“Transparent Albania”, portë unike për aksesin në informacion dhe vendimmarrje publike

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, mori pjesë në Konferencën e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, me temë “Agora e transparencës në kohën e integrimit”, e zhvilluar në përmbyllje të Javës së Integritetit 2025 dhe e organizuar në bashkëpunim me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në fjalën e saj, Pirdeni theksoi se portali i transparencës “Transparent Albania” po konsolidohet si një faqe unike për aksesin në informacionin publik, në funksion të forcimit të transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

“Transparent Albania” do të përfshijë informacion mbi transparencën buxhetore, një bazë të unifikuar të programeve të transparencës të hartuara në zbatim të ligjit për të drejtën e informimit, në përputhje me udhëzimet e Komisionerit përkatës, si dhe dokumentacionin që lidhet drejtpërdrejt me proceset e vendimmarrjes publike.

Ministrja bëri të ditur se platforma është pajisur me funksionalitete të reja që adresojnë fragmentarizimin dhe vështirësinë e aksesit në informacionin e administruar nga institucionet publike, duke synuar sistematizimin dhe lehtësimin e përdorimit të tij nga qytetarët.

Një risi e rëndësishme e portalit është funksioni që u mundëson qytetarëve t’i drejtohen drejtpërdrejt koordinatorëve për të drejtën e informimit në çdo institucion dhe të gjurmojnë në kohë reale kërkesat e tyre për informacion. Ky mekanizëm krijon mundësi për monitorimin e performancës institucionale dhe përmirësimin e respektimit të afateve ligjore për dhënien e informacionit.
Në këtë kuadër, Pirdeni theksoi se sistemi i ri do të shërbejë edhe si instrument vlerësimi për institucionet që përmbushin standardet e transparencës, si dhe për ato që duhet të intensifikojnë përpjekjet për respektimin e detyrimeve ligjore.

Ministrja Pirdeni bëri të ditur gjithashtu se gjatë vitit të ardhshëm portali “Transparent Albania” do të lidhet me një dritare të re informative në faqen e Kryeministrisë, e cila do të ofrojë informacion të përditësuar mbi procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke garantuar një rol më aktiv mbikëqyrës të publikut dhe shoqërisë civile në këtë proces.