Tryeza e Konsultimit të Strategjisë Kombëtare të Migracionit dhe Planit të Veprimit 2024-2030 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Tryeza e Konsultimit të Strategjisë Kombëtare të Migracionit dhe Planit të Veprimit 2024-2030

Ministria e Brendshme po zhvillon konsultimin e Strategjisë Kombëtare për Migracionin dhe Planin e Veprimit 2024-2030. Në tryezën e organizuar, me pjesëmarrjen e shumë aktorëve, ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se migracioni është një dukuri komplekse që prek dhe ndikon në një sërë aspektesh të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të vendit. Duke përmbushur edhe një nga detyrimet e procesit të rrugëtimit drejt BE, Shqipëria përmes masa ka ulur ndjeshëm flukset e emigrimit të parregullt dhe azil-kërkimit nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar, ka ngritur institucione me kapacitete më të mira, si dhe ka shtuar kapacitetet pritëse për të huajt e parregullt. “Raporti i procesit të ‘screening’ përcakton shprehimisht detyrimin për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare për Migracionin dhe Planit të Veprimit, që përmbushet teksa flasim, ashtu siç përcakton nevojën për më shumë burime njerëzore, vëmendje dhe kapacitete të shtuara për trajtimin e të miturve të pashoqëruar, informimin më të mirë në nivel vendor, parandalimin e migracionit të parregullt nga Shqipëria drejt BE, riintegrimin e migrantëve të kthyer e çështje të tjera”, theksoi Balla.

VIDEO – Fjala e plotë e ministrit Balla në tryezën e konsultimit:

Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë dhe njëkohësisht përgjegjësinë e madhe të jem sot këtu me ju, në këtë konsultim për Strategjinë Kombëtare për Migracionin dhe Planin e Veprimit 2024-2030, një nga dokumentet më të rëndësishëm të politikave të Qeverisë Shqiptare, me të cilët jeni njohur gjatë kësaj faze të konsultimit publik.

E theksoj rëndësinë e kësaj strategjie për një sërë arsyesh, që kanë të bëjnë më rëndësinë që migracioni dhe mirëqeverisja e tij ka për shoqërinë shqiptare. Besoj të gjithë jemi të vetëdijshëm për historinë dhe traditën migratore të shoqërisë shqiptare dhe potencialin e jashtëzakonshëm për zhvillim që migracioni mbart, por njëkohësisht edhe për aspekte të caktuara që kërkojnë një qeverisje më të mirë, veçanërisht parë në kuadër të aspiratave dhe përafrimit të vazhduar me standardet dhe kërkesat e aderimit në Bashkimin Evropian.

Theksova që në fillim të fjalës sime përgjegjësinë e të qenit këtu, si ministër i institucionit që ka detyrën drejtuese dhe koordinuese për hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Migracionin dhe Planin e Veprimit 2024-2030, një detyrë që përbën një sfidë të veçantë, duke pasur parasysh numrin e madh të institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në proces. Jemi të gjithë të vetëdijshëm që migracioni është një dukuri komplekse që prek dhe ndikon në një sërë aspektesh të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të vendit dhe, si e tillë, kërkon angazhimin serioz të të gjithë aktorëve përkatës. Përfitoj nga rasti për të përshëndetur angazhimin e kolegëve të Sekretariatit Teknik për Migracionin në Ministrinë e Brendshme për koordinimin e shkëlqyer të këtij procesi, me mbështetjen e pandërprerë të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, jo vetëm për mbështetjen në tërësi përgjatë hartimit dhe zbatimit të politikave migratore në Shqipëri, përmes ekspertizës dhe burimeve të vëna në dispozicion për këtë qëllim, por edhe për vëmendjen e veçantë që i ka kushtuar mbështetjes së sistemit të koordinimit dhe monitorimit të strategjisë dhe fuqizimit të Sekretariatit Teknik për Migracionin, duke siguruar kështu përmbushjen e dy prej parimeve themelore, si qasja e gjithë qeverisë dhe qasja e gjithë shoqërisë.

Këto qasje nuk janë as të reja dhe as thjesht gjetje metodike, por janë qasje tashmë të provuara globalisht dhe thelbësore, jo vetëm për mirëqeverisjen e migracionit, por edhe në themel të standardeve ndërkombëtare që Shqipëria dhe Qeveria Shqiptare i ka miratuar dhe angazhime që ka marrë përsipër t’i përmbushë.

Një nga këto angazhime është edhe Pakti Global për Migracionin e Sigurtë, të Rregullt dhe të Rregulluar, nënshkruar nga Shqipëria në dhjetor 2018 në Konferencën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Marrakesh. Kam kënaqësinë sot të theksoj se kjo strategji për të cilën do të diskutojmë në vijim, është tërësisht e harmonizuar me Paktin Global dhe synon të çojë përpara arritjet e shënuara në zbatimin e strategjisë së mëparshme.

Këto arritje janë edhe një hap më tej jo vetëm në përmbushjen e synimeve të Paktit dhe të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, por janë edhe një hap drejt aderimit në Bashkimin Evropian. Ju jeni tashmë në dijeni që procesi i ‘screening’ ka përfunduar për disa kapituj, duke njohur progresin por edhe duke përcaktuar një sërë detyrimesh, për përmbushjen e të cilave punohet intensivisht. Një prej elementëve thelbësorë është pa dyshim migracioni, si pjesë e kapitullit 24. Raporti i procesit të screening përcakton shprehimisht detyrimin për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare për Migracionin dhe Planit të Veprimit, që përmbushet teksa flasim, ashtu siç përcakton nevojën për më shumë burime njerëzore, vëmendje dhe kapacitete të shtuara për trajtimin e të miturve të pashoqëruar, informimin më të mirë në nivel vendor, parandalimin e migracionit të parregullt nga Shqipëria drejt BE (ku është bërë shumë por mbetet ende për të bërë), riintegrimin e migrantëve të kthyer e çështje të tjera.

Përmbushja e këtyre dhe të tjera detyrimeve mbetet vëmendje prioritare e Qeverisë, por garantimi i përmbushjes me sukses të tyre kërkon mbështetje dhe partneritete të konsoliduara. Dhe jo sepse Shqipëria nuk ka burimet, mundësitë apo aftësitë për t’i përmbushur këto detyrime, por për faktin e thjeshtë se dinamikat migratore janë pjesë përbërëse e të gjitha zhvillimeve shoqërore apo ekonomike, të ndërthurura në një mënyrë sistemike të pandërprerë që i kalon kufijtë e realitetit shqiptar, e si rrjedhojë, duhet që të gjitha hallkat e këtij sistemi të funksionojnë e të perfeksionohen në mënyrë të harmonizuar e të integruar, në mënyrë që ky sistem të funksionojë siç duhet.

Vëmendja e pjesëmarrja juaj sot në këtë tryezë është për mua dhe institucionin që drejtoj një shprehje e qartë e angazhimit të të gjithëve ne drejt konsolidimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në këtë rrugëtim të përbashkët.

Sa i përket disa prej rezultateve të deritanishme, në përballjen me këtë sfidë ju informoj dhe ndaj me publikun :

–  kemi një ulje të ndjeshme të flukseve të emigrimit të parregullt dhe azil-kërkimit nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku rënia është drastike 90 % më pak se një vit më parë;

– kemi institucione me kapacitete më të mira dhe staf më të kualifikuar në menaxhimin e migracionit falë trajnimeve të zhvilluara me mbështetjen e shumë prej jush;

– kemi më shumë kapacitete pritëse për të huajt e parregullt që synojnë të kalojnë përmes territorit shqiptar, dhe trajtim të tyre në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet ndërkombëtare;

– kemi legjislacion më të përafruar me Bashkimin Europian, krahasuar me vendet e BP, mjafton të përmendim këtu lejen unike për të huajt me qëndrim në Shqipëri, apo ligjin për Azilin.

Ende mbetet shumë për të bërë dhe sot shpresoj dhe pres komentet, diskutimet bashkërisht duhet të bëjmë për të ardhmen e qeverisjes së migracionit në Shqipëri, të mirëpresim sugjerimet tuaja se si mund të përmirësojmë edhe më tej Strategjinë e re dhe pse jo, të materializojmë në të ardhmen e afërt nisma konkrete për zbatimin e saj. Më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve për angazhimin, mbështetjen dhe garantoj për gadishmërinë për ta instesifikuar me secilin, bashkëpunimin në funksion të zbatimit të kësaj strategjie. Edhe njëherë shumë falëminderit dhe punë të mbarë, këtij konsultimit të rëndësishëm publik.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….

Ministri i Brendshëm Taulant Balla foli për mediat pas Tryezës së konsultimit për Strategjinë e Migracionit për çështje të ditës, posaçërisht pas arrestimit të një grupi shtetasish që akuzohen për disa vepra të rënda penale, mes tyre edhe drejtues aktualë dhe ish drejtues të Policisë së Shtetit. Balla e konsideroi këtë ngjarje si frut i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese në vend, dhe mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë. Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve Ministri Balla foli gjithashtu edhe për çështje të tjera siç janë zgjedhja e kreut të ri të AMP, hetimi për “21 janarin”, kjo e fundit në dritën e vendimit të Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut në Strasburg – VIDEO

Ministrit Balla: Ajo që është e rëndësishme dhe që unë e kam ndarë me ju edhe më herët një qëndrim timin është që  pikë së pari, gjej rastin të përgëzoj Policinë e Shtetit për realizimin me sukses të plotë të ndalimit të personave të cilët ndodhen në territorin e Shqipërisë. Ndërkohë të falënderoj për besimin dhe bashkëpunimin prokurorët e SPAK. Falë këtij besimin dhe bashkëpunimi, koordinimit mes agjencive ligjzbatuese ne tashmë besoj ndajmë të gjithë vlerësimin që e kemi ngritur në një nivel tjetër goditjen e krimit të organizuar në Shqipëri. Në rastin në fjalë, të përfshirë në vepra të rënda penale që lidhen me krime kundër personit, me një prej meraqeve të mia kryesore në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, sikurse është lufta kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike, trafikut ndërkombëtar të drogave. Dhe falë këtij bashkëpunimi me SPAK ne po çojmë në një nivel tjetër, sikurse e thatë edhe ju në pyetjen tuaj, procesin e vetëpastrimit në Policinë e Shtetit.

Unë e kam thënë prej ditës së parë në këtë detyrë që vatrat e bashkëpunëtorëve të krimit të organizuar dhe dosja në fjalë është, do thoja, një “skaner” i qartë i mënyrës se si vatra kanceroze brenda Policisë së Shtetit ndër vite, sepse keni edhe ish-punonjës policie të përfshirë, kanë shërbyer si shërbëtorë të krimit të organizuar. Kështu që në këtë vështrim, çuarja përpara e procesit të vetëpastrimit,  koordinimi, bashkëpunimi mes agjencive ligjzbatuese, qoftë SPAK, qoftë prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, por mos harroni asnjëherë, koordinimi me partnerët, sepse dua të nënvizoj që një pjesë e këtyre operacioneve po kryhen falë koordinimit, bashkëpunimit, edhe me policitë dhe prokuroritë e vendeve partnere. Mos harroni në asnjë moment dhe mund t’ju jap një shembull që është kuptimplotë, i besimit që tashmë vendet partnerë kanë te Policia e Shtetit. Ndër 16 operacione që policia italiane zhvillon aktualisht me policitë e vendeve të tjera, 14 prej tyre po zhvillohen ose janë në proces zhvillimi, me policinë shqiptare.

Pyetje: A ka një analizë në këto muaj që ju jeni Ministër i Brendshëm, pse ka një përfshirje kaq të madhe të Policisë së Shtetit në krim, a ka një arsye për këtë përfshirje?

Ministri Balla: Përgjigjja ime e qartë është prej ditës së parë të ardhjes sime në këtë detyrë, është angazhimi për ta pastruar Policinë e Shtetit. Meqë më dhatë mundësinë të komunikoj sot me ju këtu, dua të ndaj me ju lajmin se kemi përmbyllur procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të ri të AMP. Ky është një proces që MB, si asnjëherë tjetër më parë ka qenë një proces i hapur. Kanë konkurruar 26 kandidatë, kemi mbërritur në një “short list” me 5 kandidatura. Dhe unë besoj që brenda kësaj jave, do ta përmbyllim e do t’i propozoj Kryeministrit, drejtuesin e ri. E natyrshëm që do të kemi një komunikim tjetër me ju, në prezencën e medias.

Pyetje: Ardi Veliu do të emërohej në një detyrë tjetër, a ka ndonjë info?

Ministri Balla: Unë po flas për drejtuesin e AMP për një arsye të thjeshtë që lidhej me pyetjen e koleges suaj. Unë i bashkohem shqetësimit të medias edhe publikut, sepse media sjell shqetësimin e publikut.

Pyetje: Më herët ju lajmëruat që Ardi Veliu do ishte në një pozicion tjetër dhe do jepte kontributin e tij pas AMP-së?

Ministri Balla: Patjetër, kur të jetë pozicioni tjetër, do t’ju njoftoj. Po flasim për AMP, mendoj që në procesin e  vetëpastrimit të policisë, AMP në koordinim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, dhe unë prandaj e theksoj gjithmonë, është e pamundur që të bësh një proces vetëpastrimi, nëse nuk garantojmë një bashkëpunim të AMP me SPAK, me prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, dhe ajo që ju e keni parë që është një angazhim i shtuar i imi, edhe bashkëpunimin me Interpol dhe me Europol. Duke qenë në Interpol në Lyon, para pak ditësh, për të koordinuar punën e përbashkët edhe me një sfidë të madhe që kemi, sepse kemi një numër të madh personash, edhe në operacionin në fjalë, kemi një numër të madh personash, të cilët nuk ndodhen në Shqipëri dhe falë këtij niveli të ri koordinimi me Interpolin, do t’i gjejmë, do t’i sjellim ata në Shqipëri. Dhe së shpejti do të jem edhe në Europol, ju e dini dhe besoj e kuptoni se sa i rëndësishëm është koordinimi unë me këtë Agjenci Europiane në luftën kundër krimit të organizuar dhe gjetjen e personave të cilët i fshihen drejtësisë.

Pyetje: Z. Balla, sa përqind janë mundësitë për ekstraduar Dritan Rexhepin nga Turqia drejt Shqipërisë pasi, edhe shteti italian është në “garë” me Shqipërinë për ta ekstraduar?

Ministri Balla: Unë garat i fitoj gjithmonë.

Pyetje: Sa i takon vendimit të Strasburgut, i cili kritikoi Policinë dhe gjykatën shqiptare, a mendoni se ka ardhur që t’i jepet një drejtim dhe të zbardhet krimi i rëndë i para disa viteve?

Ministri Balla: Vendimi i Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut, për çështjen “Nika kundër Shqipërisë” është një vendim i rëndësishëm. Shqipëria ka tashmë një regjistër të plotë të zbatimit të vendimeve të Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut. Vendimi në fjalë është një vendim tepër i rëndësishëm, kompleks, është një vendim që nxjerr në pah dështimet shumë vjeçare të drejtësisë në rastin e zbardhjes së autorëve. Por siç e thekson vendimi i Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut, lidhet me zinxhirin komandues të urdhrave që çuan në vrasjen e personave të pafajshëm gjatë  një proteste paqësore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Për pasojë dua të ndaj me ju lajmin se Ministria e Brendshme e ka marrë vendimin dhe natyrshëm ia ka komunikuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili për shkak të pozicionit që mban, të përgjegjësisë që ka, do të duhet të nxjerrë përgjegjësitë e Policisë së Shtetit se çfarë ka bërë Policia e Shtetit.

Mos harroni që dosja në fjalë ndodhet në DVP Tiranë, mos harroni që prokuroria e juridiksionit të përgjithshëm Tiranë këtë dosje e ka në proces hetimor. Mund të ndaj me ju brenda kufijve të respektimit të sekretit hetimor që në momentin që flasim, ka veprime hetimore që lidhen me ato elementë të cilët disponohen aktualisht në dosje. Dhe natyrshëm në cilësinë e Ministrit të Brendshëm dua të garantoj publikun se çuarja përpara e hetimit të plotë, ashtu siç vlerëson gjykata, të zinxhirit komandues, është një prej detyrave të rëndësishme që Policia e Shtetit duhet të bëjë në bashkëveprim me prokuroritë, qoftë kjo prokuroria e juridiksionit të përgjithshëm Tiranë,  e cila disponon dosjen. Sepse ju e dini që një dosje për vrasje sa kohë që nuk është e zbuluar, është gjithmonë aty e hapur, për t’u hetuar. Kemi të bëjmë me një vrasje në rrethana tepër të cilësuara. Kemi, besoj dhe ju për shkak të eksperiencës që keni krijuar tashmë ndër vite, elementë të bashkëpunimit, në mënyrë që t’i shkohet deri në fund kësaj ngjarjeje tepër të rëndë, e cila edhe për mua personalisht por apo për qeverinë tonë mbetet një prej objektivave kryesore për ta zbardhur atë.

Prandaj thirrja ime në funksion të gjetjeve të vendimit të Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut është që të gjitha institucionet e përfshira, dhe këtu I bëj një thirrje prokurorisë, publikisht, është që ta lexojë me vëmendje vendimin. Natyrshëm që ju e dini, procedura e zbatimit të vendimeve ku Shqipëria zyrtarisht e merr vendimin përmes Avokatit të Shtetit, dhe natyrshëm që më pas Avokati i Shtetit ia dorëzon të gjitha institucioneve të përfshira. Kam shumë besim se kjo çështje, pas këtij vendimi, do t’i shkohet deri në fund.

Previous Intervistë e Kryeministrit Edi Rama dhënë për France24, në emisionin “Këtu Europë”