Transferohen 167 milionë euro në Fondin e Veçantë të Pensioneve

Rreth 167 milionë euro fonde buxhetore të pashpenzuara gjatë vitit 2025 janë transferuar në Fondin e Veçantë të Pensioneve dhe depozituar në llogarinë speciale pranë Bankës së Shqipërisë.

Transferimi është kryer në zbatim të Aktit Normativ Nr. 11, datë 19.12.2025, si dhe në përputhje me kuadrin ligjor për menaxhimin e sistemit buxhetor. Fondet përbëhen nga buxheti i pashpenzuar i ministrive dhe institucioneve publike përgjatë vitit të kaluar.

Sipas Ministrisë së Financave, ky hap synon forcimin e qëndrueshmërisë financiare të skemës së pensioneve dhe garantimin e stabilitetit afatgjatë të saj. Transferimi konsiderohet pjesë e zbatimit të reformës së pensioneve, me fokus konsolidimin e fondit dhe menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike.

Fondi i Veçantë i Pensioneve shërben si mekanizëm mbështetës për përballimin e detyrimeve aktuale dhe të ardhshme ndaj pensionistëve, në funksion të një sistemi më të qëndrueshëm dhe të besueshëm.