Transferimi i Kadastrës së Vlorës nuk penalizon qytetarët

Agjencia Shtetërore e Kadastrës sqaron se procesi i transferimit të Kadastrës së Vlorës në Tiranë nuk do të shkaktojë asnjë problematikë dhe penalizim për qytetarët.

Të gjitha aplikimet kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet përkatëse ofrohen gjithashtu në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues.

Gjithashtu, dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimit, përveç ngarkimit në sistemin elektronik, dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë vendore, pavarësisht vendndodhjes së saj, për t’u administruar dhe bashkëlidhur me aplikimin e kryer në mënyrë të rregullt dhe të standardizuar.

Prej kohësh, proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe proceseve administrative.

Procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021 me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar më tej edhe me drejtori të tjera si Shkodër, Kavajë, Kamëz -Vorë, dhe Vlorë.

Në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe të mirëadministrimit të proceseve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, edhe pjesa e mbetur e punonjësve në qytetin e Vlorës, po zhvendoset në Tiranë. Ky riorganizim synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punës.

Falë digjitalizimit dhe përdorimit të sistemeve të avancuara, një jurist mund të përpunojë të gjithë dokumentacionin ligjor dhe një hartograf mund të kryejë reflektimet hartografike në sistemet përkatëse, pa qenë prezent fizikisht në territorin në të cilin ndodhet prona apo aplikuesi.

ASHK siguron banorët e Vlorës për përkushtimin e tyre për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve kadastrale, për të rritur ritmin e legalizimit të ndërtimeve informale si dhe për të përfunduar procesin e Regjistrimit Fillestar në zonat e mbetura në të gjithë qarkun e Vlorës.