Tryeza Shqipëri – Kosovë, Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit Albin Kurti - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Tryeza Shqipëri – Kosovë, Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit Albin Kurti

Në përfundim të mbledhjes së përbashkët të qeverive Shqipëri – Kosovë dhe nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare të bashkëpunimit, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti: I nderuar kryeministër Rama, i dashur Edi, të nderuar media, të dashur qytetarë të dy vendeve tona. Mirë se po takohemi në këtë konferencë të përbashkët me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Edi Rama, e treta në radhë në më pak se një vit. Në më pak se një vit, mbajtëm dy mbledhje të përbashkëta të kabineteve tona qeveritare, dëshmi të forta për bashkëpunimin tonë. Pas zbatimit thuajse të plotë të marrëveshjeve që nënshkruam në nëntor të vitit të kaluar, gëzohem që sot u pajtuam edhe për një mori të reja, plot 19 të tilla, duke shtuar kështu edhe më shumë bashkëpunimin tonë në fushën e arsimit, rendit, energjisë dhe infrastrukturës, tregut të përbashkët ekonomik, turizmit, mbrojtjes e të tjera.

Gjithmonë marrëveshjet bilaterale mes dy vendeve bëhen për  t‘i shtuar marrëdhëniet dhe për t’i afruar edhe më shumë qytetarët. Ne, me marrëveshjet bilaterale që nënshkruajmë, ruajmë dhe avancojmë marrëdhëniet tona të afërta, teksa qëndrojmë të përbashkuar si sot rreth nevojës, dëshirës dhe qëllimit për zhvillim, barazi, drejtësi dhe mirëqenie.

Tetë ditë më parë, ne festuam në Kosovë 23 vjetorin e ditës së çlirimit dhe paqes, ndërkaq sot është dita botërore e refugjatëve. Kur kremtojmë 12 qershorin, nuk mund të mos kujtojmë rolin  e rëndësishëm që kishte Republika e Shqipërisë në luftën tonë për çlirim edhe të përkujtojmë dëshmorët dhe luftëtarët shqiptarë që iu bashkuan luftës çlirimtare. Kur shënojmë ditën e refugjatëve, nuk mund se si të mos jemi falënderues ndaj familjeve shqiptare që strehuan bashkëkombësit e tyre, të cilët po dëboheshin masivisht dhe kërcënoheshin nga spastrimi etnik në pranverën e vitit 1999.

Në përvjetorë dhe ditë si këto nuk kujtojmë vetëm dhimbjen që na është krijuar nga agresori, por edhe lehtësimin dhe mbështetjen që na ka ardhur nga motrat dhe vëllezërit e kombit dhe nga miqtë ndërkombëtarë.

Vendet tona nuk i bën bashkë vetëm interesi, por është në interesin tonë të qëndrojmë bashkë. Aq sa na bashkon historia, gjuha dhe kombi, aq duhet të na lidhë bashkëpunimi institucional në ccdo fushë, bashkëpunim ky që lehtëson dhe përmirëson jetën e qytetarëve tanë dhe rrit besimin social ndërmjet qytetarëve në dy anët e kufirit. Sidomos, ky besim i ndërsjellë social ka dëshmuar që është qenësor në gatishmërinë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar.

Kosova dhe Shqipëria, tashmë kanë një trend shumë pozitiv të bashkëpunimit tregtar që dhe të avancojë. Vetëm brenda 5 viteve të fundit, shkëmbimi ynë tregtar me Shqipërinë është shumëfishuar. Sot ne importojmë nga Shqipëria më shumë se asnjëherë më parë dhe eksportojmë në Shqipëri më shumë se asnjëherë më parë. E teksa jemi tek gjërat që nuk janë bërë asnjëherë më parë dhe po i bëjmë për herë të parë, padyshim që  projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme. Kjo hekurudhë do e lidhë Kosovën me korridorin që kalon pranë nesh, por nuk janë të lidhura me ne, do t’i bashkojë edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë mes republikave tona.

Në fund, ju uroj edhe njëherë mirëseardhjen në Prishtinë, kryeministrit Rama dhe kabinetit qeveritar dhe i falenderoj për bashkëpunimit jashtëzakonisht të mirë në arritjen e marrëveshjeve të reja dhe zbatimin e atyre të kaluara.

Ju faleminderit! 

 Kryeministri Edi Rama:  Faleminderit Albin! I dashur kryeministër. Të dashur përfaqësues të mediave nga Tirana dhe Prishtina, është vërtetë kënaqësi që sot jemi këtu, jo për faktin se është gjithmonë kënaqësi të vijmë në Prishtinë, por edhe për faktin që sot, ne kemi bërë një bilanc pozitiv të bashkëpunimit dhe ndërkohë kemi rënë dakord për disa gjëra me rëndësi. Nuk e ekzagjeroj fare po të them që pas çdo mbledhjeje të përbashkët, ne i afrohemi pak më shumë qëllimit madhor të dokumentit të partneritetit strategjik midis dy shteteve tona të nënshkruara në Prizren në vitin 2014.

Sot, kemi rënë dakord që në kuadrin e 100 vjetorit të flamurit tonë kombëtar të pavarësisë së Shqipërisë të organizojmë për herë të parë Kuvendin e përbashkuar të dy republikave, një seancë jubilare ku presidentët e të dyja shteteve do të jenë bashkë për të adresuar popullin shqiptar kudo ku ai ndodhet. Po ashtu kemi rënë dakord që në periudhën e fundit të vitit të publikojmë revistën e parë ndërqeveritare, e cila do t’i shërbejë të gjithëve ju dhe të gjithë të interesuarve për të parë të gjitha faktet dhe shifrat e bashkëpunimit, të gjitha marrëveshjet dhe nivelin e zbatimit të tyre. Në këtë mënyrë do të kemi një fletore zyrtare të të dyja qeverive, e cila do të publikohet rregullisht në fund të çdo viti për të informuar të gjithë të interesuarit për ecurinë e bashkëpunimit mes nesh.

Albini e tha me fjalë të tjera, unë po e them me një shifër. Volumi tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës kur ne kemi filluar këtë bashkëpunim të afërt ka qenë 136 milionë euro, një volum qesharak. Sot jemi në 433 milionë euro, që nuk është ende volumi që ne kemi ambicien të arrijmë, e kemi deklaruar ambicien që duam të shkojmë mbi 1 miliard, por është një volum që nuk mund ta quash më të papërfillshëm dhe nuk është një shifër me pak domethënie, është rezultat sigurisht i mundit, i djersës, i ambicies së sipërmarrësve shqiptarë në të dyja anët, por edhe i lehtësirave dhe i nxitjeve që ne kemi mundur të krijojmë.

Kam dhe një lajm  për ata që kërkojnë të gjejnë arsye që të bëjnë komente mbi mosmarrëveshje dhe mungesë të ecurisë së duhur të punës mes dy qeverive. Me qeverinë aktuale ne kemi shkallën më të lartë të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara, përfshirë dhe marrëveshjet e nënshkruara në të kaluarën. Shpresoj që ky të konsiderohet një fakt dhe jo një arsye për të bërë spekulime të tjera të natyrës politike sepse unë jam tereshit i papërfshirë dhe i painteresuar të përfshihem në jetën politike të Kosovës.

Nga ana tjetër, sot kemi ekspozuar në mënyrë shumë konkrete një projekt, i cili është pa diskutim projekti më ambicioz strategjik i një qeverie të Shqipërisë dhe i një qeverie të Kosovës, që është porti i ri i Durrësit dhe porti i thatë i Prishtinës, një projekt, i cili, jo vetëm që transformon në mënyrë rrënjësore të gjithë infrastrukturën e zhvillimit tregtar, të marrëdhënieve tregtare mes vendeve, jo vetëm nxit si asnjë gjë tjetër më parë ekonominë  e dy vendeve, por e vendos Shqipërisë së bashku me Kosovën në qendër të një gravitetit rajonal dhe e kthen Durrësin në një nga portat më strategjikë ekonomike të Mesdheut. Ky është një projekt për të cilin njëkohësisht nuk kemi thjeshtë ekspozuar një video që është rezultat i një punë shumë të detajuar të një kompanie holandeze ndër më prestigjiozet në botë Royal Haskoning DHV, por kemi firmosur bashkërisht financimin e studimit të fizibilitetit për të shkuar pastaj te projektimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Tjetra që besoj është shumë e rëndësishme në këtë 110 vjetor, përpara kësaj mbledhjeje, në mbledhjen e kaluar kemi rënë dakord në Elbasan për një Abetare unike të të gjithë shqiptarëve. Abetarja është në një proces të avancuar, me një komision të përbashkët ekspertësh është përzgjedhur varianti fitues, tani jemi në fazën e zbatimit dhe uroj dhe shpresoj që së bashku me Kryeministrin, ne të mund të shpërndajmë abetaret e para në një kohë sa më të arsyeshme. E fundit që kam, por jo për nga rëndësia është dakordësia financiare përsëri me kontribut të përbashkët të dy qeverive për shkrimin e enciklopedisë shqiptare. 10 vëllime që do të përmbledhin të gjithë korpusin enciklopedik të popullit shqiptar, të botës shqiptare, të historisë shqiptare, të jetës shqiptare.

Më në fund, edhe shqiptarët do të kenë një enciklopedi të denjë për vende të civilizuara dhe për shtete që e kanë seriozisht adresimin e rrënjëve te tyre dhe njëkohësisht dhe të së ardhmes së tyre.

Shumë faleminderit dhe një herë i dashur Albin për mikpritjen, shumë faleminderit anëtarëve të dy kabineteve që përpos të gjithë problematikave dhe punëve të tjera, i janë përkushtuar edhe kësaj pune të përbashkët.

Është krijuar një sinergji mjaft pozitive dhe nuk mund të lë pa përmendur në mbyllje qenin që lehte përpara dy himneve kombëtare, mbase e keni dhe të xhiruar, dhe pushoi pasi u kënduan himnet. Pasi u kënduan himnet, qeni nuk lehu më. Ky është një qen, i cili mbetet shumë i rëndësishëm nga kjo ditë sepse përben një simbol të lehjeve për arsye tërheqjeje vëmendjeje, por kur ne fokusohemi dhe puna vazhdon, lehjet mbeten mbrapa si në atë shprehjen e bukur popullore: Qentë le të lehin, karvani do të vazhdojë të shkojë përpara.

Shumë faleminderit! 

* * *

-E përmendët karvanin në fund zoti Kryeministër, pyetja është po e shohim që mbledhjet e qeverive po ju bëjnë bashkë, por jo dhe Ballkani i Hapur. A vazhdoni të mendoni që Kosova duhet të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur? A mund të na tregoni cili ka qenë qëllimi i vizitave dje te bizneset në Kosovë? A po tentohet të implementohet Ballkani i Hapur, jo në vijën institucionale?

-Për kryeministrin Kurti, si i komentoni deklaratat e përfaqësuesve të odave ekonomike që Kosova do të duhet t’i bashkohet Ballkanit të Hapur dhe a jeni konsistent në qëndrimin që Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur sidomos pas deklaratave të Gabriel Escobar që tha është një iniciativë e mirë për vendet e Ballkanit?

Kryeministri Albin Kurti: Së pari, duhet të theksojmë arritëm marrëveshje, protokolle dhe memorandume gjithsej 19 sot, dhe kjo është për t’u përshëndetur e për t’u gëzuar nga të gjithë. Marrëdhëniet tona bilaterale janë të shkëlqyeshme dhe vëllazërore dhe vëllezërit nuk kanë ndërmjetësues ndërmjet njëri-tjetrit. Prandaj edhe mbledhja, është një mbledhje midis Kosovës e Shqipërisë, Shqipërisë e Kosovës që t’i forcojë të dy shtetet tona në funksion të qytetarëve tanë për interesin, dëshirat e nevojat e tyre. Ndërkaq, për çështjen e ngritur, ajo është e një dimesioni tjetër, pra jo bilaterale, jo midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe për atë nuk kam asgjë të re t’iu them.

Kryeministri Edi Rama: Është e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na bashkon, por ama është po kaq e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na ndan. Që do të thotë që në këtë pikë kemi këndvështrime të ndryshme, ky nuk është sekret, por këto këndvështrime të ndryshme në këtë pikë, nuk na pengojnë që në marrëdhëniet bilaterale ne të vazhdojmë të ecim përpara.

Ashtu sikundër, porosia ime për qeverinë që drejtoj është që çdo gjë që ne jetësojmë në Ballkanin e Hapur, duhet ta jetësojmë edhe me Kosovën. Konkretisht, operatorët ekonomikë të autorizuar që do të thotë dhënia të gjithë kompanive që kontribuojnë në volumin tregtar mes dy vendeve dhe që nuk kanë risk të lartë, që do të thotë që nuk janë të dyshuara për veprimtari të paligjshme e një autorizimi për të pasur një korridor pa asnjë kontroll në pikën doganore. Këtë e kemi të jetësuar sot në Ballkanin e Hapur dhe këtë duam të jetësojmë edhe me Kosovën dhe do ta jetësojmë së shpejti.

Tarifat doganore, heqja e të gjitha tarifave doganore për kompanitë reciprokisht të përfshira në ndërveprim mes dy vendeve është sot në Ballkanin e Hapur, duam ta bëjmë dhe me Kosovën dhe në të dyja këto drejtime, ne do ta bëjmë këtë pa asnjë diskutim madje përsa I përket tarifave doganore Kosova ka kërkuar pak kohë për të bërë një studim ekonomik, ne do ta bëjmë në mënyrë të njëanshme dhe do ta hapim pa tarifa doganore kufirin për bizneset e Kosovës.

E fundit, do t’iu lutesha shumë të mos kërkoni qeveritë t’u flasin për sipërmarrjet. Çfarë dua të them?! Sipërmarrësit shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo qofshin për mua janë sipërmarrës të Shqipërisë dhe të të gjithëve dhe për mua është jashtëzakonisht e rëndësishme që Shqipëria të jetë e gatshme t’i pranojë, t’i mbështesë dhe të krijojë kushte. Jam shumë i lumtur për çdo investim të huaj që vjen në Shqipëri, por ne kemi nevojë për kampionët tanë dhe kampionët tanë janë ata që bëjnë sipërmarrje në Shqipëri, në Kosovë dhe kudoqoftë dhe që përfaqësojnë ambicien dhe fuqinë e sipërmarrjeve shqiptare. Unë takohem me bizneset e Kosovës në Kosovë apo Shqipëri dhe kjo nuk është diçka që ka të bëjë me marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës dhe nuk duhet të përfshihet këtu asnjë lloj aluzioni dhe asnjë lloj spekulimi sepse thjesht nuk është i vërtetë. Spekulime dhe aluzione mund të bëjë kush të dojë është puna juaj. Ju jetoni me to. Nuk mund t’ju themi hiqjani bukën gojës suaj, nëse për bukën duhet të bëni dhe spekulime, por e vërteta është kjo. Ne jemi shumë shumë pozitivë në raport me Kosovën, në raport me marrëdhëniet dhe nuk ka asnjë diskutim që për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën dhe për Kosovën ne jemi një, nuk jemi dy! Kur vjen puna për Ballkani i Hapur apo Procesi i Berlinit, këto janë çështje të natyrës konceptuale. Duhet të ishte shumë çudi sikur unë me Albinin të binim dakord për çdo gjë. Kjo do donte të thoshte që ne do të kishim një problem realisht. Fakti që nuk biem dakord për çdo gjë tregon që jemi në rregull. Mendoj unë!

-Për ju z. Kurti, duke qenë se gjatë takimit të djeshëm që përfaqësues të biznesit patën me z. Rama duket se kishin një qasje tepër miqësore për propozimin për heqjen e tarifave dhe barrierave tarifore mes tyre, ju do ta diskutoni politikisht që të njëjtën gjë të bëni me vendet që preferoni, vendet që janë pjesë e Ballkanit të Hapur dhe për ju z. Rama ka një datë se kur do ta bëni qoftë edhe në mënyrë të njëanshme heqjen e barrierave tarifore për bizneset e Kosovës?

Kryeministri Edi Rama: Meqë gazetarit të Kosovës, iu përgjigj Albini i pari, unë po të përgjigjem ty i pari, vetëm me përgëzimin që RTSH ka një pavarësi të mjaftueshme për të bërë edhe pyetje provokuese, por dua të them këtë, që ne kemi sot një problem: që është i vjetër nuk është i ri dhe sot në mbledhjen që sapo mbaroi kemi rënë dakort për një marrëveshje për një studim për bashkimin doganor. Ky është një problem që e kemi adresuar me të gjitha qeveritë përpara dhe është fakt që ka diçka me shifrat që e  bën Kosovën të jetë ngurruese, por unë besoj që në të gjitha rastet, ajo që patë me portin e Durrësit dhe të Prishtinës sepse faktikisht është një port i shtrirë nga Durrësi në Prishtinë, është zgjidhja përfundimtare e kësaj historie, që lidhet me nevojën që ka Kosova për të patur një autonomi të mjaftueshme që të mos goditet financiarisht nga sinergjia në këtë drejtim dhe nuk e kisha absolutisht në asnjë kontekst tjetër përveçse në këtë kontekst atë që thashë, që pala e Kosovës ka kërkuar kohë për të diskutuar çështjen e heqjes së tarifave.

Ne nuk kemi nevojë ta studiojmë sepse e kemi përfunduar këtë proces nga pikëpamja e konceptimit, kështu që ne do ta bëjmë këtë gjë nga ana jonë dhe do të përfitojnë kompanitë e Kosovës, kjo ka rëndësi. Domethënë nuk mund të përfitojnë të gjithë në të njëjtën kohë, por do të përfitojë një pjesë, s’ka problem. Kjo është shumë, shumë e rëndësishme sepse ju thashë që ambicia për volumin tregtar është që të shkojë mbi 1 miliardë, nëse volumi tregtar nuk mund të shkojë mbi 1 miliardë dollarë, ne ende nuk jemi aty ku duhet.

Por ama e kishim volumin tregtar pak më shumë se çmimi i këpucëve të Kristiano Ronaldos, tani jemi mbi Kristiano Ronaldon të paktën, duhet të shkojmë tek gjithë Manchester United, si volum.

Kryeministri Albin Kurti: Ne sot diskutuam edhe bashkimin doganor, pra jemi shumë të interesuar që të bashkohemi në këtë aspekt, andaj kjo është një marrëveshje shumë serioze edhe pa dyshim që në muajt dhe në vitet në vijim do të rritet edhe shkëmbimi i ndërsjellë tregtar edhe investimet tek njëri-tjetri. 19 marrëveshje, memorandume dhe protokolle, kjo është shumëfish më shumë sesa marrëveshjet që janë bërë në një tjetër iniciativë rajonale, por unë jam i bindur që lajm sot është përforcimi dhe avancimi i të përbashkëtës sonë dhe jo dallimet që dihen.

-Kjo gjë që po bëhet me Kosovën, mund të bëhet edhe me Maqedoninë e Veriut  dhe vende të tjera që janë pjesë e Ballkanit të hapur?

Kryeministri Albin Kurti: Ne jemi në CEFTA siç dihet dhe mbase do marrë së shpejti një fillim të ri procesi i Berlinit. Jemi të interesuar për sa më shumë bashkëpunim, por sot nuk kishim një takim rajonal, por bilateral dhe vëllazëror.

  

–      Një pyetje për dy kryeministrat. E para ka të bëjë me ato çka u raportuan në media dhe asaj deklaratës në Ohër që pak a shumë zoti Rama iu përgjigj edhe pa e pyetur,

Kryeministrit Edi Rama: Cilës deklaratë në Ohër?

–      Që ju po punoni për të shkarkuar zotin Kurti..

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, se nuk iu përgjigja kësaj dhe të falënderoj

–      Mirë, po a ti mbaroj pyetjet?

Kryeministri Edi Rama: Jo nuk do t’i mbarosh ti këto, para se të mbaroj unë këtë, që të vazhdosh ti pastaj me pyetjet e tjera.

–      Është e drejta ime…

Kryeministri Edi Rama: Po, po, e drejta jote. Nuk ta shkel të drejtën, mos ki merak, por ta mbaroj këtë se më pëlqen kjo.

Dëgjoni këtu, qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm një protestë e Albinit. Për sa kohë Albini nuk del në protestë kundër qeverisë së vetë, nuk ka kush e rrëzon, kështu që nuk ka lidhje kjo. Tani vazhdo me pyetjen.

–      Faleminderit shumë! Zoti Kurti, për ju është vazhdimi i pyetjes. Ju keni bërë fushatë në Shqipëri, në zgjedhjet e kaluara. Që është një farë përzierje. Zoti Rama tha që nuk ka interes të përzihet në politikën e Kosovës. A do të bëni fushatë prap në zgjedhjet e ardhshme?

Pyetja tjetër ka të bëjë me marrëdhëniet. I pamë marrëveshjet, të gjitha këto, por për shkak të dallimeve që keni sa i përket disa çështjeve rajonale, ka një përshtypje që marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri nuk janë aq të mira, ose janë shumë të këqija do të thoja, për faktin dhe të asaj që kemi patur zyrtarë të qeverisë së Kosovës, që zotin Rama e kanë konsideruar pro serb apo kanë shpërndarë dhe postime në rrjete sociale që e kanë përmendur si pro serb. Ndërkohë që ka pasur raste që është konsideruar si hero, qoftë në Serbi, qoftë tani në Ukrainë ku kërkoi njohjen. Çfarë jeni duke bërë për këtë dhe a jeni ju zoti Rama pro serb? A jeni duke punuar për interesa të Serbisë apo të Kosovës?

Edhe një e fundit, ka të bëjë me Hagën. Kemi parë vizitën e zotit Rama tek familja e zotit Thaçi. Ka qenë Glauk Konjufca në Hagë, a ekziston një koordinim sa i përket kësaj çështje Kosovë – Shqipëri apo janë më tepër veprime individuale sa i përket mbështetjes së njerëzve që i kemi atje dhe sa i përket fitimit të kësaj beteje edhe këtë herë? Faleminderit!

Kryeministri Albin Kurti: Së pari, ne nuk mund të bëjmë tani komente apo të japim përshtypjet tona për konglomerat përshtypjesh nga më të ndryshmet sepse atëherë nuk jemi kryeministra por ndoshta as analistë të mirë. Porti i ri i Durrësit, porti i Thatë i Prishtinës, Hekurudha në mes. Kjo është çështja me e rëndësishme për Kosovën dhe për Shqipërinë dhe unë për këtë, çdo ditë në vijim do të bëj fushatë. Kjo është tejet vendimtare për një hov të madh ekonomik të kombit tonë mbarë, prandaj deklaratat, përshtypjet, insinuatat, intrigat, komentet e ndokujt janë të pakrahasueshme me atë çfarë po bëjmë ne këtu në mbledhjet e përbashkëta.

Unë kam vlerësuar  që është më e udhës që të takoj avokatët mbrojtës të të gjithë luftëtarëve të UCK-së që janë në paraburgim në Hagë, në një paraburgim të stërzgjatur sepse ka kaluar një vit e gjysmë që kur mbahen në paraburgim. Ndërkohë që kryetari i Kuvendit i ka vizituar atje dhe unë ende nuk kam arritur që të takohem me të pas vizitës që ai ka bërë dhe këtë do ta bëj aspak më larg se sa sonte.

Kryeministri Edi Rama: Më fal për ndërprerjen, se mendova se më pas do vinin pyetje të natyrës konceptuale, nuk e dija që gjithë korpusi i pyetjeve ishte i natyrës së asaj pyetjes së parë, kështu që ndoshta u nxitova, kërkoj ndjesë, se ju thatë jam Euroneës, në fakt pyetje ishin “Prishtina kafa neës”, gjithë çfarë flitet në kafet e Prishtinës, por mbase ju keni të drejtë se kjo krijon edhe shumë audiencë, kështu që unë po i përgjigjem gjithë këtyre pyetjeve.

Së pari, po marr pyetjen që ishte shumë serioze që ishte brenda pyetjeve, që ka të bëjë me Hagën. Ne jemi duke përgatitur një rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë e unë do të shkoj personalisht në Strasburg në rastin më të parë, shpresoj në shtator, për t’ju drejtuar Këshillit të Europës për një fakt, i cili bëhet gjithmonë e më shqetësues në këndvështrimin tim dhe këndvështrimin tonë, që është pabazueshmëria totale të raportit të Dick Marty si dhe influenca ruse mbi këtë përrallë të një shtëpie të verdhë e të trafikut të organeve, duke pasur parasysh që akuza e trafikut të organeve është një akuzë e përsëritur edhe në kontekste të tjera, nga ana e propagandës ruse, duke pasur parasysh që dhe në Këshillin e Sigurimit Rusia ka goditur përsëri me një fjalim të ambasadorit të saj, duke u kthyer tek trafiku i organeve e duke pasur parasysh që në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nuk ka as edhe një fakt të lidhur me Dick Marty në raportin e tij që ishte shkaku pse u mor gjithë rruga për të shkuar tek gjykatat speciale. Për këtë, dikush duhet të hapi veshët, në mos të përgjigjet, pro të paktën duhet të dëgjojë. Bota këtë duhet ta dëgjojë. Sponsoret e atij tribunali duhet ta dëgjojnë. Ai tribunal është projektuar për ti dhënë përgjigje akuzave të ngritura nga Dick Marty. Nuk ka asnjë gjë në atë aktakuzë dhe ne kemi të gjithë të drejtën të besojmë që këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën, aspak dashamirëse me shqiptarët, që e kanë nxitur këtë raport. Kjo për këtë pjesë.

Për sa i përket vizitës tek prindërit e Presidentit, besoj që është shumë personale kjo përveç se edhe respekt për të komentuar gjatë. Marrëdhënia ime me presidentin Thaçi dihet, është botërisht e njohur. Kur kam plotësuar formularin dhe thuhej për çfarë arsye do ta takosh, kam shkruar me gërma kapitale, më ka marrë malli. Kjo është e vërteta. Kështu që ka qenë nder dhe kënaqësi e jashtëzakonshme për mua që të takohesha me prindërit dhe familjen e tij.

Për të ardhur tek pro serbizmi im. Unë jam më shumë se kaq. Jam vëllau i Vuqiqit, ju e dini këtë dhe e keni bërë kështu, status timin që unë jam vëllau i tij, por përtej kësaj, unë dua të them këtë, që këndvështrimi im është se ne nuk na duhet një Serbi e radikalizuar, aq më tepër në kontekstin e sotëm dhe ne na duhet të bëjmë çmos që të rrisim të gjitha ato mundësi që integrojnë këtë pjesë të Europës, që jo pa arsye është dhe pjesa më e prapambetur historikisht, në një nivel tjetër ndërveprimi ekonomik dhe shoqërore. Unë nuk hyj në çështjen e administrimit të dialogut me Kosovës dhe Serbisë, kjo është një çështje ekskluzive e autoriteteve këtu dhe në këtë rast e zotërisë dhe gjithë atyre që Kosova i ka zgjedhur, ahut sikundër unë nuk besoj asnjë sekondë të vetme që qasja jonë e ndryshme ndaj Serbisë, dëmton në çfarëdo lloj mënyre qasjen apo qëllimin përfundimtar. Janë dy rrugë të ndryshme drejt të njëjtin qëllim, që është zgjidhja përfundimtare dhe njohja e Kosovës nga Serbia dhe paqja e drejtë që i takon shqiptarëve dhe Kosovës dhe i takon gjithë rajonit. Dhe thënë të gjitha këto, unë dua ta përsëris që me Albinin kemi një marrëdhënie që është e kahershme, që është shumë miqësore e që do të jetë e tillë gjithmonë, por juve ju duket si shaka, por kjo është e vërteta. Ne jemi njëkohësisht njerëz me bindje të forta e të gjesh tani njerëz me bindje të forta që kanë dakordësi për çdo gjë do të thotë që atyre ose u janë dobësuar bindjet ose nuk i kanë pasur ndonjëherë të forta. Në këtë pikë ne jemi absolutisht të qetë mendoj unë e këtë e tregon fakti që po të jeni kur ne jemi bashkë, e po të shikoni volumin e qeshjeve dhe të auto ironisë që na bashkon reciprokisht, mbase do habiteni e pastaj do thoni që jo, ky nuk qenka vëllai i Vuqiqit por qenka vëllau i Albinit. Kështu që më lini të rri vëllau i të dyve se mund t’ju duhem në të ardhmen. Faleminderit!

-Zoti Rama, ju shpesh përmendni dhe para pak momentesh përmendët zotin Hashim Thaçi gjithmonë duke e quajtur presidenti i Kosovës, por në deklarimet tuaja, kam vërejtur, se nuk keni përmendur asnjëherë zonjën Osmani, presidenten e Kosovës. Përse kjo mungesë reference?

-Zoti Kurti, ju lutem, duke u rikthyer tek Ballkani i Hapur, në datën 8 të këtij muaji u mbajt në Ohër Ballkani i Hapur, takimi i radhës. Në këtë takim ishin në statusin e vëzhguesit kryeministri i Malit të Zi dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës. A e mendoni se mund të jeni pjesë si vëzhgues në takimin e radhës?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, mendoj që duhet ta hedhim ne të gjithë së bashku këtë hap drejt shoqërive të zhvilluara shëndetshëm, nga pikëpamja demokratike, të cilat termin “Ish-president” apo “Ish-Kryeministër” nuk e përdorin, nëse ju do shikoni se si i drejtohen presidentëve në Amerikë, në Francë apo kryeministrave në Angli apo Itali, do shikoni se i drejtohen gjithmonë “Presidenti Bush”, “Presidenti Obama”, “Presidenti Klinton”, “Presidenti Carter” e kështu me radhë. Kur unë them “Presidenti Thaçi’, kjo nuk nënkupton që unë nuk e di se cila, në këtë rast, është Presidentja e Kosovës.

Nga ana tjetër, Vjosa gëzon shëndet të plotë, nuk ka probleme me Gjykatën e Hagës, unë i uroj shëndet dhe lumturi dhe nuk kam asnjë arsye, që kur i drejtohem Hashimit, të nënkuptoj se po nënçmoj apo po anashkaloj presidenten aktuale të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti: Unë, nëse do isha në Ohër për vëzhgim, do kishte kuptim të përgjigjesha. Ndërkaq, këtu nga Prishtina, pas mbledhjes së 8-të të dy qeverive tona, mundem vetëm t’iu përshëndes me shprehjen “Porti i ri i Durrësit, Porti i Thatë i Prishtinës, Hekurudha në mes”.

Kryeministri Edi Rama: Edhe nëse është për vëzhgues, Albini vëzhgon nga Prishtina edhe Kinën e jo më Ohrin. 

Previous Kosova mikpret tryezën e përbashkët të dy qeverive në mbledhjen e tyre të radhës

Leave Your Comment