetër të gjithë procesin e transparencës.
Tjetra që po punojmë aktualisht dhe të gjitha këto janë produkte që ose janë vënë në punë, siç është modeli i integrimit dhe i negociatave ose po përgatiten për tu vënë në punë, një tjetër produkt është produkti i sigurisë i cili lidhet me sigurinë në rrugë që falë një sistemi që këtë e kanë shumë vende të zhvilluara të kamerave digjitale por bashkuar me një sistem të inteligjencës artificiale do të mund të monitorojë në kohë reale gjithçka ndodh në rrugët e vendit dhe deri në qelizën bazë të së nesërmes që janë shkollat dhe mbi këtë bazë do të ketë një raport krejtësisht ndryshe mes qytetarit dhe ligjit, ndërkohë që policia do të bëhet më në fund e padukshme në rrugët e vendit si rezultat i teknologjisë.
Ndërkohë që nga ana tjetër do të ketë një raport krejt ndryshe mes nxënësit, mësuesit, prindit dhe institucioneve falë faktit që gjithçka do jetë në kushte shumë, shumë të përparuara sigurie.
Po ashtu gjurmimi i transaksioneve, e përmendi drejtoresha me inteligjencën artificiale që po bëhet gati t’i bashkëngjitet sistemit tonë të fiskalizimit, do të bëjë të mundur një përshkallëzim shumë të rëndësishëm të luftës kundër informalitetit dhe do të bëjë të mundur që mbi bazë risku kompanitë dhe bizneset e mëdha dhe të vogla të mund të monitorohen pa u shqetësuar më si deri më sot nga shumë inspektime fizike dhe nga shumë ardhje në derë të personave që bëjnë kontrolle, të cilët për hir të së vërtetës me gjithë sensibilizimet, edukimet, trajnimet janë ende larg së qeni një prani e mirëseardhur në derën e një biznesi.
Dhe për ta mbyllur me një tjetër produkt që është dhe ky një produkt që do të na lehtësojë shumë në aspektin e gjurmimit të të gjithë ,mallrave që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që janë mallra të akcizës, ne jemi duke përgatitur dhe besoj që do ta firmosin në javët e ardhshme një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara për të transformuar tërësisht shtypshkronjën e letrave me vlerë dhe ambicia jonë është që në një kohë jo të largët të arrijmë jo vetëm të prodhojmë në vend paratë, të prodhojmë në vend të gjitha llojet e letrave me vlerë përfshirë edhe të gjithë çfarë ka në botën digjitale për sa i përket identifikimit përmes telefonit dhe jo më përmes një karte identiteti nëpër xhepa duke arritur që në gjithë këtë sistem me këto pjesë që ju bëra me dije të kemi një qeverisje që në 2030 të jetë e një niveli shumë më të lartë për sa i përket standardeve të respektit për ligin, të standardeve të respektit për qytetarin dhe nga ana tjetër, standardet e respektit për vendin tonë në arenën ndërkombëtare.
Thënë të gjitha këto, dua të them një gjë; aty ku ne nuk jemi të parët, por përkundrazi jemi mbrapa të tjerëve në rajon është pjesa që ka të bëjë me sektorin privat të teknologjisë digjitale dhe aty ne kemi shumë për të mësuar dhe kemi shumë për të bërë që të dalim të parët, por edhe aty janë vendosur disa piketa të rëndësishme duke filluar nga programi i pajisjes së të gjitha shkollave me laboratorët “smart”, të shkollave 9-vjecare dhe shkollave të mesme, një projekt që po e bëjmë në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe që ka filluar të zbatohet.
Po ashtu, kemi ndërtuar një legjislacion që e kemi më të mirë se të gjithë këta shqiptarët e tjerë këtu, sa i përket parqeve teknologjike dhe presim që të kemi, falë këtij legjislacioni, një prurje të rëndësishme interesimesh për tu fokusuar në vendin tonë dhe me radhë një sërë masash të tjera sepse ajo që, siç e tha dhe po e citoj për të tretën herë Linda, drejtorja e AKSHI-t, është shumë e rëndësishme që të gjithë këto instrumente të mos mbeten në sferën e disponimit të shtetit, por të përfshijnë të gjithë sferën e aktivitetit digjital të shoqërisë ku një rol të veçantë ka sipërmarrja dhe ku edhe aty, krahasuar me vendet e rajonit për nivelin e investimeve dhe nivelin e diturive në digjitalizim, përsëri jemi larg vendit të parë, për ta thënë butë.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm, qoftë për ku kemi bërë progres të qenësishëm dhe patjetër na vjen mirë ta shikojmë Shqipërinë të renditur në vende të paimagjinueshme deri disa vite më parë në klasifikimet e avancimit të qeverisjes digjitale, por jemi njëkohësisht shumë të vetëdijshëm për progresin që duhet të bëjmë në aspektin e pjesës që i takon sipërmarrjes dhe që i takon në përgjithësi edukimit digjital të shoqërisë. Me këto të dhëna propagandistike të ditës së sotme, ju falënderoj dhe kalojmë në publicitet!